Via Balcanica

BeH: Punë nga shtëpia

Pandemia e koronës e ka ndryshuar botën e biznesit. Me synimin e reduktimit të infektimeve, të gjitha punët të cilave natyra e punës ua lejon këtë gjë, kanë kaluar në botën online. Zyra në shtëpi për miliona njerëz në kohë pandemie është bërë një rreth i zakonshëm pune. Në shtëpi apo në vend të punës ka sfida të reja – mungesë të socializimit, mungesë të motivacionit, ndjenja e vetmisë, ngarkesa me internet apo edhe mungesa e pajisjeve teknologjike. Derisa platformat online janë plot, shkollat janë gjysmë të zbrazëta. Nxënësit nuk janë tash me shumicë nëpër banka shkollore, por janë nëpër shtëpi të tyre. Prej shtëpisë punojnë edhe profesorët e shumtë, arsimtarët, mësuesit. Në vend të pajisjeve tradicionale për punë, atyre sot u duhet vetëm laptopi.

Mësuesja sarajevase, Sabina Solakoviq, thotë se disa prej nxënësve të saj, për shkak të mësimit online, nuk i ka parë asnjëherë personalisht. Ajo vështirë e harmonizon kohën private me kohën që ua kushton fëmijëve. Në ndarjen e detyrave për nxënësit, komunikimin online me fëmijët po edhe me prindërit – puna e saj tani është gjithëditore. Mësimi online tërësisht ia ka ndryshuar jetën.

“Shumë ka ndryshuar. Unë jam mësuese e cila prej bodrumit në të cilin kam punuar në kohën e luftës, kam ardhur tash te mësimi online. Për një jetë pune ky është dallim shumë i madh, ngritje tepër e madhe. Mësimi online është shumë i ndërlikuar dhe i zorshëm, por jo vetëm për mësuesit, unë mahnitem me prindërit të cilët në gjithë këtë situatë po mund të gjinden, jam e lumtur që nxënësit tanë këtë po e arrijnë. Ndërsa ne mësuesit po përpiqemi që kjo të jetë e suksesshme. Është e vështirë…”, ka thënë Sabina Solakoviq, mësuese në SHF “Savet-beg Bashagiq”.

Vështirë është në aspektin teknologjik. Përveç pajisjeve të pamjaftueshme, nxënësit e kanë të vështirë edhe ta përcjellin mësimin online. Në klasat virtuale janë të nevojshme disiplina shtesë, organizmi dhe pavarësia. Për mësuesit kjo është edhe më e zorshme. Nxënësit më të vegjël nuk janë të mësuar të përcaktojnë oraret dhe kohën për mësim e as të vlerësojnë se sa kohë duhet për gjëra të ndryshme. Derisa në klasën shkollore këtë proces e udhëheq mësimdhënësi, në online prindërit mund t’u ndihmojnë fëmijëve në vendimin se çka duhet mësuar, si dhe kur. Shumë fëmijë edhe tutje nuk kanë kushtet teknike për përcjelljen adekuate të mësimit.

“Mendoj se ndonjëherë edhe vetë ne në shtëpi ngufatemi me internet, nuk funksionon gjithçka si duhet, por kjo ndodh edhe në shtëpitë e nxënësve tanë. Familja ime me dy fëmijë është ende e vogël, unë kam nxënës, prindërit e të cilëve kanë pesë fëmijë, prej të cilëve katër janë në shkollë fillore. I admiroj ata se si arrijnë që të bëjnë krejt çka kërkohet prej tyre”, ka shtuar ajo.

As për nxënësit komunikimi online dhe puna prej shtëpisë nuk janë gjëra të thjeshta. Kerim Durakoviq nuk e ka paramenduar që në vitin e parë të Makinerisë çdo ditë do ta kalojë në shtëpi deri në dhjetë orë në kompjuter. Thotë se studentët nuk kanë qenë të përgatitur këtë vit për rrethanat online, dhe se kanë shumë probleme që t’i zgjidhin detyrat e caktuara online. Të gjitha ligjëratat janë përmes aplikacioneve, ndërsa vështirësuese janë edhe ushtrimet online. Çdo ditë online mësohen parimet e inxhinierisë, fizikës, shkencës, analizohet prodhimi dhe drejtimi me sisteme mekanike të makinave, të cilat deri më tash askush nuk ka pasur rast t’i shohë. I mungon dimensioni fizik i qasjes ndaj shkencës të cilën e studion. Pauzat prej 15 minutash çdo ditë janë koha e vetme kur ai mund të frymojë lirshëm, të drekojë apo të dalë jashtë banesës. Edhe shoqërimi tani i është reduktuar në minimum.

“Gjithsesi që kjo barriera sociale tani është faktor vështirësues në zhvillimin e procesit mësimor, sepse ne nuk mund t’i qasemi interaksionit konkret mes kolegëve e as mes nesh dhe ligjëruesve. Kjo krijon barrierën e madhe për shkak se është e vështirë t’ia mbash dikujt përqendrimin vetëm përmes videothirrjes, e cila zgjat deri në dy orë me disa ndalesa prej 15 minutash. Aty përgjithësisht humbet dimensioni i bashkëbisedimit mes profesorit dhe studentit, ku studenti 90% të kohës vetëm tund kokën. Pastaj, studentët që do të donin të kyçen në mësim të tillë nuk po kanë mundësi që të jenë pjesë e mësimit sepse, shembull, nuk kanë kompjuter, telefon të duhur, apo ngjashëm”, ka thënë Kerim Durakoviq, student i Fakultetit të Makinerisë në Sarajevë.

Për shkak të natyrës së punës që shpesh nënkupton daljen në terren dhe komunikimin me bashkëbisedues të ndryshëm, që është rrezik i madh për infektim – pjesa më e madhe e redaksive mediale po ashtu është bartur në ambient të shtëpisë. Gazetarët gjatë pandemisë janë gjetur në krizë të posaçme për shkak të distancimit fizik dhe barrierave. Kështu redaksia e gazetës më të vjetër të përditshme në Bosnjë-Hercegovinë, “Oslobogjenje”, me muaj ka qenë gjysmë e zbrazët, sektorët më të rëndësishëm ishin në redaksi derisa gazetarët punojnë prej shtëpisë. Puna e vërtetë gazetareske, puna në terren, hulumtimi, analiza me bashkëbisedues, dhe temat janë vështirësuar me lëvizjen e kufizuar. Riorganizimi dhe komunikimi i gazetarëve është bartur në botën online, derisa komunikimi real është bërë i pamundur. Në praktikën e punës së përditshme gazetareske është komunikimi me burimet e informimit, informatat nga vendi i ngjarjes, andaj dhe puna prej shtëpisë për gazetarët është bërë e panatyrshme. Vizitat në redaksi janë të rralla.

“Në shtëpi je vetë, edhe pse nuk je në izolim zyrtarisht – vetë je, nuk ka njerëz rreth teje dhe menjëherë gjithçka është më e zymtë, më e pikëllueshme, posaçërisht kur ishte vera dhe kur ndoshta mund të dilnim për kafe, por kjo në shtëpi zhduket dhe ka presion të shtuar për të punuar më shumë, për të punuar më mirë kur je në shtëpi dhe nuk është askush që e sheh se sa është kontributi yt i vërtetë në punë. S’ka njeri të të shoh”, ka thënë Maja Selimoviq, gazetare e “Oslobogjenjes”.

Puna e tanishme e gazetarëve prej shtëpisë reduktohet në orë të tëra të kaluara para kompjuterit, në kërkim të informatës online, kërkimit të bazës së shënimeve dhe leximit të shumë dokumenteve. Puna gazetareske nuk duket më si më parë, kërkon kapacitet më të madh dhe përshtatje radikale në jetën private dhe atë të punës. Për arsye që rolin e vet gjatë pandemisë e kanë kuptuar shumë seriozisht, redaksitë prej shtëpive të veta punojnë prej mëngjesit deri në mbrëmje, apo edhe deri të nesërmen.

“Kjo është ndoshta mangësia më e madhe e punës prej shtëpisë, sepse ne në njëfarë mënyre jemi të izoluar. Është e parëndësishme nëse jemi në terren apo në konferencë për shtyp apo kërkojmë bashkëbisedues, vërtet puna në redaksi është ajo që më mungon më së shumti. Sepse aty keni kolegët, në njëfarë mënyre secili prej kolegëve të ndihmon, të jep ndonjë kontakt, informatë, ajo shpejtësi – është humbur diku në atë punën prej shtëpisë dhe kjo është ajo që mua më pengon më së shumti dhe që më brengos më së shumti në fillim, por me kalimin e kohës edhe me këtë po mësohemi” ka thënë Indira Hamziq, gazetare e “Oslobogjenjes”.

Me punën prej shtëpisë prej muajsh po mësohet edhe Adna Bashiq, psikologe. Në vend se personalisht, ajo përmes ekranit i bën profilet e të punësuarve potencialë. I mungon kontakti i drejtpërdrejtë, fytyrat e njerëzve ndryshe rrezatojnë edhe përmes ekranit, zërat janë ndryshe përmes mikrofonit, që në punën e saj është kyçe. Por, përveç ndërtimit të profileve, zyra në shtëpi ishte rast për të punuar në veten.

“Unë në fillim kisha frikë se do ta humbisja një lloj strukturiteti që kisha, nuk isha mësuar të punoja prej shtëpisë, kisha frikë se nuk do të mund të jem e disiplinuar, se nuk do të mund të organizohem siç bëj normalisht. Kështu që prej fillimit ia vendosa vetes një rregull që në mëngjes të përgatitem sikur kur shkoja në punë, që të vishem, që kurrë të mos jem në rroba të shtëpisë, posaçërisht jo në pizhame. Që gjithmonë të përgatitem, të ulem të punoj, kjo është si një lloj shenje që kam shkuar në punë. Dhe kjo më ka ndihmuar mjaft”, ka thënë Adna Bashiq, psikologe.

Në kohën e distancimit social, modeli i punës prej shtëpisë tashmë është normë e re. Shumica e punëtorëve megjithatë dëshirojnë që kjo të mos shndërrohet në një të ardhme të punës e as private.