OpEd

Një granatë trullosëse me tri përgjigje

Arrestimi i Gjuriqit nuk meriton pyetjen pse, por çka u dëshirua me të?

1.

Për nevojat e njësitit antiterrorist të forcave speciale britanike SAS (Special Airborne Services) para dyzet vjetësh u prodhua një tip i ri granate, i quajtur "stun grenade", granatë trullosëse. Trupi i saj në të shpërthyer nuk zhbëhet, pra nuk krijon dëmtime shrapneli në trupin e kundërshtarëve. Shpërthimi i saj ka dy qëllime bazike: që me forcën prej mbi 170 decibelësh të fusë frikë e panik shurdhues dhe që drita nga shpërthimi ta verbojë kundërshtarin për së paku pesë sekonda, dhe që shikimi i tij të jetë i ndikuar edhe më tej nga efekti i ndriçimit të madh të mëparshëm. Pra, ka qëllim që për disa çaste ta trullosë kundërshtarin.

Policia e Kosovës, siç u pa në xhirimet e arrestimit të zyrtarit qeveritar të Serbisë, Marko Gjuriq, në Mitrovicë ditën e hënë, i përdori këto granata si pjesë e tashmë arsenalit tipik të policive në botë për të kontrolluar turmat.

Por, pas momentit kur me sukses u fut në sallën e mbledhjeve ku ishte Gjuriqi, policia e Kosovës për disa orë u shndërrua edhe vetë në një granatë trullosëse, të cilën e kishte hedhur politika. Për disa orë rresht të së hënës pasdite, publiku në Kosovë e Serbi rrinte para burimeve të informatave - TV e portale - me shenja të qarta trullosjeje. Shikonin sesi një polici, duke dhënë qëllimisht leje xhirimi, hynte në sallë për ta disiplinuar çdokënd që gjendej aty, e arrestonte Gjuriqin me protokoll antiterrorist, e tërhiqte zvarrë nëpër parking përtej nevojës fizike për të arritur tek transportuesi i blinduar (i cili ka mundur të priste mu te dera) dhe parakalonte nëpër qendër të Prishtinës për nevoja të kamerave.

Imazhet e një operacioni antiterrorist të policisë speciale të Kosovës për të arrestuar një zyrtar (antipatik) të Qeverisë së Serbisë qenë një granatë e madhe trullosëse, e cila si çdo granatë e këtillë fizike ka për qëllim paralizimin momental të kundërshtarit, përderisa bëhen veprime të tjera.

Pyetja, pra, nuk është pse u arrestua Gjuriqi (pra pse u hodh granata), por çka dëshirohet të arrihet me këtë?

2.

Mund të ketë më shumë përgjigje në këtë pyetje, por do të ndalem tek tri.

E para është e mbështjellë me sekret. Në shtator të vitit të kaluar presidenti i Serbisë, Vuçiq, kërkoi në territorin e SHBA-së nga një personalitet botëror që të ndërmjetësojë në ndarjen territoriale të Kosovës dhe në këmbimin e territoreve si parim për zgjidhjen e problemit Kosovë-Serbi. Gjatë disa muajve kjo temë është prekur disa herë në takime diplomatike; deri më tani është refuzuar kategorikisht nga diplomacia amerikane, britanike, gjermane e franceze. Propozuesi, megjithatë, nuk ka hasur në kundërshtim prej homologut të tij kosovar. Javën e kaluar Vuçiqi dhe Thaçi janë gjendur njëkohësisht në New York, e më pastaj edhe në Washington. Përmbajtja e bisedimeve të tyre eventuale (pa ndërmjetësim amerikan) na është e panjohur. Por nëse pjesë e bisedimeve ka qenë ideja e presidentit Vuçiq, atëherë një granatë trullosëse në formën e arrestimit të Gjuriqit me njësite antiterroriste mund të vërë në mocion procesin i cili duhet të shpjerë tek rigrupimi territorial i serbëve. Ai proces filloi as 24 orë pas granatës trullosëse "Gjuriq": Lista Serbe lajmëroi daljen nga Qeveria e Kosovës dhe formimin e Bashkësisë së komunave serbe deri më 20 prill.

Këto paralajmërime duan të shndërrohen në motor të jetës politike, dhe kjo nuk është risi. Një granatë trullosëse u hodh vitin e kaluar pothuajse në formë të njëjtë. "Treni rus", që duhej të nisej prej Beogradit për në Mitrovicë në janar të vitit të kaluar, duhej, po ashtu, të pasohej nga formimi i njëanshëm i Bashkësisë së komunave serbe. Beogradi bëri sikur e nisi trenin e Prishtina bëri sikur e ndali atë dhe u shpenzua pastaj tërë një vit i kotë me kriza të brendshme kosovare që formuan një qeveri të re, të varur nga Lista serbe. Granata "Gjuriq" duhet të vazhdojë aty ku u ndal "treni rus", dhe këtu mund të gjendet përgjigjja e dytë. Bashkësia e komunave serbe, një premtim mendjelehtë i nënshkruar nga Hashim Thaçi, nuk ka si të formohet në gjendje të zakonshme në Kosovë. Për këtë gjë kanë biseduar të premten e kaluar në Bruksel Thaçi dhe Vuçiq, dhe sërish janë obliguar që ta formojnë Bashkësinë e komunave serbe. Meqë Bashkësia nuk mund të formohet brenda sistemit të tanishëm juridik të Kosovës, ajo mund të formohet jashtë sistemit. Një granatë trullosëse si ajo e arrestimit të Gjuriqit mund të krijojë kushtet në të cilat Lista Serbe e formëson Bashkësinë e komunave serbe, ndërkohë që pushteti në Kosovë gjoja e pengon, dhe rreth kësaj çështjeje bëhen pastaj negociata në Bruksel.

3.

Ekziston edhe përgjigjja e tretë. Prishtina dhe Beogradi janë futur aq thellë në gropën e pashpresë të dialogut të deritanishëm, saqë u nevojitet një granatë trullosëse për të dalë nga ajo. Beogradi nuk ka gjasa, në kornizën e deritanishme të Brukselit, të arrijë një marrëveshje të atillë që do t'ia siguronte anëtarësimin në BE. Për më tepër, nuk ka as kohë për të shpenzuar në takime të kota apo duke pritur zgjidhjen e krizave rituale politike të shqiptarëve, dhe ndoshta është kështu e kuptueshme pse kjo granatë trullosëse u hodh tash e jo para votës së demarkacionit.

Sidoqoftë, Beogradi ka nevojë për një krizë të këtillë, pa viktima, pos të tërhequrit zvarrë të Gjuriqit, në mënyrë që negociatat me Prishtinën të fitojnë një cilësi të re.

Në Prishtinë motivi është pak më i personalizuar. Hashim Thaçi mund të jetë përfituesi më i madh prej krizës së re, sepse mund të ofrohet për tejkalimin e saj. Në gjendjen politike në Kosovë, në të cilën nuk ka konsensus e as rregulla të lojës - të cilat do ta përjashtonin Thaçin nga negociatat për gabimet strategjike që i ka bërë deri tani - çdo krizë e re shërben për të mbuluar krizat e mëparshme. Për më tepër, në një atmosferë ku Gjykata Speciale është shndërruar në bastore publike se kur dhe kë do ta arrestojnë - me bastet që lëvizin prej pranvere në vjeshtë e prej vjeshte në pranverë - një krizë në "normalizim" është shans për Thaçin të prezantohet si faktori pa të cilin nuk ka zgjidhje. Rrjedhimisht që të dëshmojë se është më i nevojshëm në Bruksel se në Hagë.

4.

Tri përgjigjet mund të tingëllojnë si teori konspiracioni?

Janë tepër shumë koincidenca që do të flisnin se si një të hëne të marsit të vitit 2018 institucionet e Kosovës kishin vendosur të arrestonin një zyrtar të Serbisë, madje ta bënin këtë katër orë pasi arrestimi i Gjuriqit u dha si lajm në një portal të afërt me pushtetin në Serbi.

Çfarëdo që të jenë të tri përgjigjet, ato kanë një emërtues të përbashkët për forcat politike në Kosovë. Menjëherë pasi të kalojë efekti i parë i trullosjes nga kjo granatë, do kuptuar se rruga e deritanishme e dialogut të Brukselit e ka mbërritur fundin e vet. Dhe se, si pas çdo trullosjeje, do ulur e rimarrë veten për të kuptuar se çfarë duhet të jetë hapi i ardhshëm, i esëllt.

© KOHA Ditore