Video

Mustafa e quan jolegjitim Ekipin Negociator të Kosovës për bisedimet me Serbinë

Me homazhe te varri i ish-presidentit Ibrahim Rugova, LDK-ja ka nisur të dielën shënimin e përvjetorit të 29-të të themelimit të saj.

Sipas udhëheqësve të kësaj partie, është e natyrshme që kjo ngjarje të nisë te varri i atij që ngriti themelet e kësaj partie, raporton KTV.

E, manifestimi i LDK-së ka vazhduar me një ceremoni solemne.

“Më vjen keq që sot po ju drejtohem ulur për shkak të gjendjes sime shëndetësore, sepse ju meritoni respektin më të madh”, ka thënë Mustafa.

Kryetari i LDK-së e ka cilësuar këtë parti si më të madhen në vend, duke folur edhe për arritjet e saj.

Duke folur për procesin e bisedimeve mes Kosovës e Serbisë, Mustafa ka kritikuar ekipin negociator të votuar së fundmi në Kuvend.

Mustafa ka shtuar se LDK është pro dialogut me Serbinë, por duhet të arrihet marrëveshje që nuk e cenon pavarësinë e Kosovës si dhe respekton kushtetutën e vendit.

Ai ka folur edhe për tema të tjera, duke shtuar se ajo e korrigjimit të kufijve nuk do të përkrahet asnjëherë nga LDK-ja.

“Një parti pa lidership, nuk del parti e parë. LDK është parti e parë. Partia që është e para nuk bëhet bisht i askujt, nuk bëhemi pjesë e tyre që t’ua bëjmë numrat”, ka thënë Mustafa.

Në këtë manifestim, LDK-ja ka kujtuar edhe veprimtarët e saj, të vrarë pas luftës në Kosovë.