Video

Kurti e Konjufca paditin Thaçin e Veselin, shkak “Syri i Popullit”

Për dëshmi të rrejshme nën betim është paditur presidenti Hashim Thaçi dhe kryeparlamentari Kadri Veseli.

Padia është bërë në Prokurori nga kryetari i Vetëvendosjes, Albin Kurti, dhe shefi i Grupit Parlamentar të kësaj partie, Glauk Konjufca.

Sipas Kurtit, në seancën e cila është mbajtur më 28 dhjetor 2018, për rastin ‘Syri i Popullit’, Thaçi dhe Veseli nën betim kishin shpifur për të, Glauk Konjufcën dhe Sadri Ramabajën.

“Këta dy njerëz që ndodhen në postet më të larta institucionale, kanë rënë në pozitat më të ulëta njerëzore dhe këta jo që nuk e mbrojnë Republikën, por Republika është e rrezikuar prej këtyre njerëzve, të cilët shpifin nën betim. Këta aty kanë bërë deklarata të rrejshme, kanë shpifur. Ka ta bëjë me tendencë politike të qartë, që ta luftojnë Lëvizjen, kjo ka të bëjë me eliminim politik të Vetëvendosjes”, ka thënë Kurti.

E, shefi i Grupit Parlamentar të VV-së, Glauk Konjufca, ka thënë se Thaçi e Veseli kanë tentuar të përdorin sistemin e drejtësisë për t’i sulmuar ata.

“Sipas presidentit, unë dhe Albini jemi të lidhur me një organizatë si ‘Syri i Popullit’. Presidenti ka thënë që të zgjerohet akuza kundër meje dhe Albinit. Ata kanë zgjedhur që përmes drejtësisë ta godasin kundërshtarin politik. Ne besojmë që këtu ka prokuror të guximshëm, por që nuk vijnë në shprehje”, ka thënë Konjufca.

Të dy deputetët kanë theksuar se besojnë që drejtësia të bëjë punën e tyre, duke thënë se në Kosovë ka prokurorë të guximshëm, për të cilët kjo punë është shumë e lehtë.