Video

Gjithçka rreth nisjes së Mustafës e Lushtakut për në Hagë

Rrustem Mustafa, ish-komandant i UÇK-së për rajonin e Llapit, është i pari që do të përballet me pretendimet për krime lufte të dala nga raporti i Dick Martyt.

Para nisjes për në Hagë, ish-deputeti i PDK-së ka thënë së është i ftuar për intervistim në cilësinë e dëshmitarit të dyshuar, raporton KTV.

I njohur si komandant Remi, të hënën do të intervistohet nga Zyra e Prokurorit të Specializuar pranë Gjykatës Speciale.

I ftuari tjetër i Gjykatës Speciale, ish-komandanti i UÇK-së i Sami Lushtaku, thotë se nuk e di se në çfarë cilësie është ftuar për intervistim, por thotë se këtë do ta kuptojë të mërkurën.

Avokati Arianit Koci, ka dhënë arsyen pse u shty për të mërkurën intervistimi i Lushtakut.

Në mbështetje të Lushtakut, në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari”, dolën deputetë të Kuvendit dhe familjarë të tij.

Para nisjes për në Hagë, presidenti Hashim Thaçi i ka quajtur heronj kombëtarë të luftës Mustafën dhe Lushtakun.

Ai ka thënë se shkuarja e tyre për intervistim, dëshmon edhe një herë fisnikërinë dhe drejtësinë e luftës së popullit të Kosovës.

Ndërkaq, kryeministri Ramush Haradinaj ka takuar ish-komandantët e UÇK-së, duke thënë se edhe kësaj radhe do të dalin faqebardhë, pasi do të dëshmohet lufta e pastër e UÇK-së.

Rrustem Mustafa dhe Sami Lushtaku janë dy të ftuarit e parë të Speciales që do të intervistohet në Hagë.

Vendimi për themelimin e kësaj gjykatë u mor në gusht të 2015-s në Kuvendin e Kosovës, pas tentimit të dytë.