OpEd

Shtyllat e shtetit: Pakoja ligjore e reformës së administratës publike

Pakoja ligjore e reformës së administratës publike duhet të përkrahet, sepse është hap vendimtar drejt së ardhmes sonë dhe kërkesë e qytetarëve që të kenë administratën shtetërore që është në shërbim të tyre dhe që funksionon në mënyrë demokratike.

Ministria e Administratës Publike pas një pune të gjatë dhe me shumë sfida ka filluar fazën e konsultimit publik për pakon e ligjeve të reformës së administratës publike, përkatësisht Projektligjin për Administratën Shtetërore, Projektligjin për Zyrtarët Publikë, si dhe Projektligjin për Pagat. Këto tri projektligje janë shtyllat e shtetit dhe boshti i ndryshimeve në procesin e reformave në administratën publike. Reforma e Administratës Publike ka për qëllim të krijojë kushte që administrata të jetë e orientuar nga plotësimi i kërkesave dhe nevojave specifike të qytetarëve dhe bizneseve që të punojë në interes të tyre. Nga suksesi dhe rezultatet e reformës së administratës publike varen edhe zhvillimi dhe zbatimi i politikave qeveritare. Zhvillimi i administratës publike dhe kapaciteti administrativ i saj janë mjetet kryesore nga e cila varet aftësia e shtetit për t’u marrë me reformat dhe kriteret e kërkuara nga procesi i integrimit evropian të vendit.

Ngritja profesionale e administratës publike dhe avancimi i kapaciteteve njerëzore në shërbimin civil do t’i mundësojë vendit të zbatojë obligimet që rezultojnë nga Programi i Punës i Qeverisë, Planit Kombëtar për Zbatimin e MSA-së, Agjenda e Reformave Evropiane dhe Strategjia Kombëtare për Zhvillim, nga njëra anë, ndërsa, nga ana tjetër, do të përgatisë administratën publike të Republikës së Kosovës që të jetë pjesë e familjes së administratës evropiane.

Duke pasur parasysh se Projektligji për administratën shtetërore, Projektligji për zyrtarët publikë, si dhe Projektligji për pagat janë boshti i reformave në administratën publike është vendosur një kornizë legjislative e mirëfilltë për funksionimin e shtetit. Përmes këtyre tri projektligjeve ne do të adresojmë problemet aktuale në sistemin e pagave, rregullimin e brendshëm të institucioneve publike, rregullimin dhe kontrollimin e zgjerimit të administratës shtetërore, si dhe rekrutimin dhe performancën e të punësuarve në sektorin publik. Pakoja ligjore instalon meritokraci dhe etikë në administratën publike dhe kështu ndërton besimin e publikut në qeverisje dhe ofrimin e shërbimeve.

Mst: Administrata Shtetërore

Ligji aktual që kemi për Administratën Shtetërore është i mangët dhe i paqartë në përcaktimin e themelimit, organizimin e brendshëm, llogaridhënien, qeverisjen, bashkëpunimin, delegimin, mbikëqyrjen dhe organizimin regjional të organeve të administratës publike dhe përcaktimin e tipologjive të administratës publike. Kemi po ashtu mungesë të rregullave për organet që ofrojnë shërbime publike të drejtpërdrejta për qytetarët, siç janë shëndetësia, arsimi, kultura, etj. Korniza rregullative për organet vartëse nënministri (organet qendrore dhe të pavarura) është e pamjaftueshme dhe kontradiktore e që në praktikë ka paraqitur vështirësi në zbatim. Agjencitë e pavarura, të themeluara sipas nenit 142 të Kushtetutës, që i raportojnë Kuvendit të Republikës së Kosovës, themelohen pa kritere të qarta, ndërsa funksionimi i tyre - llogaridhënia, raportimi dhe mbikëqyrja – mbeten të pastandardizuara.

Cilat janë pasojat e kësaj situate? Pasoja më e prekshme e situatës aktuale është numri shumë i madh i agjencive në kuadër të Ekzekutivit dhe të Kuvendit. Kemi mungesë të llogaridhënies brenda sistemit ministror. Kemi një situatë ku organet që janë nënministri kanë vetëpërcaktuar statusin e tyre dhe të nëpunësve të tyre dhe në shumicën e rasteve kanë marrë funksionet e vetëministrisë. Në shumicën e rasteve agjencitë e pavarura nën Kuvend kanë funksione ekzekutive që bien ndesh me parimin e ndarjes së pushteteve, siç është përcaktuar me nenin 4 të Kushtetutës. Kjo situatë ka shkaktuar ngarkesë për buxhetin e shtetit.

Projektligji i ri që kemi përgatitur për Administratën Shtetërore cakton rregulla të qarta për gjithë sistemin ministror dhe siguron organizim të përshtatshëm duke vendosur kriteret për themelim, menaxhim dhe vija të qarta të llogaridhënies për agjencitë ekzekutive. Vendos rregulla që përcaktojnë funksionet për të cilat mund apo nuk mund të krijohen agjencitë e pavarura. Cakton rregulla të organizimit të brendshëm për të gjitha organet e administratës shtetërore në përcaktimin e: strukturave të brendshme, nivelet, organogramin, raporti i strukturave të brendshme me sekretarin e përgjithshëm dhe ministrin/kryeministrin. Projektligji po ashtu obligon Qeverinë e Kosovës që brenda tre (3) vjetëve të bëjë një rishikim funksional të të gjitha organeve qendrore dhe të pavarura me opsione të qarta për racionalizimin e tyre.

Mst: Projektligji për Zyrtarët Publikë

Në gjendjen aktuale legjislacioni në fuqi ka fushëveprim shumë të ngushtë duke lejuar rregullim të veçantë të marrëdhënies së punës në shërbimin civil. Aktualisht delegimi i rregullimit të marrëdhënies së punës për kategoritë e nëpunësve të sektorit publik që janë jashtë shërbimit civil e që janë afër 60 mijë persona, përmes Ligjit të Punës është i pamjaftueshëm. Në situatën aktuale rekrutimi në sektorin publik bëhet sipas pozitës, kjo i ka rritur shpenzimet e menaxhimit dhe kohëzgjatjen e plotësimit të një vendi pune, si dhe ka rritur mundësitë e ndikimit mbi baza politike, familjare dhe personale. Sistemi i tanishëm u mundëson nëpunësve t’i nënshtrohen vlerësimit të rezultateve në punë vetëm formalisht dhe mbetet shumë subjektiv.

Kjo situatë ka krijuar disa pasoja, duke filluar nga përjashtimi i kategorive tipike të shërbimit civil përmes ligjeve të veçanta, që ka bërë minimizimin e zbatimit të ligjit të shërbimit civil. Pra, është krijuar sistem heterogjen i marrëdhënies së shërbimit civil, e cila nuk siguron barazi e as siguri juridike. Shumica dërrmuese e nëpunësve jashtë shërbimit civil marrëdhënien e punës e rregullojnë sipas ligjit të punës, i cili nuk rregullon shumë aspekte të saj (rekrutimin, lëvizshmërinë, procedurat disiplinore etj.) Problemet me situatën aktuale kanë ulur besimin e qytetarëve në objektivitetin e procedurës së rekrutimit në shërbimin civil, në veçanti, edhe në administratën publike në përgjithësi. Ashtu siç është shënuar edhe në raportin e monitorimit të OECD/SIGMA për Kosovën për vitin 2017, punësimet, ashtu edhe shkarkimet, e nëpunësve të kategorisë së nivelit të lartë drejtues në shërbimin civil vazhdojnë të jenë të ndikuara politikisht.

Projektligji për Zyrtarët Publikë adreson këto probleme duke zgjeruar fushëveprimin dhe rregullon marrëdhënien e punës për të gjithë zyrtarët publikë, me përjashtim të pozitave dhe funksioneve me status të veçantë publik. Projektligji vendos një sistem të rekrutimit të bazuar në procedurë rekrutimi me meritë dhe në një menaxhim profesional të procedurave të rekrutimit që i sigurojnë rezultatet më të mira. Sistemi i bazuar në meritë dhe shkurtimi i periudhës për plotësimin e pozitave të lira të punës përmes rekrutimeve në grup do të shërbejnë për rekrutimin hyrës për nivelin profesional në institucionet e Ekzekutivit. Institucioneve jashtë Ekzekutivit do t’iu lihet në diskrecion që vetë të bëjnë rekrutimet përveç nëse ata kërkojnë nga Qeveria që të kryejë rekrutimet në llogari të tyre. Projektligji parashikon krijimin e një njësie qendrore përgjegjëse për zhvillimin e rekrutimit në grup, si dhe komisione përzgjedhëse permanente. Projektligji rregullon edhe rolin të Ministrisë së Administratës Publike (MAP) dhe njësive të burimeve njerëzore (në secilin institucion) për një menaxhim më efikas të burimeve njerëzore. Po ashtu do të ketë risi në planifikim dhe menaxhim modern të burimeve njerëzore duke shfrytëzuar zgjidhjet që ofron teknologjia informative.

Mst: Projektligji për Pagat

Ka gjithsej afër 80 mijë nëpunës publikë që paguhen nga buxheti i Kosovës, mirëpo nuk ka ligj që rregullon pagat dhe përbërësit e saj në mënyrë homogjene për të gjithë sektorin publik dhe nuk është e definuar kompetenca në përcaktimin e pagës. Ligji për pagat e nëpunësve civilë, i cili ka hyrë në fuqi në vitin 2010, vlen vetëm për afro 18 mijë nëpunës civilë dhe i cili gjithashtu nuk është zbatuar nga aspekti i përcaktimit të pagës bazë, ndërsa pjesa e tjetër e nëpunësve publikë paguhen sipas kritereve të përcaktuara nga një numër i madh i akteve nënligjore dhe vendimeve të Qeverisë, afro 58 të tilla. Krahas kësaj situate, jo e rregulluar është edhe mënyra e shpërndarjes së shtesave ndaj pagës bazë, ku ka mungesë të rregullave, kritereve, si dhe kufizimeve gjithëpërfshirëse për shpërndarjen e tyre për të plotësuar pagën bazë.

Pra si pasojë e kësaj gjendjeje kemi një sistem të pagave në sektorin publik që është i fragmentuar dhe joefektiv. Kemi situata ku pozitat e njëjta paguhen ndryshe prej një institucioni në tjetrin, që ka shkaktuar pabarazi të mëdha rreth shpërndarjes së pagave dhe shpërblimeve në sektorin publik. Me fjalë të tjera, kemi sistem jokoherent dhe jotransparent të pagave më shumë bazuar në raste ad-hoc dhe sipas preferencave të politikes ditore, dhe jo në bazë të një kornize të mirëfilltë ligjore, që përkon me nivelin e vështirësisë, kompleksitetit dhe përgjegjësisë së pozitave dhe funksioneve dhe rrjedhimisht akordon shpërblimin e merituar. Rreth 60 milionë euro në vit ndahen nga buxheti i Kosovës për shtesa në pagën bazë, mirëpo kjo bëhet pa vlerësim paraprak dhe të standardizuar. Mungesa e nivelimit në sistemin e pagave ndikon edhe në punësimin e personelit joprofesional që si rrjedhojë ul motivimin dhe efektivitetin e performancës së sektorit publik dhe cilësinë e shërbimeve të ofruara.

Projektligji për Pagat krijon një sistem homogjen të pagave për të gjithë të punësuarit në sektorin publik duke përcaktuar rregulla për përcaktimin e pagës dhe përbërësve të saj, si dhe kompetencën në përcaktimin e tyre. Projektligji vendos transparencë dhe sistem të bazuar në meritë për pagë. Projektligji vendos edhe disa rregulla minimale për pagat e nëpunësve në ndërmarrjet publike. Rregullat e reja në fushën e pagave synojnë krijimin e një sistemi transparent dhe të barabartë të pagave duke jetësuar parimin pagë e njëjtë për punën e njëjtë. Po ashtu projektligji përcakton përfituesit, kriteret dhe llojet e shtesave, por edhe kufizimet në lartësinë e tyre duke u referuar në pagën bazë, si dhe cakton një periudhë transicioni gradual si në aspektin e ruajtjes së pagave ashtu edhe në zbatimin e ligjit të ri të pagave.

Ministria e Administratës Publike ka publikuar në uebfaqen për konsultime publike draftet aktuale të projektligjeve dhe gjatë periudhës dyjavore do të organizojmë shumë takime të drejtpërdrejta në të gjitha regjionet për të njoftuar dhe konsultuar qytetarët, institucionet, shoqërinë civile dhe të gjitha palët e interesuara me projektligjet në fjalë.

Modernizimi i administratës publike, reformimi, transformimi dhe avancimi i saj, sipas Johannes Hahn, komiari i BE-së për Politikat e Fqinjësisë Evropiane dhe Negociatat e Zgjerimit, është rruga “ e cila duhet të çojë në përmirësimin e transparencës, llogaridhënies dhe efektivitetit, dhe të sigurojë një fokus më të madh në nevojat e qytetarëve dhe bizneseve. Një shërbim civil i menaxhuar në mënyrë adekuate dhe profesionale, me planifikim dhe koordinim të mirë të politikave, me procedura të shëndosha administrative dhe menaxhim më të mirë të financave publike, kanë rëndësi thelbësore për funksionimin e shtetit dhe për zbatimin e reformave që nevojiten për anëtarësim në BE”. Ky është edhe interesi më i lartë shtetëror dhe shoqëror yni, prandaj duhet të përkrahet pakoja ligjore e reformës së administratës publike, sepse është hap vendimtar drejt së ardhmes sonë dhe kërkesë e qytetarëve që të kenë administratën shtetërore që është në shërbim të tyre dhe funksionon në mënyrë demokratike.

(Autori është ministër i Administratës Publike. Ky vështrim është dërguar për botim ekskluziv në “Kohën Ditore”)