Video

"Mirë se erdhët nxënës të dashur" – as sot s’pati kuptim në Mitrovicë

Mbishkrimi "Mirë se erdhët nxënës të dashur", nuk vlejti as këtë të enjte për nxënësit e shkollës fillore “Andon Zako Çajupi” në Mitrovicë.

Si në komunat tjera, as këtu gjysmëvjetori i dytë nuk ka filluar fare për shkak të grevës së mësimdhënësve.

Kryetari i komunës, Agim Bahtiri, të enjten i ka ftuar në takim drejtorët e shkollave, si dhe zyrtarë të SBASHK-ut.

Bahtiri, pas takimit, ka thënë për KTV-në se nuk u ka dhënë ultimatum drejtorëve, por ka kërkuar nga ta nisjen e mësimit.

Por, kryetari SBASHK-ut për komunën e Mitrovicës, Isa Ismajli, tha se, në fakt, Bahtiri e dha një ultimatum, por ndërprerja e grevës nuk është në dorën e tij por të këshillit grevist të SBASHK-ut.

Edhe më parë, Bahtiri ka deklaruar se do të gjejë vullnetarë për ta mbajtur mësimin.

Por, mësimdhënësit kanë thënë se nuk do t'ia marrin parasysh kërkesat pasi zgjidhja nuk varet prej tij.

Në ditën e nëntë të grevës, mësimdhënësit e Mitrovicës kanë thënë se ndihen të lodhur dhe të pashpresë për një zgjidhje.