E marta e 21 marsit ishte nata e vetme që Festim Pllana, nga fshati Bardh i Madh i Fushë Kosovës, nuk iu lajmërua prindërve të tij se ka përfunduar punën, raporton KTV.
Në tentim për të kaluar hekurudhën, 22-vjeçari u godit nga treni i linjës Prishtinë-Shkup.
Ai ka pësuar lëndime të mëdha në këmbën dhe në dorën e djathtë. Prindërit e tij morën vesh për aksidentin vetëm të nesërmen dhe djalin e tyre e gjetën në repartin e emergjencës.
Nga ajo çfarë u ka treguar djali i tyre, Kadri Pllana thotë se Festimi ishte vetëm dhe se dëshmitarë të rastit ia kishin dhënë ndihmën e parë. Familjarët dhe shokët e tij tani kanë marrë aksione të ndryshme për të ndihmuar 22-vjeçarin, duke hapur edhe një llogari bankare, pasi që mjekimi i tij duhet të bëhet jashtë vendit. Ndërkohë, në Polici thonë se aksidentet në hekurudha nuk janë të shpeshta, megjithatë, sipas togerit Nazmi Zogaj, numri i atyre që kanë pësuar është shqetësues.
Zogaj u ka bërë thirrje qytetarëve që të jenë më të vëmendshëm dhe të kenë kujdes gjatë kalimit të hekurudhave.
-
5 prill 2017 21:30
-
Shpërndaje në: