Video

Socialistët në Spanjë kanë nevojë për Podemon për të formuar Qeverinë

Partia e kryeministrit Pedro Sanchez ka fituar 29% të votave në zgjedhjet e përgjithshme të jashtëzakonshme në Spanjë.

Por, kjo fitore ka lënë shije të hidhur, pasi socialistët kanë nevojë për ndihmën e Podemos të krahut të majtë dhe të partive rajonale, ose të qendrës së djathtë, për të formuar qeverinë.

Në fjalimin e tij të fitores, Sanchez tha se pas këtij triumfi, partia e tij do ta luftojë pabarazinë, do ta avancojë bashkëjetesën dhe do ta ndalë korrupsionin.

“Partia Socialiste ka fituar zgjedhjet e përgjithshme, dhe me të ka fituar e ardhmja, ndërsa e kaluara ka humbur. Jam i lumtur që socialistët kanë bërë progres pas dy vjetëve plot ngecje”, ka thënë Sanchez, kryeministër i Spanjës, transmeton KTV.

E lideri i partisë majtiste, Podemos, ka thënë se janë të hapur për koalicion qeverisës me socialistët. Ndërsa, për herë të parë qëkur pushteti ushtarak përfundoi në vitet e 70-a, një parti e ekstremit të djathtë do të hyjë në parlament.

Partia Vox kundërshton multikulturalizmin, feminizmin dhe migrimin e pakufizuar.

“24 ligjvënës në parlament do të marrin përgjegjësinë e tyre për t'i shërbyer Spanjës dhe lirisë. 24 nacionalistë në parlament do të përfaqësojnë krenarinë e të qenit spanjoll dhe ata nuk do të heshtin kur një ligjvënës shkel kushtetutën, qesh me flamurin tonë ose përpiqet të shkatërrojë unitetin kombëtar”, është shprehur Santiago Abascal, kryetari i Voxit.

Por, befasia më e madhe e zgjedhjeve ishte rënia e mbështetjes për Partinë Popullore, e cila qeveriste Spanjën derisa ajo u largua nga pushteti në maj të 2018-s me një mocion mosbesimi.

Në zgjedhjet e saj më të këqija ndonjëherë, kjo parti fitoi vetëm 66 vende, nga 137 në parlamentin e mëparshëm.

Zgjedhjet e jashtëzakonshme në Spanjë, sollën edhe befasinë e radhës në rajonin e Katalonisë. Për herë të parë, partia e qendrës së majtë, ERC, është e para këtu dhe do të ketë 15 ulëse në Parlament.

Rezultat të dobët në këto zgjedhje ka shënuar koalicioni i cili shpalli referendumin për pavarësi në Kataloni. Ky koalicion fitoi vetëm 12 përqind votash, derisa një numër i konsiderueshëm i anëtarëve të tyre ndodhen në burg, shkaku i referendumit për pavarësi.

Udhëheqësi i saj, Oriol Junqueras, është në burg dhe akuzohet për rolin tij në shpalljen e pavarësisë në tetor të 2017-s.

Pjesëmarrja ishte 75.8%, më e madhja në disa vjet dhe 9% më e lartë se zgjedhjet e vitit 2016.