Video

Në Drenas aksion për lirimin e pronave të uzurpuara, familja e dëshmorit thotë se u lejua të hyjë në banesë

14 vendime për lëshimin e pronave të uzurpuara komunale ua ka dërguar Komuna e Drenasit, personave të cilët tash e disa vite dyshohet se kishin uzurpuar këto prona.

E, njëra ndër familjet për të cilat komuna po pretendon se ka uzurpuar pronën komunale, është edhe familja e dëshmorit Mehmet Saliuku, raporton KTV.

Gruaja e dëshmorit, Minire Saliuku, thotë se ajo, 5 vjet më parë, ishte lejuar nga komuna e Drenasit që të banonte në këtë banesë.

Ndonëse në vendimin e komunës ajo është paralajmëruar se do të largohet dhunshëm nëse brenda 7 ditëve nuk e liron atë, Saliuku thotë se nuk do të largohet nga kjo banesë, pasi që nuk ka ku të shkojë.

Përkundër kërkesave të shumta dhe tentimeve për t’u takuar me kryetarin e Komunës, Saliuku thotë se komuna nuk i kishte gjetur zgjidhje asaj.

Përkundër insistimit të KTV-së për të marrë sqarime lidhur me këto uzurpime, zyrtarë të komunës së Drenasit nuk kanë pranuar të flasin para kamerës.

Ata, përmes një komunikate të lëshuar, kanë bërë të ditur se kanë lëshuar 14 vendime për lirimin e pronave publike të uzurpuara për vite më radhë.

Komuna ka bërë të ditur gjithashtu se përveç hetimeve që tashmë ka nisur për këto uzurpime, Njësia për Krime Ekonomike dhe Korrupsion ka nisur hetime edhe për disa banesa që u ishin ndarë shoqatave të dala nga Lufta e UÇK-së në Drenas.

Por, kreu i Organizatës së Veteranëve të UÇK-së në Drenas, Enver Hajdari, thotë të mos jetë i njoftuar për këto hetime, derisa shton se për të gjitha banesat që i ishin dhënë kësaj organizate në shfrytëzim, janë vendime të Kuvendit të komunal të Drenasit.

Por, ish-asamblisti i Komunës së Drenasit, Xhavit Drenori, thotë se kreu i komunës ka dy vjet që ishte i njoftuar për këto uzurpime, por nuk kishte ndërmarrë veprime.

KTV-ja ka tentuar të marrë një përgjigje edhe nga ana e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, lidhur me hetimet për këto prona, por kjo prokurori nuk ka dhënë përgjigje nëse ka nisur hetimet për këto raste.