Video

Brovina pasi publikoi dy fotografi të viktimave: Le të traumatizohet kush të dojë, e vërteta të mbërrijë atje ku duhet

Deputetja e PDK-së, Flora Brovina, e ka tronditur Kosovën këtë të enjte, kur është ngjitur te lozha e gazetarëve në Kuvend, për të prezantuar fakte për krimet e luftës.

Ajo ka mbajtur në duar një fotografi që tregonte një grua shqiptare të Kosovës, teksa po përdhunohej nga tre pjesëtarë të forcave serbe dhe në afërsi qëndronin familjarët e saj, raporton KTV.

Brovina tha se gruaja është gjallë dhe i njeh ata që e dhunuan, porse Prokuroria Speciale deri më tash nuk e ka intervistuar.

Më vonë, në diskutimin e saj në seancë, Brovina ka prezantuar foton e një 7-vjeçareje e cila kishte vdekur nga dhunimi.

Por, ky veprim i Brovinës është kritikuar nga deputetja Saranda Bogujevci.

Derisa, situata u acarua aq sa kryetari i Kuvendit kërcënoi me largim nga salla.

Gjatë prezantimit të rezolutës që do të dënojë gjenocidin serb, u tha se kjo po bëhet me qëllim të që t’i jepet fund pandëshkueshmërisë së krimeve serbe në Kosovë.

Derisa u theksua fakti se është tejet vonë që pas 20 vjetëve, Kosova të nisë një rezolutë të tillë.

Nait Hasani nga PDK-ja, kritikoi ashpër Ministrinë e Drejtësisë e cila udhëhiqet nga partia e tij, për mospunën në gjithë këtë proces.

Ministri i Drejtësisë u kritikua edhe për shuarjen e Institutit për Krime të luftës.

Kreu i Kuvendit ka kërkuar që kacafytjet mes deputetëve të ndalen dhe në këtë ditë, gishti të drejtohet kah Serbia.

Ai, gjatë fjalës së tij, ka elaboruar punën të cilën do ta ketë komisioni shtetëror për mbledhjen dhe dokumentimin e krimeve të luftës.

Kuvendi, gjithashtu, ka miratuar një mocion procedural të propozuar nga Donika Kadaj-Bujupi, i cili parasheh që tri institucionet, Presidenca, Kuvendi dhe Qeveria të ndajnë hapësira ku do të ekspozohen punimet që dëshmojnë krimet e kryera në Kosovë.

E gjithë kjo seancë është përcjellë nga afër, prej familjarëve të të pagjeturve dhe shoqatat e të pagjeturve.