OpEd

Otomanët në Cannes dhe Venecia

Ligji kosovar i Parkinsonit: punët e Qeverisë zgjerohen për aq sa ka nevojë të punësohen pjesëtarët e feudit.

1.

Pashë që Agron Demi, drejtor i Institutit GAP dhe njëri prej zbërthyesve më të mirë të realitetit socio-ekonomik të Kosovës, ishte bërë nervoz me veprimin e fundit të Qeverisë, emërimin e koordinatorëve.

“Pasi u tejngop administrata shtetërore me ministra, zëvendësministra, agjenci... tash Qeveria Haradinaj e ka nisur një rend të ri të pozitave të larta shtetërore: atë të KOORDINATORËVE.

Koordinatorë që emërohen në pozita që do të duhej të mbuloheshin nga ministrat ose nga zëvendësministrat.

Pas emërimit të koordinatorit për Çështjet e Rinisë dhe koordinatorit Nacional për Administratë Shtetërore, sot qenkan emëruar edhe koordinatori për Ndryshime Klimatike dhe koordinatori për Kulturë, Rini dhe Sport. Tash kjo nuk ndalet derisa të emërohet nga një koordinator për secilën fushë.

“Koxha injorant duhet me qenë e mos me u ba nervoz me këtë kërdi që është ka bahet në taksat tona”.

Hapi i ardhshëm logjik, të cilin duhet ta ndërmarrë Qeveria dhe me të cilin do të bëhet edhe më tepër nervoz Agron Demi është se duhet të emërohen koordinatori për koordinimin e koordinatorëve, dhe, meqë një njeri nuk mund ta bëjë atë, atij i duhen së paku dy zëvendëskoordinatorë, dhe, meqë këta tre zyrtarë të lartë nuk mund ta bëjnë, duhet të vendoset Zyra e Koordinimit të koordinatorëve në nivel kombëtar.

Pas këtij hapi të ardhshëm logjik, ai i ardhshmi logjik është që koordinimi, si aktivitet i rëndësishëm shtetëror, të zbresë në nivel të pushtetit vendor, pra të kemi koordinator komunal të kulturës (që do të koordinojë aktivitetin kulturor në bashkësi lokale) e kështu me radhë.

2.

Ekziston logjika për këto veprime dhe ajo kaherë është gjetur në nevojën, natyrisht dhe aftësinë, e burokracisë që ta riprodhojë dhe ta rrisë veten. Ekziston tërë një fushë serioze e hulumtimit të riprodhimit të burokracisë dhe ekziston po ashtu një formulim, me ftohtësinë e humorit britanik që tërë këtë e shpjegon me një fjali: “puna zgjerohet për aq sa ta mbushë kohën e dhënë për ta kryer”. Nëse një punë mund të kryhet për një orë, por afati për ta kryer atë punë është një ditë, atëherë puna do të zgjerohet për aq sa ta përmbushë ditën e dhënë si afat.

Ky quhet ligji i Parkinsonit, sipas C.N. Parkinsonit që e shkroi këtë si fjalinë e parë në esenë humoristik të botuar në “The Economist” më 1955.

Ky ligj tashmë ka formatin e vet kosovar: “Puna e Qeverisë zgjerohet për aq sa ka njerëz të vet për të punësuar si anëtarë qeverie”. Do të thotë, nëse puna e Qeverisë, për shembull, është të ndihmojë kulturën dhe për ta bërë këtë nevojitet një buxhet dhe tre njerëz të punësuar, atëherë puna e Qeverisë për të ndihmuar kulturën do të zgjerohet për aq sa këtë gjë ta bëjnë 103 të punësuar. Dhe buxheti i kulturës është aty për të mbuluar nevojat e qeverisë për zgjerim.

Mjafton të shihen skenat e përsëritura të festivaleve ndërkombëtare të artit, Berlinale, Cannes e Venecia. Pjesë ndihmëse e kulturës do të jetë prania e zyrtarëve shtetërorë, disa prej të cilëve kulturës nuk i kanë rënë pranë as në formulimin “kaloi afër shtëpisë së kulturës”.

3.

Problemi është pak më i ndërlikuar se kaq.

Ky ligj vlen për shtetet evropiane. Ligji i Parkinsonit u lind në kohën e rënies së Perandorisë britanike, kur po ashtu me humor u konstatua fenomeni paralel i zvogëlimit të Perandorisë britanike dhe rritjes së burokracisë për ta administruar atë. Një drejtues i një perandorie tjetër, Mihail Gorbaçov, përmendi se Ligji i Parkinsonit është bukur i çmuar në Bashkimin Sovjetik. Nuk do mend, sundimi i këtij ligji do t’i ketë ndihmuar rënies së asaj perandorie.

Por, Kosova është e veçantë meqë është një shtet paraevropian. Nuk është paraevropian pse nuk është pjesë e Bashkimit Evropian; të këtillë nuk janë, për shembull, Republika e Maqedonisë apo Mali i Zi, por ato janë shtete evropiane. Kosova është paraevropiane, sepse ende nuk ka mbërritur të ketë funksionet e shtetit social, që është determinues thelbësor i shtetit evropian të shekullit XX. Pra, nuk të kualifikon si evropian të qenit në BE, të kualifikon nëse ke apo jo sigurim social, sigurim shëndetësor e pensional, sistem arsimor që prodhon fëmijë që dinë të kuptojnë ato që lexojnë.

Këtu Kosova ka dështuar plotësisht. Për 20 vjet pas çlirimit Kosova nuk ka arritur të bëjë asnjë të arritur fondamentale në shtetësi evropiane, por ka gjashtëfishuar numrin e zëvendësministrave. Identifikimi i shtetit, rrjedhimisht, nuk është me sigurinë që e jep shteti, por me sigurinë që ua jep shteti pjesëtarëve të feudit qeverisës, diçka që otomançe u shpërnda në të gjitha gjuhët e të sunduarve si bashibozukë.

Kosova, pra, është shtet paraevropian i cili gjendet ende nën primesat otomane.

Kështu është vështirë të aplikohet madje një ligj si i Parkinsonit.

4.

Ndoshta kështu është më lehtë e kuptueshme kultura e qeverisjes në Kosovë. Ajo mund të jetë thellë e ingranuar në besimin otoman se shteti është një thes i pafund të mirash për pushtetarin dhe feudin e tij. Dhe ky besim mund të dalë në sipërfaqe edhe më dramatike kur rajaja, (plebsi otoman) do të kopjojë zotërinë otoman, dhe si në rastin tonë, mendon se zotëri otoman bëhesh automatikisht nëse shkon në Venecia e Cannes dhe Berlinale, apo sikur një çetë e organizuar cubërie zë hotelet e Sofjes me çdokënd që vlerëson se duhet të identifikohet si zotëri i ri otoman në Samitin Evropian dedikuar Ballkanit.

Për këtë nuk nevojitet analiza socio-ekonomike. Nevojiten kujtimet e Eqrem Bej Vlorës në pjesët pas shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë. Aty raja e porsaliruar do të synojë të bëhet brenda ditësh sunduesi i ri i të gjitha feudeve të rishpërndara të një shteti që ende e ka të vështirë të bëhet.

© KOHA Ditore