Video

Ligji kundër korrupsionit është në rregull, i parregullt është zbatimi i tij

Për zbatimin e Ligjit për Parandalimin e Konfliktit të Interesit, në ushtrimin e funksioneve publike në legjislativ e ekzekutiv është diskutuar në Javën Kundër Korrupsionit.

Ligji, mbetet i pazbatuar në masë të madhe, përderisa qindra zyrtarë në institucione të ndryshme vazhdojnë të mbajnë më shumë se 1 pozitë e të paguhen për angazhime shtesë, raporton KTV.

Ligji për parandalimin e konfliktit të interesit ka më shumë se gjysmë viti që me ndryshimet e fundit është në fuqi, por zbatimi i tij ngec, siç ndodh edhe me shumë ligje tjera.

Në kuadër të aktiviteteve të “Javës Kundër Korrupsionit” është publikuar edhe raporti “Parandalimi dhe Luftimi i Konfliktit të Interesit në Kosovë”.

Në panelin e paradites janë diskutuar gjetjet për zyrtarët në legjislativ, e në atë të pasdites, për zyrtarët e ekzekutivit.

Organizatat, pjesë e koalicionit kundër korrupsion, kanë nxjerrë një raport me gjetjet nga kjo fushë, pavarësisht se janë ballafaquar me një numër të madh të institucioneve që nuk u kanë kthyer përgjigje, ose kanë kthyer përgjigje të mangëta në kërkesat për qasje në dokumente zyrtare.

Sipas Ehat Miftarajt nga Instituti i Kosovës për Drejtësi, Ligji për parandalimin e konflikt të interesit, mbetet në faza fillestare të implementimit.

Ministri i Shëndetësisë, Uran Ismaili, që ka qenë pjesë e panelit në tryezën e dytë, u pyet nëse është në konflikt interesi duke mbajtur edhe pozitën e asamblistit në Kuvendin Komunal të Prishtinës, për çka tha se në kohën kur është zgjedhur, nuk ka qenë.

Në një situatë të ngjashme ndodhen edhe 3 anëtarë të kabinetit të ministrit Mahir Yagcilar, saktësisht një zëvendësministër dhe këshilltarë të tij politikë, që janë gjithashtu janë edhe asamblistë.

Ministri Abelard Tahiri, u ka bërë thirrje institucioneve të drejtësisë që ta bëjnë punën e tyre, në rastet kur zyrtarët i kanë keqpërdorur pozitat.

Përfaqësues të Zyrës Kombëtare të Auditorit, kanë treguar për gjetjet e tyre në raste të konfliktit të interesit, duke përmendur raste në Ministrinë e Jashtme dhe në Universitetin e Prishtinës.