Video

FSK-ja do t’i mbrojë të gjithë, thotë Haradinaj

Për hapat e ardhshëm të Forcës së Sigurisë së Kosovës dhe ndikimin e bërjes së saj ushtri kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj, ka mbajtur një ligjëratë para studentëve të një kolegji privat.

Aty, Haradinaj tha se ndërtimi i kapaciteteve të plota të FSK-së do të zgjasë rreth 10 vjet dhe do të ndahet në tri faza, duke shtuar se nga transformimi i FSK-së nuk do të përfitojë vetëm Kosova, raporton KTV.

Kryeministri Ramush Haradinaj, është shprehur i bindur se ushtria e Kosovës nuk do të ketë ndikim në dialogun me Serbinë.

Tutje, ai ka shtuar se ky proces do të zhvillohet në koordinim me NATO-n, derisa ka përsëritur se pa formimin e ushtrisë, Kosova nuk mund të mbrojë integritetin territorial dhe as komunitetet që jetojnë në vend.

Kryeministri Haradinaj tha se Kosova do të respektojë plotësisht mandatin e misionit të KFOR-it, ndërsa FSK-ja do të vazhdojë të mbetet një institucion partner në KFOR.

Kuvendi i Kosovës javën e kaluar votoi tri projektligje për transformimin e FSK-së, të cilat e parashohin edhe krijimin e Ministrisë së Mbrojtjes.