Video

Sërish me kopjime në Testin e Maturës, iu nënshtruan 4 mijë nxënës në 29 qendra

Në Ditën e Çlirimit të Kosovës, maturantët iu nënshtruan pjesës së parë të Testit të maturës.

Si rëndom, ata përdorën mënyra të ndryshme për t’i marrë të gatshme përgjigjet e testimit.

KTV-ja ka siguruar disa fotografi ku në aplikacionin Viber, në grupin me emrin “Matura 12.06”, janë shkëmbyer pyetjet dhe përgjigjet e testit.

Në fotografitë e siguruara nga KTV-ja, shihet qartë se në po të njëjtin grup në Viber, kishte shkruar edhe dikush me emër MASHT, duke thënë se është në dijeni të ekzistimit të këtij grupi dhe se do të ndërmerren masat e nevojshme kundrejt tyre, por kjo nuk u ka lënë përshtypje maturantëve.

Ata kanë vazhduar të shkruajnë në grup.

Në anën tjetër, pavarësisht paralajmërimit se në objekte ku mbahej testi do të kishte zhurmues të valëve për ta shmangur çdo formë të kopjimit, një gjë e tillë nuk ishte realizuar.

Ministria tha se kjo pritet të realizohet në pjesën e dytë të testit.

Drejtori i Gjimnazit “Sami Frashëri”, tha se brenda shkollës gjithçka ka shkuar në rregull, por në një shkollë tjetër ku kanë mbajtur test një pjesë e nxënësve të gjimnazit, një nxënësi, për shkak të vonesës, i ishte anuluar testi.

Të mërkurën, testimit iu nënshtruan rreth 4 mijë maturantë të rajonit të Prishtinës, në 29 qendra testuese.

Testi u mbajt në lëndët: Gjuhë shqipe dhe Gjuhë angleze. Të enjten do të testohen nxënësit e rajonit të Ferizajt dhe Gjilanit.