OpEd

Qeveria + Parlamenti + 18

Jam kah rri gëzueshëm që po afrohet Një Maji, sepse kaluan ditë të tëra dhe nuk ndodhi asnjë lloj skandali në Kosovë. Diçka u rralluan festat, mësimdhënësit ndalën grevat, nuk u arrestua kush e as u lirua kush, nuk u gjet fare miu i ngordhur në mish a kifle, nuk pat ndonjë protestë ose kacafytje në media ose Parlament dhe bile nuk pat as ndonjë zë populli, që ngrihet për të mbrojtur veten, tjetrin dhe të mirat e Kosovës që po falen si gurabija për Shën Gjergj.

Skandal + S’ka m’u ndalë

E edhe po të ndodhte farë skandali, nuk është se dikujt do t’i dukej interesant. Çdo çudi zgjat tri ditë, por ne në Kosovë e kemi shkurtuar në dy. Nuk kemi kohë për asgjë, jemi të zënë, full.

Skandal me të deportuarit në Turqi – s’ka dorëheqje; skandal me mishin e kalbur – s’ka dorëheqje; rrahet zyrtari në rrugë, vritet njeriu në shtëpi, fëmijë të vegjël punojnë e lypin rrugëve, shiten barëra pa banderolë, ushqime të skaduara, mungojnë barërat esenciale, mijëra raste presin nëpër gjykata, parashkruhen vepra të rënda penale, lirohen vrasës e hajna, burgosen njerëz politikisht, Telekomi afër falimentimit, pensionet skandaloze dhe, natyrisht, nuk ka asnjë dorëheqje, se jo më largqoftë, ndjekje penale. E pse të ketë? Askush nuk ka faj, gjërat thjesht po ndodhin natyrshëm.

E pra, në një vend ku edhe skandali e ka humbur kaherë virgjërinë, ku nuk ka argumente, fakte, dilema, dyshime, nuk ka turp, pyetje, diskutime, dorëheqje, suspendime, përgjegjësi e kërkim llogari, Qeveria jonë e lavdishme bën vetëm hapa përpara si në marshim.

Si duket këta qeveritarë, fjalën skandal, e kanë kuptuar disi si “S’ka(m’u) ndalë” dhe vazhdojnë ecin e vrapojnë duke shkelur me radhë ligjet, Kushtetutën, njerëzit, miqtë e dikurshëm dhe më së shumti – popullin. Rrëzohen fjalë, rrëzohen premtime, njerëz, lidhje, pleq, fëmijë, familje, nuk ka dert. Edhe Parlamenti ua mban “zhagun” në secilin budallallëk, duke na dhuruar paraprakisht ndonjë telenovelë western me tym e gaz ose emision për të rritur me dialogje erotike për pullë të kuqe +18.

Pastaj dalin ca njerëz me kostume të vizllueshme e mbajnë nja dy fjalë para gazetarëve, “gjendja është e mirë, po punojmë se ata para nesh na e lanë llugë, tash është çdo gjë në rregull, të gjithë jemi të angazhuar deri në fyt” për t’u ngutur dikah thuajse është punë jetë a vdekje dhe për të përfunduar në instagramin e mbrëmjes me shumë foto nga drekat, darkat, stadiumet, fontanat e plazhet e botës. Se Brukseli ma u bë si të thuash, për të dalë për një kafe në kapixhik.

Askush më nuk mund të na akuzojë e përqeshë se gjithë këto gjëra të tmerrshme po ndodhin para syve tanë e rreth nesh, dhe ne po shohim bardh si budallenj dhe nuk po ndërmarrim asgjë. Ishte dimër njerëz, na plasën sytë për pak bardhësi. Na mungoi bora për të mbuluar të palarat si asnjëherë më parë.

Edhe gjenetikishit jemi popull zemërbardhë. Nuk provuam ta okupojmë kurrë askënd. Nuk hymë të parët asnjëherë në luftë. Nuk e duam të huajën për vete. Ama tash, se e vrasim njëri-tjetrin për një copë mur, një traktor dru, një parking, një lopë, një koment Facebooku, një shikim të shtrembër e një xhelozi koti, nuk ka dert. Mund ta fëlliqim, që thonë një dynja, por me shpirt jemi të bardhë e të pastër si loti.

Plus që tani është pranverë dhe gjërat vetvetiu duken rozë, kuq e jeshil. Çdo gjë lulëzon përsëri dhe vazhdueshëm. Lulëzon natyra, lulëzojnë pemët, lulëzon krimi, lulëzon korrupsioni, lulëzon primitivizmi, lulëzon tallavaja, lulëzon krimi kulturor e arsimor. Gjithandej parajsë. Ça keni që nguteni për ato dreq viza thuajse bota po ju pret me tepih të kuq. Ju jeni mirë ku jeni, ju jeni të pasur në shpirt ani pse xhepat i keni thatë. Ju keni liderë për lakmi, legjenda e mitologji, ju jeni pellazgë, ju jeni shqiptarë. Ju nuk jeni asnjëherë të braktisur. Me dekada hani pallavra, rrena, premtime koti, mashtrime e lojëra të pista dhe akoma ankoheni se mbetët popull i uritur. Ja çdo të thotë kur nuk ke pikë mirënjohjeje. Mos harroni sa mirë me qenë shqiptar o hej, ti popull i paepur punëtor!

Një Maji + Nëntë Maji

Plus, tash na erdh edhe Një Maji, bashkë me çallgija e daulle, kur të gjithë së bashku e festojmë Ditën e Punës. Dikush djeg goma, dikush kall plehra, dikush pjek qengja.

Sipas traditës, bashkë me familje, qebapë, skarë e flija, njerëzit tonë pushojnë pas ditëve të lodhshme të punës nëpër fabrika, ferma, ara, shkolla e institucione të tjera. Aq e lartë është përqindja e punësimit dhe niveli i punës në Kosovë, sa nganjëherë po dyshoj mos kemi prejardhje japoneze.

Këta pellazgë, dorën në zemër, kishin pas qenë goxha shëtitës e donzhuanë, ama që gjithkah e kishin pasë lanë nga një gjurmë a pasardhës. Kudo na del o territor o popull me origjinë shqiptare, plot do kalasha e fise parahistorike në kohën e gurit, të cilët sikur ende po presin dikush t’ju tregojë se bota ka evoluar dhe pellazgët janë shndërruar në shqiptarë.

E ndaj po them, pse jo dhe japonezë. Dellin e punës e kemi njësoj. Pastaj Tokio. E qartë ore njerëz, logjikisht Tokio-Toka. Edhe dëshira që të kemi kabinet shumënumërsh qeveritar bashkë me brigadën e zëvendësministrave të kotësisë, tregon se dikur ishim afër një miliardë e fiu. Ndaj tani nuk po adaptohemi si të thuash me këtë punën e numrave, truri na punon me shifrator kinez.

Por, bota na ndau. Ne ishim gjithmonë të bashkuar e e donim njëri-tjetrin, por na ranë mësysh. Një copë atje, një copë këtu, na bënë si harrni i thesit. Gjithmonë me liderë atdhedashës që shitën e dhuruan pa hesap se qëlluan zemërgjerë. Por, bëmë si bëmë, mbetëm ky grusht njerëzish, më të bashkuar se kurrë në një mijë e njëqind parti, ide, fe, kufij,budallaki , tradita e mendime.

Sidoqoftë, të shpresojmë se ia arrijmë disi e e lidhim Një Majin me Nëntë Maj dhe i bëjmë dhjetë ditë pushime. Nuk ka rëndësi se neve Evropa nuk na pranon, me rëndësi është se ne e duam. As ne nuk dëshirojmë më që të pranohemi si pjesë e saj sa për sy e faqe, por sepse e meritojmë. Sepse jemi të denjë, popull pellazgo-iliro-shqiptar.

Një shkrim shkencor diku thoshte se kandilat e detit i mbijetuan evolucionit, sepse janë krijesa pa tru. Merreni me mend sa shpresë i jep kjo Qeverisë sonë dhe popullit, i cili e ndjek pa gojë, verbërisht. Pa gajle, sepse me këtë logjikë do të mbijetojmë edhe mijëra vite të tjera, kolektivisht.