OpEd

In memoriam për dy legjenda të mëdha futbolli: Fadil Vokrri dhe Tomsilav Zhidak

Zhidak nuk ka qenë futbollist, por gazetar. Ai në karrierën e tij ka intervistuar legjenda si Johan Krojf, Sir Alex Fergusonin, Michael Platinin...me qindra lojtarë me famë botërore. Por për Fadil Vokrrin ka pasur një pasion të pakrahasueshëm: “Vokrri kur vërsulej me top drejt zonës së penalltisë ka pasur lëvizje që janë në kundërshtim me ligjet e fizikës. Për të ligjet e gravitacionit nuk vlenin. Nuk kishin mbrojtësit zgjidhje tjetër për t’ia ndalur topin pos faulimit!”, thoshte Zhidak për Vokrrin. Ai ka pasur shumë takime me Fadil Vokrrin. Më thoshte se si kur bisedonte me të kishte përzierje të kujtimeve nga koha kur ishte lojtar, dhe përshtypjen që Fadili i linte si njëri modest dhe miqësor. Dhe mbi të gjitha e fascinonte urtësia me të cilën Vokrri zhvillonte betejën, që Zhidak e quante “më të vështirë në karrierë”, atë për ta futur Kosovën në hartën evropiane dhe botërore të futbollit

Para disa ditësh me disa kolegë nga “Jutarnji Listi” i Kroacisë kujtonim ish-kolegun Tomislav Zhidak, i cili para pak më shumë se një viti kishte ndërruar jetë. Atë e kujtojmë sa herë që afrohet ndonjë ngjarje e madhe futbolli. Ka qenë pa dyshim një prej legjendave më të mëdha të gazetarisë sportive.

Disi nuk na duket as botërori në futboll njësoj pa Zhidakun. Zhidak ka qenë një njohës i shkëlqyeshëm i futbollit, një mjeshtër i jashtëzakonshëm i shkrimit dhe një tifoz i flakët e Dinamos së Zagrebit. Kolumnen e tij në faqen e fundit të shtojcës javore të shtunën në “Jutarnji List” e lexonin edhe ata që nuk e dinë as sa lojtarë janë në fushë në futboll e edhe tifozët e flaktë të Hajdukut të Splitit. Çfarë tifozi i Dinamos ishte dëshmojnë edhe faktet se ai kur Dinamo humbiste ndonjë lojë të rëndësishme, pasi me korrektësi shkruante tekstet, fillonte të qante me lot. Dhe në takimin e fundit që pata me të, disa muaj para vdekjes së tij, një pranë kolegëve të tjerë më tha: “Palokaj. Un kurrë në jetë nuk do ta përballoj dhimbjen që përjetova kur Fadil Vokrri nuk erdhi në Dinamo, por zgjodhi Partizanin”. Zhidak në karrierën e tij ka intervistuar legjenda si Johan Krojf, Sir Alex Fergusonin, Michael Platinin. Me qindra lojtarë me famë botërore. Por për Fadil Vokrrin ka pasur një pasion të pakrahasueshëm: “Vokrri kur vërsulej me top drejt zonës së penalltisë ka pasur lëvizje që janë në kundërshtim me ligjet e fizikës. Për të ligjet e gravitacionit nuk vlenin. Nuk kishin mbrojtësit zgjidhje tjetër për t’ia ndalur topin pos faulimit!”, thoshte Zhidak për Vokrrin. Ai ka pasur shumë takime me Fadil Vokrrin.

Më thoshte se si kur bisedonte me të kishte përzierje të kujtimeve nga koha kur ishte lojtar dhe përshtypjen që Fadili i linte si njëri modest dhe miqësor. Dhe mbi të gjitha e fascinonte urtësia me të cilën Vokrri zhvillonte betejën që Zhidak e quante “më të vështirë në karrierë”, atë për ta futur Kosovën në hartën evropiane dhe botërore të futbollit.

Për Fadil Vokrrin do të shkruhen shumë e shumë rreshta. Do ta kujtojnë si mik, si lojtar, por edhe për kontributin e tij për njohjen e futbollit të Kosovës në arenën ndërkombëtare. Ai pati meritat më të mëdha dhe më së paku bënte përpjekje që t’i njiheshin ato merita. E kam parë se si bisedonte edhe me politikanë të huaj. Nuk kërkonte ndihmë nga politika, por vetëm që shkaqet politike të mos e pengonin pavarësinë e futbollit kosovar dhe njohjen ndërkombëtare. Në këtë linjë ne, që me mundësitë modeste donim të ndihmonim në këtë drejtim, u thoshim zyrtarëve në Bruksel që të kenë kuptim dhe të ndihmojnë, sepse nuk ka ndodhur ajo që thonë në Serbi se “Kosova për shkaqe politike është bërë anëtare e FIFA-s dhe EUFA-s”, por e vërteta ka qenë se Kosova pikërisht për arsye politike ishte mbajtur aq gjatë jashtë atyre organizatave. Këtë e dinte mirë Vokrri.

Prandaj në këtë kolumnë nuk do të shkruaj vetë për Fadil Vokrrin. Në kujtim të tij dhe kolegut të ndjerë Tomislav Zhidak do ta ribotoj pjesërisht tekstin që në “Jutarnji List” e kishte shkruar Tomislav Zhidak pas bisedës me Fadil Vokrrin në “Jutarnji List” më 8 maj të vitit 2016:

Tash e tetë vjet Fadil Vokrri, legjenda më e madhe e futbollit kosovar, po e luan lojën më të vështirë të karrierës së tij. Para pesë ditësh Kosova në Kongresin në Budapest më në fund u pranua si anëtare e 55-të e barabartë e EUFA-s. Por që të martën Vokrri fluturon për në Meksiko City, ku do të bëjë përpjekje që …

Hasa në Vokrrin në Lubjanë ku ishte mysafir në hapjen e kampit kombëtar të futbollit në Brdo afër Kranjit, ku ai u takua edhe me njohësit e vjetër Zvonimir Boban dhe Davor Shuker. Ishte një takim i përzemërt, sepse zyrtarët e Federatës Kroate të futbollit gjithmonë shumë hapur e kanë mbështetur pavarësinë futbollistike të Kosovës.

Vokrri: “Kemi pritur shumë gjatë dhe kemi luftuar shumë për pavarësinë futbollistike. Loja është kah fundi dhe vetëm duhet të na njohë edhe FIFA, që më në fund të marrim frymë pak dhe ta jetojmë futbollin pa strese”, na thotë Vokrri, ish- futbollist i Prishtinës dhe Partizanit.

Më kujtohet dita kur për shkak të tij shkoja në Prishtinë. Ishte në shënjestër të Dinamos. Megjithatë, ai vendosi për Partizanin, i cili në atë kohë ishte skuadër më tërheqëse. Më kujtohet edhe intervista me të buzë Liqenit të Batllavës afër Prishtinës. Më kujtohet edhe show i atëhershëm i Qiro Blazheviqit në Hotel Grand.

Pas Kongresit në Budapest serbët janë ngritur në këmbë. Lamentojnë se kinse është shkelur statusi i EUFA-s, sipas të cilit vetëm anëtarët e OKB-së mund të jenë anëtarë në këtë federatë e jo ato që nuk janë të pranuar nga OKB-ja. Federata e Serbisë e ka parë se është duke humbur edhe një luftë. A ka pritur Vokrri një reagim të tillë aq të ashpër nga Beogradi?

Vokrri: „Kamë paramenduar se do të kundërshtojnë dhe lobojnë kundër pranimit tonë në UEFA, por nuk kamë pritur reagime aq të ashpra. Por ata më së miri e dinë se pse me aq mllef e kanë pritur fitoren e vizionit tonë. Sporti, e në veçanti futbolli, janë shumë të rëndësishëm për secilin popull. Prandaj është edhe e kuptueshme se pse ky vendim për pranim në UEFA ka shkaktuar aq shumë eufori në Kosovë dhe pse kjo e ka çartur Beogradin”.

A do të ftohen serbët me pasaportë të Kosovës në reprezentacion?

Vokrri: “Nëse do ta meritojnë të gjithë qytetarët e Kosovës do të ftohen, pa marrë parasysh përkatësinë etnike. Në këtë kuptim asnjë diskriminim i çfarëdo lloji nuk do të ketë shans”, thotë kategorikisht presidenti i Federatës kosovare të Futbollit.

Serbët dhe rusët haptas kanë kundërshtuar pranimin futbollistik të Kosovës, apo siç e quajnë serbët “Republika e vetëshpallur e Kosovës”. Për ta Kosova është oazë e separatizmit dhe e vlerësojnë si evropiane të rendit të dytë. Por nëse me shërben mirë mendja, ashtu ata kishin luftuar edhe kur Kroacia, pas largimit nga Jugosllavia, donte të luante ndeshjen e parë ndërkombëtare..

A kanë votuar në favor të Kosovës të gjitha federatat nga ish- Jugosllavia, me përjashtim të Serbisë?

Vokrri: “Votimi ka qenë i fshehtë, por ma merr mendja se kanë votuar. Faleminderit të gjithë atyre që ishin për ne, faleminderit edhe atyre që ishin kundër nesh, kjo tashmë nuk është e rëndësishme, vizioni ynë u bë i prekshëm, i vërtetë dhe fitoj, kështu që ne jemi brenda”.

Nëse Gjibraltari, një “grumbull gurësh” nën protektoratin britanik mund të jetë anëtar, pse jo edhe Kosova, e cila është në zemër të Evropës, e rrethuar me fqinjë grabitqarë. Serbia e konsideron si “zemër të serbizmit”, Shqipëria si provincë të saj, ndërsa Maqedonia ia ka frikën. E ai popull i Kosovës ka të drejtë të shprehet edhe në futboll, ata janë evropian dhe si të tillë kanë të drejtë të plotë në pavarësi.

Kërcënimet e presidentit të Federatës serbe, Tomislav Karagjiq, se më njohjen e Kosovës do të hapet “kutia e Pandorës” janë qesharake dhe janë vrtëm alibi të një presidenti të paaftë. Në atë kuptim Fadil Vokrri në mënyrë diskrete e ka bërë shumicën e punës së tij, pa zhurmë mediale. As tash, kur po vlon java e fundit e një misioni të madh të Kosovës, nuk do konflikte. Fjala e tij “faleminderit të gjithëve që ishin për ne, por edhe atyre që votuan kundër nesh” është pasqyrë e një njeriut të zgjuar, i cili dëshiron të mbyllë frontet dhe t’i përkushtohet futbollit të pastër. Pas Meksiko Cityt tani shkon në Lens për të parë se si luajnë për të “tanët kundër të tanëve” (Shqipëria-Zvicra)

Vokrri: “Puna jonë e ardhshme që duhet kryer është kjo. Por pasi Evropa na ka pranuar dhe ka treguar simpati të mëdha për vuajtjet tona, gjithçka është më e thjeshtë. Izolimi i padurueshëm në të cilin kemi jetuar që nga shpërbërja e ish- Jugosllavisë ishte pengesa më e madhe. Tash edhe kësaj i ka ardhur fundi”.