OpEd

Urgjent: Miratimi i Ligjit të parë të gropës

Si të tejkalohet modeli rus i Brukselit?

1.

Thuhet se Denis Healey, një laburist britanik në vitet tetëdhjetë të shekullit të kaluar, formuloi atë që do të njihet si ligji i parë i gropës:

"Nëse je ngujuar në gropë, ndal së gropuari!".

Ky është një ligj që u hyn në punë gjatë kësaj jave Federica Mogherinit, Hashim Thaçit dhe Aleksandër Vuçiqit, gjegjësisht BE-së, Kosovës dhe Serbisë. Gjatë kësaj jave BE-ja vazhdon të jetë lehtësuese e "dialogut" mes Kosovës dhe Serbisë, diçka që Denis Healey lehtësisht mund ta identifikonte si gropë. Prej vitit 2011 zhvillohet një proces i cili nuk ka kornizë, parime e as cak. Në pesë vjetët e fundit palët takohen kryesisht për të diskutuar përse nuk po zbatohen marrëveshjet e arritura më parë dhe, siç deklaroi presidenti serb, takimi i radhës me Hashim Thaçin do të jetë pak a shumë i njëjtë: përse nuk po zbatohet Marrëveshja për Bashkësinë e komunave serbe? Ndoshta përgjigjja e thjeshtë për Vuçiqin është se Hashim Thaçi nënshkroi një obligim që Kosova nuk mund ta përmbushë; vendi nuk mund të krijojë Bashkësi të komunave serbe pa e prishur rendin e vet kushtetues.

Pra, është një gropë, por Mogherini, Thaçi dhe Vuçiqi ende nuk po e pranojnë këtë. Delegacionet "teknike" e pastaj edhe presidentët do të takohen për të konstatuar se duhen më shumë takime, dhe se këto takime të ardhshme nevojiten për të konstatuar se dialogu duhet të vazhdojë. Me më shumë takime, brenda gropës.

2.

Gropa e quajtur "dialogu" i Brukselit nuk do të sjellë "marrëveshje obliguese ligjore mes Kosovës dhe Serbisë", siç quhet dokumenti të cilin të dyja palët duhet ta nënshkruajnë për normalizim marrëdhëniesh. Ekzistojnë dy arsye madhore pse kjo nuk do të ndodhë brenda këtij formati.

Një, sepse "gropa" është e ndërtuar pa kornizë dhe parime, rrjedhimisht vazhdimësia e procesit nuk sjell gjë. Nga brumi i prodhuar në "gropë" nuk del bukë tjetër, pos asaj që kemi parë deri tani.

Arsyeja e dytë qëndron tek pabarazia e palëve negociatore. Në katin e sipërm negociator është Vuçiqi, i cili mund të flasë plotësisht në emër të Serbisë, në katin më poshtë është Mogherini, e cila flet në emër të shumicës së shteteve evropiane që e kanë njohur Kosovën dhe pastaj i redakton fjalët e veta për të kënaqur edhe pesë shtetet që nuk e kanë njohur Kosovën. Në bodrum është Hashim Thaçi, i cili mund të flasë në emër të vetin dhe shokëve të tij, por çfarëdo që të premtojë e ka të pambështetje nga Kuvendi i Kosovës. Për më tepër, Hashim Thaçi ka problem me bagazhin që tërheq prapa. Është figura e cila identifikohet si kreu i kapjes së shtetit, një pozicion i cili vështirë lidhet me konsensus politik. Është figura rreth së cilës zhvillohet e tërë drama e tejzgjatur (gati në formë telenovele) e Gjykatës Speciale të bazuar në Raportin Marty. Dhe, në fund, por jo për nga rëndësia, është figura e cila solli "gropën": nuk ka negociator kosovar të përgjegjshëm që do të merrte pjesë në një proces të këtillë siç bëri Hashim Thaçi në Bruksel. Në ndarjen e thjeshtë historike, nëse kosovarët prej vitit 1945 deri më 2007 kanë marrë pjesë në negociata për ta larguar Serbinë prej Kosovës, Hashim Thaçi prej vitit 2011 e tutje pranoi të hynte në negociata për format e kthimit të Serbisë në Kosovë.

3.

Modeli i Gropës mund t'u konvenojë, momentalisht e në afat të shkurtër, të dyja palëve. Ndërmjetësit e BE-së dhe presidenti Vuçiq mund të shfrytëzojnë moçalin e krijuar në gropë për të aspiruar që "Marrëveshja obliguese ligjore" mes Serbisë e Kosovës, një copë letre ende e bardhë sipas komisionerit Hahn, të ketë emërtuesin më të ulët të përbashkët. Pra, mund të aspirojnë që me presion të mjaftueshëm - duke llogaritur tek gjendja gjithnjë e më e vështirë në të cilën është Kosova dhe nevoja për protagonizëm e Hashim Thaçit karshi kërcënimit eventual nga Gjykata Speciale - të arrihet një marrëveshje kompromisi, e cila nuk e detyron Serbinë që ta njohë Kosovën si të barabartë, por njëkohësisht konsiderohet avancim i mjaftueshëm për ta çuar tutje në negociatat për anëtarësim, madje duke e bërë anëtar të BE-së.

Zonjës Mogherini, së cilës i skadon mandati vitin e ardhshëm, mund t'i konvenojë një marrëveshje "e emërtuesit më të ulët të përbashkët e arritur gjatë këtij viti - do të ishte një sukses në karrierën e saj. Presidentit Vuçiq, po ashtu. Një marrëveshje që premton se do të ketë edhe një proces të mëtutjeshëm të "normalizimit" i konvenon , duke ia hapur edhe më dyert Evropës e duke mos ia mbyllur Rusisë dhe nacionalizmit serb. Interesi strategjik rus dhe i nacionalizimit serb është që çështjet të mos mbyllen, që krizat të mbeten të hapura, prej Gjeorgjisë deri në Kosovë, e mundësisht edhe më tutje.

E vetmja palë që humbet është Kosova. Një shtet i pakompletuar, siç ishte Kosova në të hyrë në pavarësi, u shfrytëzua me paravanin e "shtetndërtimit" dhe negociatat për normalizim nga elitat politike e kriminale brenda vendit për ta zhvatur deri në palcë.

Por, kështu humbin të gjithë. Kosova mbetet një konflikt i ngrirë, me një gropë të madhe, të cilën e shfrytëzon për sa të ketë shfrytëzim një elitë politike-kriminale.

4.

Tri paradigma duhet të ndryshojnë në mënyrë që të mbërrihet ndonjë ndryshim në negociatat mes Kosovës dhe Serbisë.

E para është kalimi prej "modelit rus" në atë evropian. Modeli rus është ky i Brukselit, i cili i lë të papërfunduara çështjet; formalizon konfliktet e ngrira për një periudhë të gjatë kohore. Modeli evropian është ai i Traktatit të Romës, pararendës i BE-së. Me të shtetet që njihen si të barabarta krijojnë forma të reja bashkëpunimi tej atyre konvencionale.

Paradigma e dytë që duhet të ndryshojë është ajo e asimetrisë së BE-së. Në gjendjen e sotme konteksti i normalizimit ka të bëjë me një qëndrim të BE-së ndaj Serbisë (anëtarësim në BE) dhe shumë qëndrime kundërthënëse ndaj Kosovës (prej anëtarësimit deri në mosekzistim si shtet). BE-ja nuk mund t'i ofrojë Kosovës anëtarësim (sepse ky vend nuk është i gatshëm për të), por një fillim i mbarë do të ishte po qe se njëzëri ia njeh të drejtën e ekzistencës si shtet.

Dhe, paradigma e tretë është që pala më e interesuar për këtë negociatë, Kosova, të kalojë prej modelit të "qibritxhinjve" në atë të konsensusit politik. Gjatë shtatë vjetëve të kaluar Hashim Thaçi e ka shndërruar institucionin e përfaqësimit të vendit në negociata si lojë qibritash para stacioneve hekurudhore; një përpjekje që nëpërmjet mashtrimit optik të krijohet një avantazh personal. Vendi ka nevojë tash për një analizë të asaj që është kaluar në proces negociator dhe përgatitje e një platforme parimesh që do të ndërtojë marrëveshjen e ardhshme me Serbinë.

5.

Ndryshimi i tri paradigmave është i mundshëm, për më tepër, i nevojshëm.

BE-ja nuk ka pse të vazhdojë me një model rus në trajtimin e problemeve të veta, Serbia e Kosova nuk kanë pse të mos trajtohen si të barabarta nëse ftohen në të njëjtën tryezë dhe Kosova nuk ka pse të mos tregojë se si dëshiron t'i rregullojë marrëdhëniet me Serbinë, në mënyrë të krijohet për herë të parë në histori një jetë e fqinjësisë së mirë.

Por , për t'i bërë këto duhet miratuar urgjent Ligjin e parë të gropave. Dhe, duhet ndërprerë së gropuari.

© KOHA Ditore