Video

Jozyrtarisht, motivet e vrasjes së 34 vjeçarit në Prishtinë janë problemet familjare

34-vjeçari A.J., ka mbetur i vrarë nga të shtënat me armë zjarri, derisa po e voziste veturën e tij në rrugën “Haxhi Zeka”, të mërkurën në Prishtinë.

Policia ka thënë se ekipi i mjekësisë ligjore ka konstatuar vdekjen e viktimës në vendin e ngjarjes.

Sipas njoftimit, njësitet policore janë duke punuar në sqarimin e rrethanave që kanë të bëjnë me rastin.

“Menjëherë pas marrjes së këtij informacioni, në vendin e ngjarjes kanë dalë të gjitha njësitet e nevojshme policore. I njëjti nuk u ka mbijetuar plagëve të shkaktuara nga arma e zjarrit dhe në vendngjarje ka ndërruar jetë. Vdekjen e viktimës A. J. , mashkull, shtetas i Republikës së Kosovës, e ka konstatuar ekipi mjekësor në vendngjarje. Aktualisht, njësitet policore janë duke punuar në sqarimin e të gjitha rrethanave që kanë të bëjnë me rastin”, raporton KTV.

Prokuroria Themelore në Prishtinë ka treguar detaje rreth rastit.

I dyshuari për këtë vrasje akoma është në arrati. Prokuroria thotë se ka identifikuar të dyshuarin dhe se hetimet për arrestimin e tij janë duke shkuar në drejtim të duhur.

Kohavisioni ka mësuar se viktima ka pasur mosmarrëveshje me familjarët e bashkëshortes së tij.

Viktima ka lënë pas vetes gruan dhe tre fëmijë.