OpEd

MARRE

Nuk mbaj mend ta kem ndier veten kaq keq sa të enjten. Kam ndier turp që jam shtetase e një shteti që me kaq shumë lehtësi mund t'i çojë njerëzit mbase edhe në vdekje. Për një grusht parash; për një grumbull votash e për një vend të shëmtuar në histori. Marre për ju që i kidnapuat. Marre për ne që ende po ju mbajmë në pushtet.

Kam menduar se zhgënjimi me shtetin tim, udhëheqësit e tij dhe popullin kurrë nuk do të mundë ta tejkalonte pikën në të cilën kishte mbërritur para së enjtes së kaluar. Dhe sërish më duhet ta pranoj, gabim e kisha pasur.

Pont Pilati i Kosovës u bë i gjallë atë pasdite -- për të treguar se “institucionet kishin gabuar” dhe se ne jemi shtet që “i kultivojmë e mbrojmë të drejtat e njeriut”. Në kushtet kur shteti ynë, Policia jonë dhe institucionet, me urdhër të dikujt nga lart, i kidnapuan gjashtë shtetas turq, për të cilët regjimi i Erdoganit ka shumë kohë që bën trysni që t'i dorëzoheshin.

Pa ua dhënë as rastin që të takoheshin me familjarët. Pa ua dhënë rastin që të mbroheshin brenda atyre procedurave ligjore që i kemi përkryer të përshkruar, por që nuk i zbatojmë kurrë. Sepse në Kosovë është me rëndësi të kemi ligje super të mira. Nuk është me rëndësi që ato të gjejnë zbatim. E veçanërisht jo në kushtet kur duhet mbrojtur biznesin e dikujt.

Mbi Kushtetutën

E Kosova është bërë biznesi kryesor i Thaçit. Tashmë ka shumë vjet që ai ka kapur fort dizginat me të cilat kontrollon krejt institucionet kyç të shtetit. Ai me klanin e tij, shumë të përfolur, por kurrë të hetuar apo të ndjekur, kanë marrë kontrollin mbi AKI-në, mbi Policinë, mbi prokurorinë dhe mbi gjykatat. Kjo është arsyeja se ai dhe klani i tij janë të paprekshëm. Sepse është konflikt interesi ta hetosh punëdhënësin.

Se me çfarë lehtësie merr vendime për Kosovën e kemi folur me mijëra herë. Me qindra herë e kemi përsëritur se injoranca e tij e ka shtyrë ta qiste gishtin mbi një marrëveshje të keqe për Kosovën, që lëre që e prish rendin kushtetues, por edhe e sjell shtetin buzë ndarjes.

Duke gënjyer kohë të gjatë se Zajednica është OJQ -- duke na tallur të gjithëve, ngase do të ishte tejet absurde që për themelimin e një OJQ-je të angazhohej diplomacia evropiane -- erdhi në pikën ku insiston se s'ka gjë të keqe me këtë shtresë të re të pushtetit. Sepse e ka nënshkruar vetë dhe pse nuk e ka ndërmend ta respektojë aktgjykimin e Kushtetueses që ka treguar se ai dokument është në kundërshtim me aktin më të lartë juridik.

Dhe pse beson se është përmbi Kushtetutën, me lehtësi të padurueshme i premton mikut të tij Vuçiq se Zajednica do të krijohet, duke urdhëruar krijimin e një ekipi që do të merret me hartimin e Statutit. Fshehurazi, e këtë ashtu e supozojmë, merret vesh edhe për një veprim shtesë me të cilin do të përshpejtohet jetësimi i ndarjes së Kosovës.

Desanti mbi Gjuriqin

Të hënën patëm rastin të shihnim në aksion njësitë elite të Policisë së Kosovës që me një zhurmë të madhe, e besa edhe dhunë të panevojshme, e luajtën një shfaqje të shëmtuar në Mitrovicë, që për rezultat final do të ketë krijimin e Zajednicës.

Në një ndërhyrje të paparë deri më tash, Policia hyri në sallën e Shtëpisë së Kulturës, pa asnjë kundërshtim të vetëm a reagim nga ana e serbëve të mbledhur brenda e jashtë. Me piskamë dhe lotsjellës aty-këtu, e nxorën Gjuriqin prej aty, e futën në furgon dhe e sollën në Prishtinë. Afër stacionit të policisë, thuajse rruga të ishte shtruar me gjemba që do t'i shponin gomat, furgoni u ndal nga dyqind metra më larg, ashtu që të demonstrohej forca: nja dy duzina policësh e rrethonin Gjuriqin teksa ky detyrohej të ecte drejt stacionit.

Zyrtarisht u arrestua, dhe më pas u dëbua për në Serbi. Por premtoi se do të kthehej në datën që është përzgjedhur për ta krijuar Zajednicën. Me a pa të, më 20 prill -- në përvjetorin e nënshkrimit të Marrëveshjes famëkeqe.

Fakti se njësitë elite janë nisur në Mitrovicë, kanë depërtuar pa asnjë pengesë; se në sallë rrinin njerëzit që thuajse prisnin çastin kur policia do të hynte brenda; poshtërimi që ia bënë për kot duke defiluar me të nëpër qytet -- tregon se ky aksion ka qenë i kurdisur. Për të vazhduar me mbajtjen e tensioneve deri në pikën kur palët do të merreshin vesh se bashkëjetesa më nuk është e mundur, dhe se ndarja do të ishte më e shëndosha. E edhe më e shëndoshë mundësia që të këmbehen territoret që prej kohësh është temë që rrotullohet andej-këndej.

I gjithë aksioni i Policisë çon ujë në mullirin Vuçiqit, e edhe të Thaçit -- që ja, njerëzit që dikur kishin qenë armiq të përbetuar dhe e kishin quajtur njëri-tjetrin fashist e terrorist, tash mund të bëheshin bashkë për ta zgjidhur nyjën e Kosovës me hapjen e kutisë së Pandorës: shkëmbimin e territoreve. Çon edhe ujë te mulliri i atij që është mësuar të krijojë probleme, të cilat kinse vetë më vonë i zgjidh, duke u treguar ndërkombëtarëve se ky është i vetmi njeri që mund t'i zgjidh krizat. Dhe se ai nuk bën të largohet nga skena politike, qoftë edhe nëpërmjet Speciales për të cilën thuhet se do të nisë të veprojë në vjeshtë. Problemi është se nuk dihet në vjeshtën e cilit vit.

Në gojë të ujkut

E për t'i ulur pakënaqësitë në lidhje me shfaqjen e shëmtuar të policisë, që nuk na e bënë “zemrën mal”, establishmenti politik sërish e futi policinë në veprim. Kësaj radhe për t'i arrestuar gjashtë shtetas turq (njëri nga ta madje edhe me shtetësi të Shqipërisë) me qëllim që t’i dorëzojë ata në gojën e ujkut në Turqi.

Me një aksion rrufe të AKI-së dhe MPB-së që ua revokuan lejet e qëndrimit, i arrestuan nëpër shtëpi e vende të punës dhe i nisën në drejtim të panjohur. Dikush tha në aeroport; dikush në Ambasadën turke, dikush në Kampin turk të KFOR-it (këto dy të fundit me eksterritorialitet). E dikush tha drejt në Ankara, me një aeroplan special të angazhuar nga sigurimi shtetëror i Turqisë.

Derisa ende nuk është e qartë a vërtet janë ekstraduar këta gjashtë shtetas turq, ajo që pa dyshim tronditi më së shumti qe mosreagimi i partive politike dhe reagimi i vonshëm dhe absolutisht i pabesueshëm i udhëheqësve të institucioneve.

Që të tre shefat e institucioneve deklaruan të mos kenë ditur për aksionin e kjo është vështirë e besueshme, për shkak se që të tre marrin raporte ditore deri disa herë në ditë nga institucionet e sigurisë. Shumë dyshoj se AKI-ja do t'i ishte futur kësaj aventure pa e pasur të ndezur semaforin e gjelbër nga dikush. E ky dikush nuk është as drejtori i AKI-së e as ministri i Brendshëm.

Kryeministri e kryeparlamentari kanë mundur edhe të mos ishin të informuar -- sepse i pari tashmë e ka kryer detyrën për të cilën ka ardhur në krye të ekzekutivit: e ka ndërruar mendjen dhe e ka kaluar demarkacionin. I dyti mund të jetë përjashtuar nga loja, ashtu që t'i dëshmohet se paska SHIK mbi SHIK-un dhe se ai më nuk çon kandar në këtë lojë. Dhe se me gjithë fizkulturat, nuk do t'ia dalë kurrë të bëhet lider i padiskutueshëm i partisë së tij. Sepse lideri i vërtetë mban tjetër kolltuk.

Por, ai që pa dyshim ka qenë i informuar, e këtë e konfirmojnë dhe ca burime, e madje edhe vetë Haradinaj kur thotë se ministri i Brendshëm e ka informuar kryetarin e shtetit rregullisht, ka qenë Thaçi. Me qasjen që ka ndaj shtetit dhe institucioneve, kur jo rrallë merr vendime kokë më vete, nuk është hiç larg mendsh se urdhrin për veprim kundër “gylenistëve” ta ketë dhënë vetë. E edhe po të mos e kishte dhënë, ka mundur ta parandalonte, meqë tashmë paska qenë i informuar.

Natyrisht, tashmë i regjur me këso punësh, nuk do të ketë lënë gjurmë të shkruar. Dhe duke u shitur i kujdesshëm, dikur vonë, do të dilte me një status në FB duke thënë se ky veprim kishte qenë gabim i institucioneve.

Psenë e një vendimi që ka arsye të supozohet se është i tij duhet gjetur te lidhjet e afërta me Erdoganin dhe me interesat financiare që nënkuptojnë lidhjet e tij. Nuk duhet shumë mend për të kujtuar se autostrada e shtrenjtë u kontraktua kur ai ka qenë kryeministër; që aeroporti u dha në koncesion turqve në të njëjtën kohë sikurse edhe falja e distribucionit (së bashku me hidrocentralet) KEDS-it. Dhe nuk duhet harruar shtytjen që kardashi ia dha gjatë zgjedhjeve në Prizren, kur erdhi për të na treguar se “Kosova është Turqi”. E duhet qenë tepër naivë për të besuar se Turqia na do, sepse na ka “popull vëllazëror” e “popull mik”, dhe se për këtë na ndihmon. Sepse Turqia mund të jetë shtet i madh, ama nuk është shtet që e kultivon lirinë e as drejtësinë, nën diktaturën e Erdoganit.

* * *

Kidnapimi i gjashtë qytetarëve turq që nuk pajtohen me Erdoganin, veç pse ky i ka shpallur terroristë, është gjëja më e shëmtuar që na ka ndodhur prejse jemi bërë shtet. Ne kosovarët kemi qenë më të përndjekurit nga serbët dhe na kanë burgosur e maltretuar për çfarëdo, sepse na kanë quajtur kolektivisht “terroristë”. Ne e kemi ditur se kjo ka qenë akuza më e lehtë për të na shfarosur, për shkak se nuk donim të jetonim nën thundër. Ne kemi qenë ata që qysh moti kemi shkuar e kemi kërkuar azil nëpër shtetet e Evropës Perëndimore. Ne kemi qenë ata të cilët Perëndimi na ka shpëtuar nga vdekja, kur më nuk kishte kush të na strehonte e mbronte. Ne e kemi ditur se çfarë është të zgjohesh çdo ditë të lume duke mos ditur nëse do ta mbijetoje atë.

E tash ne, për shkak se ashtu ka vendosur dikush veç për punë të biznesit dhe interesit personal, hyjmë në anale si shteti i parë evropian që me gjasë ia dorëzon Erdoganit shtetasit turq që ai i konsideron armiq, pa asnjë procedurë, pa asnjë shans që të mbrohen në gjyq. Ia dorëzojmë që me ta të bëjë ashtu siç ka bërë me 70 mijë të tjerë, të cilët i quan terroristë. Ose që edhe t'ua bëjë më zi.

Ne hyjmë në klubin e atyre shteteve që veprojnë në kundërshtim me veprimet e një administrate, siç është ajo amerikania, që nuk do që ta dorëzojë vetë Gylenin përderisa nuk ka bazë ligjore për një gjë të tillë.

Ne hyjmë në klubin e atyre popujve të cilëve nuk ka si t'u zihet besë, ani që “besë” e kanë gojën plot.

Pos që është shkelje e Kushtetutës, e të drejtave elementare të njeriut, kjo është edhe tradhti. Është edhe shenjë se në këtë vend kush të dojë dhe kur të dojë mund të të shpallë terrorist dhe të të fusë në burg -- sepse ligji është gjëja e cila ka më së paku rëndësi.

Nuk mbaj mend ta kem ndier veten kaq keq sa të enjten. Kam ndier turp që jam shtetase e një shteti që me kaq shumë lehtësi mund t'i çojë njerëzit mbase edhe në vdekje. Për një grusht parash; për një grumbull votash e për një vend të shëmtuar në histori.

Marre për ju që i kidnapuat. Marre për ne që ende po ju mbajmë në pushtet.

flaka@koha.net