OpEd

Diskutimet për buxhetin shumëvjeçar kërcënojnë unitetin e BE-së

Deri në pranverën e vitit që vjen, BE-ja duhet të bjerë dakord për kornizën shumëvjeçare financiare pas vitit 2020. Por kjo nuk do të jetë e lehtë, sepse vendet që janë kontribuuese të mëdha në buxhet nuk duan të pranojnë një buxhet më të madh për një BE më të vogël pas daljes së Britanisë. Më shumë sesa shuma e parave që do të paguajnë në buxhet, apo do të përfitojnë nga ai vendet anëtare, sfidë do të jetë mundësia e sanksionimit të atyre shteteve, të cilat nuk i respektojnë parimet e sundimit të ligjit. Prandaj diskutimet mund të thellojnë edhe më shumë ndasitë brenda Bashkimit Evropian

Situata në Iran, sfidat në Ballkanin Perëndimor, Zgjerimi, heqja e vizave për kosovarët, janë tema për të cilat nuk mund të thuhet se nuk ka interes në Bruksel. Por ato janë krejtësisht në rend të dytë apo të tretë.

BE-ja edhe ashtu nuk ka pasur shumë ambicie të jetë ndonjë lojtar i rëndësishëm në politikën e jashtme, nuk ka shumë interes sot për të bërë diçka konkrete në procesin e zgjerimit, ndërsa kur dhe si do t’i hiqen vizat Kosovës është një çështje me të cilën merret një numër shumë i vogël njerëzish në Bruksel, të cilët këtë e kanë pjesë të obligimeve të përshkruara në vendin e tyre të punës. Janë vetëm dy tema të cilat sot e preokupojnë vërtet Bashkimin Evropian, dhe që të dyja kanë afat një vit për t’u përmbyllur dhe janë në një mënyrë edhe të ndërlidhura.

Negociatat për Brexit dhe ato për dakordimin e Kornizës shumëvjeçare financiare të BE-së për periudhën 2021-2027 janë pa dyshim temat më të rëndësishme, më të rëndat dhe më urgjente me të cilat përballet Bashkimi Evropian. Për dalim nga këto tema, ato si samiti i Sofjes për Ballkanin duken sikur shkuarje në pushim.

Edhe negociatat për daljen e Britanisë së madhe nga BE-ja, edhe ato për linjën buxhetore shumëvjeçare do të duhej të përmbylleshin si procese deri në pranverën e vitit 2019, pasi në atë kohë zhvillohen zgjedhjet për Parlamentin Evropian e pas tyre vjen procesi i zgjedhjes së udhëheqësve të rinj të institucioneve të BE-së.

Negociatat me Londrën janë përshpejtuar, por nuk do të jetë lehtë që gjithçka të mbarojë për një vit. Sido që të jetë, nga fundi i muajit mars të vitit 2019 Mbretëria e Bashkuar nuk do të ketë më vend si anëtar i Bashkimit Evropian dhe BE-ja do të ketë 27 shtete anëtare. Largimi i Britanisë do të krijojë një vrimë prej afër 14 miliardë eurosh në vit, sa është kontributi i saj në buxhetin e përbashkët të BE-së. Deri me tash ka pasur paralajmërime që ky boshllëk të mbulohet pjesërisht me rritjen e kontributeve të shteteve të tjera anëtare e pjesërisht duke zvogëluar buxhetin. Por Komisioni Evropian ka propozuar që buxheti të jetë edhe më i madh se deri me tash dhe ndaj kësaj kanë reaguar me zemërim shtetet më të zhvilluara anëtare.

Në anën tjetër, Parlamenti Evropian ka kërkuar buxhet edhe më të madh, sepse BE-ja duhet të gjejë mjete financiare për politikat e reja dhe për sfidat me të cilat duhet të përballet. Problemi është se kur kërkohen më shumë shpenzime në fusha të reja prioritare askush nuk është i gatshëm të heqë dorë nga mjetet që ishin të dedikuara për prioritetet e vjetra. Prandaj, sfidë e madhe është edhe zvogëlimi i paralajmëruar i përqindjes që do të shkojë për politikën e kohezionit dhe atë të bujqësisë. Në këto dy dikastere deri tash ka shkuar 70 për qind e buxhetit të BE-së, ndërsa tash Komisioni ka propozuar që të ketë shkurtime 4 për qind për Bujqësi dhe 7 për qind për kohezion. Por pasi buxheti do të jetë më i madh, ndërsa BE-ja më e vogël, atëherë në euro shkurtimet do të jenë më pak të dukshme sesa që janë në përqindje.

Tash deri në pranverën e vitit që vjen, BE-ja duhet të bjerë dakord për kornizën shumëvjeçare financiare pas vitit 2020. Por kjo nuk do të jetë e lehtë, sepse vendet që janë kontribuuese të mëdha në buxhet nuk duan të pranojnë një buxhet më të madh për një BE më të vogël pas daljes së Britanisë. Këto janë Holanda, Danimarka, Gjermania, Austria dhe disa të tjera që duan një ndarje më të drejtë të barrës financiare në mënyrë që të ruhet edhe parimi i solidaritetit në BE.

Më shumë sesa shuma e parave që do të paguajnë në buxhet, apo do të përfitojnë nga ai vendet anëtare, sfidë do të jetë mundësia e sanksionimit të atyre shteteve të cilat nuk respektojnë parimet e sundimit të ligjit. Prandaj diskutimet mund të thellojnë edhe më shumë ndasitë brenda Bashkimit Evropian. Nuk është sekret se një propozim i tillë ka ardhur për shkak të sjelljes së Polonisë dhe Hungarisë, dy vendeve që janë pa dyshim përfitueset deri me tash më të mëdha të mjeteve nga politika e kohezionit, por në anën tjetër, sipas vlerësimeve të Komisionit Evropian, në të dyja këto shtete ka ardhur deri tek degradimi i sundimit të ligjit dhe parimeve demokratike mbi të cilat është ndërtuar Bashkimi Evropian.

Madje disa kanë parashtruar edhe dyshimin se këto dy shtete do të mundë të bëheshin anëtare të BE-së sot sikur të mos ishin bërë në vitin 2004. Këto dy shtete, për shembull, nuk duan të pranojnë refugjatët sipas kuotave që ka caktuar BE-ja. Prandaj vendet perëndimore anëtare duan të dërgojnë porosinë se solidariteti nuk është rrugë e njëanshme dhe se ai duhet të dëshmohet edhe kur ndahet barra e migracionit dhe zgjidhjes së problemeve të tjera e jo vetëm kur shfrytëzohen asetet e politikës së kohezionit. Prandaj edhe është propozuar që si kriter i kualifikimit për mjetet e kohezionit, që janë edhe fondet më të mëdha për shtetet anëtare, pos nivelit të zhvillimit sipas Bruto Prodhimit të Brendshëm (duhet të jenë nën 75 për qind e mesatares së BE-së në rajonin statistikor) të vlejnë në të ardhmen edhe kriteret e tjera si papunësia, kujdesi për refugjatët, situata sociale, niveli i shkollimit, standardi i jetës dhe mjedisi. Nga këto ndryshime vlerësohet se do të përfitonin vendet si Italia, Greqia, Portugalia, Malta dhe Spanja e më pak Sllovakia, Polonia dhe Hungaria.

Edhe mundësia që të sanksionohen ato shtete të cilat nuk respektojnë parimet themelore të BE-së, është temë e cila mund të përçajë Këshillin kur të diskutojnë vendet anëtare. BE-ja ka të drejtë kur thotë se paratë e taksapaguesve nuk mund të shkojnë për ata që shkelin parimet mbi të cilat është ndërtuar BE-ja. Por si të sigurohet kjo? Nëse kalon propozimi i Komisionit Evropian, atëherë suspendimi i fondeve të BE-së për ndonjë vend anëtar do të miratohej në Këshill përmes procedurës së quajtur, “shumica kundër, e kualifikuar“. Kjo do të thotë se vendimi i Komisionit do të konsiderohej si i miratuar nëse nuk krijohet një shumicë e kualifikuar për ta parandaluar atë. Pra nuk do të duhet shumica për ta marrë vendimin, por shumica për ta parandaluar atë. Kjo do t’ua vështirësonte punën shteteve kokëforta të cilat llogarisin se do të mundë të krijojnë në atë mënyrë „pakicën bllokuese“ në Këshill.

Komisioni Evropian mendon se në këtë mënyrë, duke kthyer fokusin në parimet e sundimit të ligjit dhe solidaritetit, do t’i kthehej besimi BE-së dhe ajo do të forcohej. Këtë parim e mbështet fuqishëm në vitin e fundit të mandatit të tij Jean Claude Juncker, kryetar i Komisionit Evropian, i cili vazhdimisht kritikon vendet anëtare të cilat kritikojnë BE-në kur ka probleme, ndërsa kur gjërat shkojnë mirë meritat i marrin për vete. Ai disa vende të BE-së, pa ua përmendur emrin, i ka quajtur si “Evropiane të kohëpaskohshme“.

“Gjatë krizës së refugjatëve, por edhe gjatë asaj ekonomike dhe financiare, unë zbulova se ekzistojnë evropianët e përhershëm, të cilët janë aty sa herë që nevojitet veprimi i Evropës. Dhe pas kësaj zbulova se ka edhe evropian të kohëpaskohshëm, të cilët nganjëherë marrin pjesë, nganjëherë nuk vijnë të punojnë bashkë, por mbajnë shumë fjalime. Unë do të doja që të gjitha shtetet e BE-së të jenë evropiane të përhershme”, ka thënë Juncker javën e shkuar në një fjalim.

E askund më shumë sesa në çështjet buxhetore nuk shihet karakteri i vërtetë i vendeve anëtare, ku në mënyrë brutale mbrojnë interesat e tyre. Kështu do të jetë edhe tash në negociatat, të cilat sapo kanë nisur pas propozimit kontrovers të Komisionit Evropian.