OpEd

Sulltani dhe Patrioti

Nuk ka pasur ndonjëherë më shumë arsye në këto qeveritë e dy dekadave të Kosovës për t’u kërkuar rrëzimi i një pushteti. Ky i tashmi përveçqë e kaloi demarkacionin, i cili qe shkas për rënien e Qeverisë paraprake, ka treguar gatishmëri ta maskojë disi e ta procedojë edhe asociacionin, që po ashtu qe arsye e rënies së Qeverisë paraprake. Për më shumë, janë edhe vendimet e tjera jo veç të dëmshme, por edhe absurde - nisur prej shkarkimit arbitrar të bordeve e deri te dy-trefishimi i rrogave të kryeministrit, stafit të vet dhe natyrisht gjithë kabinetit kinez.

Por nga ana tjetër, nuk ka pasur ndonjëherë një arsye më të madhe në këto qeveritë e dy dekadave të Kosovës për të mos u prekur një kryeministër i saj nga pozita. Kryeministri Haradinaj nuk mund ta ketë menduar një penallti më të mirë se deklarata e kryetarit turk Erdogan, së cilës do t’i përgjigjej si një Skënderbe i shekullit XXI.

Arsyeja e madhe për të mos e prekur kryeministrin nuk është se ai vërtet i ngjan në ndonjë mënyrë Skënderbeut, as që ka treguar ndonjë aftësi në mbrojtjen e shtetësisë së Kosovës, që e dëshmoi rasti i përzënies së gjashtë shtetasve turq. Arsyeja qëndron te kërcënimi i një Sulltani.

“Do të japësh llogari edhe t'i për këtë. Vëllezërit e mi kosovarë nuk i japin kredibilitet një kryeministri si ti. Vëllezërit e mi kosovarë, kosovarët që i njoh dhe i di, do të kërkojnë llogari prej teje për këtë. Unë e di edhe këtë”, qenë fjalët e Erdoganit drejtuar Haradinajt pasi ky u kërkoi ministrit të Brendshëm e shefit të AKI-së t’i lirojnë funksionet.

Këtu hyn në skenë Patrioti.

“Duke kujtuar Gjergj Kastriotin Skënderbeun, dëshmojmë se i kemi rrënjët e thella... Për ata që nga larg na gjykojnë, dua t’iu them se nuk na njohin, ju mungon njohja për shqiptarët në trojet e tyre, në atdheun e tyre... Punët tona të shtëpisë nuk do t’i bëjë kurrë askush në emër tonë në Kosovë. Do t’i bëjmë vetëm ne”, tha kryeministri Haradinaj pak ditë pas kërcënimit.

Dhe filmi nuk vazhdon me luftën e Patriotit kundër atyre që qenë përgjegjës për turpërimin e Kosovës dhe as me marrjen e masave që ky turpërim të mos përsëritet. Kjo, për shkak se e do pushtetin aq shumë, saqë pranon edhe të shpërfillet e edhe të injorohet, madje edhe kur këto i kushtojnë Kosovës me humbje territori, humbje kredibiliteti, humbje sigurie, humbje besimi...

Rasti i përzënies së shtetasve turq është ilustrimi më i mirë i punëve të Kosovës: institucionet e saj nuk janë në shërbim të shtetësisë, të pozicionimit gjeostrategjik, të qytetarit dhe as të banorit të ligjshëm të saj. Kësaj radhe udhëheqësit institucionalë nuk mundën ta maskonin sherrin. As ata që qenë pjesë e tij e as ata që nuk qenë.

Presidenti në një konferencë na e prezantoi dilemën e vendeve demokratike: “Të drejta të njeriut apo siguri kombëtare”, duke “na bërë” të dyshojmë nëse vërtet gjashtë turqit kundërshtarë të “vëllait” të tij të madh ishin terroristë që po e rrezikonin Kosovën. Përveç këtij konspiracioni, u hodh te tjetri: financimi nga Irani i një partie politike në Kosovë. Tepër tema ekzotike, të tilla që ta krijojnë përshtypjen që ti, pra shikuesi i konferencës, je bebja e ai, pra presidenti, një i rritur me një lodër shumëngjyrëshe në dorë.

Kryeparlamentari nuk u përpoq të zhvendoste vëmendje. Tha shkurt e trup se po ta dinte më herët do të shkonte në Aeroport dhe si një Mic Sokol i vërtetë do t’u bënte ballë forcave të maskuara të Shërbimit sekret turk. Kjo mund ta ketë rrëqethur dikë, por, megjithatë, është vetëm një tregues se pozitën që e ka, jo përballë topit, por përballë të përzgjedhurve të popullit, nuk është i zoti ta mbajë. Pavarësisht se as Ministria e Brendshme, as Policia e as AKI-ja nuk obligohen të raportojnë te ai për veprimet e veta; vetë fakti që nuk ka pasur njohuri për një akt vasal që e rreshton Kosovën si përkrahëse të regjimeve autoritare e bën atë kryeparlamentar të vogël.

Kryeministri u përpoq të kamuflonte, jo si presidenti, natyrisht, sepse stilet i kanë të ndryshme. Tha që nuk ka pasur shkelje ligjore në veprimet e AKI-së e as të MPB-së. U nda i hatruar pse s’i kanë treguar. Tha që presidenti e ka ditur. Një grumbull deklaratash të pakoordinuara që tregojnë se kur bëhet fjalë për punë të mëdha, pra për Kosovën në kontekst global e jo në kontekst të (keq) menaxhimit të brendshëm, duhet qenë i pjekur dhe atë, i pjekur ndryshe. Jo si burrë i odave. Nuk ndez kjo qasje, as shprehjet, as ecja, as meseletë... kur bëhet fjalë për punë të mëdha.

Kryeministrin duhet mbrojtur karshi kërcënimit të Sulltanit, por ai nuk është një Patriot. Nuk është i tillë asnjëri që nuk është i aftë t’u dalë zot shtetësisë dhe orientimit perëndimor të Kosovës. Nuk janë të tillë as ata që manipulojnë, fshehtas dhe njëkohësisht haptas, me të gjithë. Nuk janë as qytetarët që po i mbajnë në pushtet.

brikenda@koha.net