Video

Hetimet rreth rastit të abuzimit me të miturën në Drenas

Deklaratat kontradiktore që e mitura A.G, i kishte dhënë Prokurorisë në janar të vitit të kaluar për akuzat e saj ndaj mësimdhënësit SH.XH, kishte shtyrë prokuroren për të mitur, Gjejrone Alaj, që t’i mbyllte hetimet në këtë rast.

Alaj, që fillimisht është pajtuar për një intervistë për KTV-në, e ka anuluar pastaj atë duke thënë se nuk mund të flasë dhe do të deklarohet vetëm me shkrim.

Ajo është e bindur se kreu punën e saj bazuar në ligj dhe kishte insistuar që e mitura të mos japë deklarim të rremë.

“Për më tepër, ajo më ka dorëzuar një letër të nënshkruar nga ajo, ku ka shkruar se e ka akuzuar pa bazë mësimdhënësin. Në letër ajo ka thënë se nuk ka pasur presion e as detyrim nga askush. Duke u bazuar në këto të dhëna, unë kam marrë vendim për mbyllje të hetimeve”, ka thënë prokurorja Alaj.

Ditën kur i kishte mbyllur hetimet, më 2018, kjo prokurore kishte ngritur kallëzim penal ndaj të miturës për njoftim të rremë.

Por, këto hetime tashmë kanë pushuar. Është kolegu i Gjejrone Alajt, Ruhan Salihu, i cili më 23 janar të këtij viti, ka pushuar hetimet për këtë rast në mungesë të provave dhe pas dëgjimit të deklaratës të së miturës.

Prokuroi Ruhan Salihu, gjithashtu, është duke kryer hetime edhe për mësimdhënësin dhe policin, që gjenden në paraburgim.

Salihu, nëpërmjet telefonit, ka thënë se po i vazhdon hetimet për këtë rast.

Sipas tij, vetë fakti që e mitura ka deklaruar se ajo është tërhequr nga deklarata për shkak se mësimdhënësi i ka premtuar se do të martohej me të, paraqet provë të re për Prokurorinë.

Salihu, më tutje, ka thënë se Prokuroria pritet të sigurojë edhe prova të tjera në këtë rast.

E ministri i Punëve të Brendshme, Ekrem Mustafa, ka thënë se do të hetohen të gjithë ata që kanë qenë të përfshirë në këtë rast.

Mustafa, gjatë raportimit të tij para Komisionit për Integrime Evropiane, ka thënë se ky rast ka ndikuar në besueshmërinë e Policisë.

Në paraburgim po vazhdojnë të jenë mësimdhënësi SH.K, me dyshimet për keqpërdorim seksual dhe nxitje e akteve seksuale”, si dhe zëvendësshefi i hetimeve në Drenas, V.V, i cili dyshohet se keqpërdori seksualisht të miturën.

Ndërsa, gjykata ka vendosur arrest shtëpiak ndaj gjinekologut F.A.