Video

Familjarët e të pagjeturve duan ligjin për pensione dhe varrosjen e 300 mbetjeve mortore

Në prag të afrimit të ditës ndërkombëtare të personave të zhdukur, familjarë dhe anëtarë të komisionit qeveritar, mbajtën mbledhjen e radhës.

Përkundër miratimit të pikave të rendit të ditës dhe diskutimit të tyre, shqetësime të tjera përcolli anëtarja e këtij komisioni, Nysrete Kumnova.

Ajo kërkoi sqarime nga këshilltari i Kryeministrit për persona të zhdukur, Jahja Lluka, rreth ligjit të pensioneve për familjarët e të pagjeturve, raporton KTV.

Për shqetësimin e Kumnovës, Lluka tregoi se koncept dokumenti për rritjen e pensioneve është miratuar nga Qeveria, derisa janë duke pritur vendimin e Gjykatës Kushtetuese.

Debati mes Kumnovës e Llukës vazhdoi edhe më tutje, ku u diskutua për 300 mbetjet mortore që gjenden në Prishtinë, për të cilat është thënë se do të varrosen.

Kumnova i bëri kërkesë anëtarëve të komisionit që këto mbetje të mos varrosen pa u identifikuar tërësisht.

Lluka foli edhe për lirimin e parakohshëm të kriminelit serb, Miodrag Shollaja, duke e quajtur të papranueshëm e në kundërshtim me zotimet e Serbisë.

Komisioni diskutoi edhe për organizimin e 30 gushtit, Ditës Ndërkombëtare të Personave të Zhdukur dhe caktoi edhe këshillin organizativ për këtë.