Video

Serbët u mblodhën edhe në Graçanicë për të kundërshtuar taksën e Kosovës për mallrat nga Serbia

Në Shtëpinë e Kulturës në Graçanicë u mblodhën protestues për ta kundërshtuar vendimin e Qeverisë së Kosovës për taksën prej 100 përqind për produktet serbe dhe boshnjake.

Kryetari i Komunës së Graçanicës Sërgjan Popoviq, i cili u doli në mbështetje protestuesve, tha se shkaku i politikës njerëzit janë bërë nacionalistë ekonomikë dhe po refuzojnë produktet më të mira e më të lira në treg, raporton KTV.

“Ideja për bojkotimin e produkteve serbe nuk është e mirë. Ne edhe gjatë kohës së luftës nuk kemi bojkotuar produkte të Kroacisë, Bosnjës apo Sllovenisë, e as ata nuk kanë vepruar njëjtë. Produktet serbe janë, mes tjerash, kualitative e të përshtatura për jetën tonë. Gjenerata të tëra u rritën me to”, ka thënë Popoviq.

Drejtoresha e Shtëpisë së Shëndetit, Mirjana Dimitrijeviq, u ankua se rezervat që i kanë nuk mjaftojnë, andaj kërkoi nga Prishtina që të mendojnë për të sëmurët.

“Sot këtu po e ngrisim zërin tonë kundër padrejtësisë dhe vendimit të Prishtinës. Të gjithë jemi duke e përcjellë këtë çfarë po ndodh. Ndonëse disa herë ishim pengje të bllokadave burokratike ne mbijetuam, kështu do të ndodhë edhe tani, sepse besojmë në përkrahjen e shtetin tonë. Rroftë Serbia”, ka thënë Dimitrijeviq.

Qytetarët, po ashtu, janë ankuar.

“Është vendim i keq dhe mendoj se, megjithatë, më shumë dëme do të kenë shqiptarët sesa ne”.

Kjo protestë ka përfunduar e qetë dhe gjatë tërë kohës është monitoruar nga forca të mëdha të policisë.