Video

Triumfi i tretë në drejtësi i Ramush Haradinajt

Për të tretën herë, kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka triumfuar në ballafaqimin e tij me drejtësinë për akuzat e krimeve të luftës.

Këtë herë i ka shpëtuar ekstradimit në Serbi, pas arrestimit që ia bënë autoritetet franceze 4 muaj më parë.

Përfundimisht, të enjten Gjykata në Colmar e ka liruar, duke i mundësuar kthimin nga Strasburgu, ku ka qëndruar në arrest që nga muaji janar.

Prokuroria ka afat 5 ditë që të ankohet ndaj këtij vendimi.

Vetë Haradinaj e ka konsideruar këtë fitore të Kosovës karshi Serbisë, e jo të tijën personale.

Sipas AFP-së, Gjykata ka vlerësuar se ekstradimi i Haradinajt do të ishte një dëm i madh i tij edhe për shkak të angazhimit politik dhe do të kishte ‘pasoja serioze’.

Megjithatë, trupi gjykues ka kundërshtuar pretendimin e autoriteteve të Kosovës se kërkesa e Serbisë për ekstradim kishte karakter politik.

Në Colmar, jashtë Gjykatës së Apelit, Haradinaj është pritur nga shumë bashkëpartiakë e përkrahës të tij.