Video

Përplasja e ish-kolegëve Molliqaj-Konjufca në Kuvend

Prej disa kohësh, Dardan Molliqaj e kishte paralajmëruar 12 prillin si dita kur do t’i publikonte faktet se Glauk Konjufca ka qenë pjesë e SHIK-ut.

Nga Kuvendi i Kosovës, Molliqaj tha se Konjufa ishte pjesë e SHIK-ut në vitet 2000-2001 dhe paga e tij ishte 150 marka, atëkohë, raporton KTV.

Sipas Molliqajt, rekrutimin e tij e kishte bërë Fadil Lepaja.

Asnjë fjalë nuk e tha Glauk Konjufca, pas fjalimit të Molliqajt, e shkurt foli kolegu i tij, Liburn Aliu.

Pas këtyre deklarimeve të Molliqajt ka reaguar edhe vetë Fadil Lepaja, që tha se sot mori vesh diçka që nuk e kishte ditur kurrë.

Ai ka shkruar në Facebook se kurrë nuk ka qenë as pjesë e as bashkëpunëtor i SHIK-ut.

“Me përgjegjësi të plotë penale dhe morale, deklaroj se kurrë në jetën time nuk kam qenë pjesëtar as bashkëpunëtor, me vetëdije, e besoj as pa vetëdije, i Shërbimit Informativ të Kosovës. Më vjen keq që emri im qenka keqpërdorur në debate, në të cilat nuk kam interes dhe e kam nën dinjitet të përfshihem”, ka shkruar, ndër të tjera, Lepaja.

Pas reagimit të Lepajës, deputetja e Vetëvendosjes, Albulena Haxhiu, i ka kërkuar dorëheqjen deputetit të PSD-së, Dardan Molliqaj.

Me 7 shkurt të këtij viti, shefi i deputetëve të Vetëvendosjes, Glauk Konjufca, e kishte paditur në gjykatë për shpifje ish bashkëpartiakun e tij Dardan Molliqaj, i cili, përveç në Kuvend, edhe në media kishte deklaruar se Glauk Konjufca ishte pjesë e SHIK-ut.