Video

Zgjedhjet e parakohshme: Takohen Mustafa e Kurti - Veseli thotë se zgjedhjet janë të pashmangshme

Ende nuk është caktuar një datë e zgjedhjeve të parakohshme.

Gjithë çka dihet është se më 22 gusht do të mbahet seanca për shpërndarjen e Kuvendit të Kosovës, raporton KTV.

E një gjë e tillë duket se ka bashkuar liderët e dy partive më të mëdha opozitare në vend.

Këtë të martë, Isa Mustafa e Albin Kurti u panë duke biseduar jashtë zyrave të partive.

Ndonëse nuk u deklaruan para mediave, përmes rrjeteve sociale ata thanë se zgjedhjet janë të pashmangshme.

“Më 22 gusht, dy grupet tona parlamentare do të jenë në përbërje të plotë për ta shpërndarë Kuvendin e për t'u hapur rrugë zgjedhjeve të reja demokratike. Konstatuam që tashmë shpresa po rikthehet te qytetarët, për një të ardhme me drejtësi e përparim”, ka shkruar Kurti.

Ndërkaq, Isa Mustafa tha se duhet të krijohet një qeveri që ua kthen shpresën qytetarëve.

“Në takim me z. Albin Kurti sot, biseduam për gjendjen në Kosovë, sidomos pas dorëheqjes së Kryeministrit të vendit. U pajtuam se jo vetëm që vendi duhet të shkojë sa më parë në zgjedhje, por duhet të rezultojë një qeveri që ua kthen shpresën qytetarëve, veçanërisht rinisë sonë”, tha Mustafa.

E në anën tjetër, edhe Partia Demokratike e Kosovës duket se është e angazhuar për zgjedhjet e reja.

Kjo, pasi që para të rinjve kosovarë, Kadri Veseli tha se zgjedhjet e reja janë të pashmangshme e premtoi se do të luftohet krimi e korrupsioni.

Kuvendi aktual i Kosovës, pritet të shpërndahet për shkak se një muaj më parë, Ramush Haradinaj dha dorëheqje nga posti i kryeministrit.

Ai, në një postim në Facebook, ka thënë se është i gatshëm të qeverisë përsëri vendin duke lidhur, siç tha ai, kontratë me popullin pa interesa personale.