Video

Ultimatumi i rektorëve drejt Kuvendit për shkarkimin e KSHC-së

Nëse deri më 28 janar nuk shkarkohet Këshilli Shtetëror i Cilësisë, rektorët e universiteteve publike kanë paralajmëruar se do të fillojnë me greva dhe protesta.

Rektorët e kanë quajtur politik vendimin për mosakreditimin dhe tërheqjen e akreditimit për disa programe në universitete, raporton KTV.

Rektori i Universitetit të Prishtinës, Marjan Demaj tha se këtij universiteti i janë refuzuar 24 programe dhe i janë tërhequr 13 programe të akredituara.

“KShC ka sjellë vendim për tërheqjen e programeve të akredituara pa pasë raport të rekomandimit nga vlerësues të jashtëm, nga ekspertë vlerësues ndërkombëtarë të fushës së njëjtë të studimit, për një kohëzgjatje tjetër, neni 19 i keni faktet që ua dhashë. Nuk kanë qenë në pyetje ato programe me u vlerësu, nuk ka pas ndonjë komision, ndonjë paralajmërim, që për shembull ndonjëri prej atyre programeve të studimit që janë akredituar ose ka pas dokumentacion të rrejshëm ose ka dështuar me realizu udhëzimet apo rekomandimet, vetëm ad hoc është marrë ky vendim dhe janë tërhek 13 programe bazë”, ka thënë Dema.

Edhe rektorët e universiteteve të qyteteve tjera kanë shprehur pakënaqësi për vendimet e fundit të Këshillit Shtetëror të Cilësisë, por edhe të MASHT-it.

“Mendoj që Këshilli Shtetëror i Cilësisë është dashur të ketë raportin ndryshe me universitetet, me lyp dokumente shtesë për secilin profesor që ka pas dyshim që nuk është i profilit. Por, ata nuk kanë komunikuar fare me ne, na kanë injoru dhe kanë marrë vendime që ne na kanë sjellë në këtë situatë”, ka thënë Fadil Millaku, rektori i Universiteti të Pejës.

“Kërkesa e KShC-së me rritë numrin e profesorëve për një program është antiligjore, ata mund ta shtojnë këtë standard, e pranojmë, por në rast të akreditimit të ri, në rast të riakredtimit, konkurrojmë sivjet me një program të ri po, na i kërkojnë katër, i bëjmë katër, por programet që njëherë kanë marrë vulën janë akredituar me tre profesorë, nuk mund të kërkosh në gjysmë të rrugës shtoje ti edhe një profesor”, ka thënë Bajram Kosumi, rektori i Universitetit të Gjilanit.

Por, sipas rektorit të Ferizajt, qëllimi i ministrit të Arsimit është që të mbyllen universitet publike në disa qytete.

“Ekziston një dokument i shkruar që në Kosovë duhet të ketë dy universitete. U mundua ta bëjë në atë formë, nuk arriti, dhe ka ndërruar formë. Këtu u tha që janë mbyllë rreth 40 për qind e programeve të universiteteve publike por nuk u tha numri i studentëve të atakuar, i cili është 70 për qind”, ka thënë Agron Bajraktari, rektor i Universitetit të Ferizajt.

Ndërkohë, në muajin shkurt bëhet një vit që kur Komiteti i Regjistrit Evropian për Sigurimin e Cilësisë në Arsimin e Lartë ka përjashtuar Agjencinë e Kosovës për akreditim nga ky institucion.

Ky komitet kishte konstatuar se, si pasojë e shkarkimit të bordit të Agjencisë nga ministri Shyqyri Bytyqi, ajo më nuk është e aftë të veprojë në mënyrë të pavarur.