OpEd

Një tregim alarmant: Pabarazia e gruas në numra

Ka mbi një dekadë që merrem me adresimin e numrave me interes publik. Si ekonomist jam interesuar gjithnjë nga tregimi që numrat sjellin në vete. Siç e ndërtojnë më pas, këta numra vetë, një fotografi të tërë të paternit shoqëror. Por, në llogaritjen e numrave, një grup i tyre, në veçanti, ka dhënë në vazhdimësi fotografi alarmante, fare të këndshme. Ai i gjendjes së gruas në punësim e aktivitet ekonomik.

-1-

Do të mjaftonte një vështrim i shpejtë e i thjeshtë mbi historikun e transicionit tonë ekonomik, këtë të 17 viteve të fundit, për të kuptuar se në thelbin e ecjes sonë qëndron pabarazia. Pra në parime të pabarazisë trajtuese është e ndërtuar kjo shoqëri jona.

Sepse, kur shikon nga puna e tatimeve kupton pabarazinë në pagesën e tyre. Kur shikon çështjen e dënimeve, kupton pabarazinë në shqiptimin e tyre. Kur shikon paranë publike kupton pabarazinë në shpërndarjen e tyre. Kur shikon punësimin publik, kupton pabarazinë në pranimin e individëve. Lista e pabarazisë trajtuese të qytetarëve kosovarë është e gjatë.

Por, në gjithë mozaikun pabarazues, ka një të tillë që dallohet e veçohet më shumë. Kjo pabarazi kalon përtej tatimeve, dënimeve, parasë e punësimit publik. Është uniforme për një grup të tërë, shpërndarë tek të gjithë. Është e qartë, shumë e qartë, se pabarazia më e madhe e krijuar dhe e mirëmbajtur në vend vazhdimisht ka karakter gjinor. Është pabarazia ndaj gruas.

Nëse ka një pabarazi në trajtimin e tatimeve, do të ketë një shtesë në trajtimin gjinor brenda trajtimit të tatimeve. Nëse ka një pabarazi në shpërndarjen e parasë publike, do të ketë një veçim shtesë për gratë brenda trajtimit shpërndarës të parasë. Nëse ka një pabarazi në punësim për të gjithë, do të ketë një shtresë tjetër më shumë për gratë në veçanti.

-2-

Ka mbi një dekadë e gjysmë që merrem me adresimin e numrave me interes publik. Si ekonomist jam interesuar gjithnjë nga tregimi që numrat sjellin në vete. Siç e ndërtojnë më pas, këta numra vetë, një fotografi të tërë të paternit shoqëror. Por, në llogaritjen e numrave, një grup i tyre, në veçanti, ka dhënë në vazhdimësi fotografi alarmante, fare të këndshme. Ai i gjendjes së gruas në punësim e aktivitet ekonomik.

Sot, në Kosovë, plot 81% e grave të moshës së punës janë joaktive. S’marrin pra pjesë aktivisht në treg të punës hiç. Thënë ndryshe, rrinë në shtëpi. 474 mijë gra kosovare të moshës së punës rrinë në shtëpi. Për ta përkthyer këtë përbërje në një udhëtim autobusi, nga të gjithë rreshtat e tij, vetëm udhëtaret në ulëset e rendit të parë do të ishin aktive. Gjithë të tjerat do të ishin joaktive. Po të kishte qenë ky autobus i mbushur me burra, ndërsa, dy të tretat e tij do të ishin aktivë. Vetëm 39% e meshkujve, për dallim nga 81% i grave janë joaktivë.

Joaktiviteti kaq i lartë i grave në moshë pune është alarmant për Kosovën. E vë vendin tonë në pozitë shumë më të rëndë krahasuar me rajonin. Në rajon, në Serbi, Maqedoni, Shqipëri e Mal të Zi, vetëm 52% të grave janë joaktive. Pra, gati sa gjysma e vendit tonë. Kosova vendoset shumë më keq krahasuar me gjithë Evropën. Madje, vendoset keq po u krahasua edhe me gjithë Amerikën Latine, gjithë Afrikën e pjesën më të madhe të Azisë.

Për ta thënë më thjesht, janë vetëm 5 vende të tjera në botë që kanë kaq shumë gra joaktive sa Kosova; 4 prej të cilave janë në gjendje lufte. Siria, Iraku, Palestina e Afganistani kanë normë joaktiviteti të gruas prej 85%; vetëm 3 pikë më shumë se ne. Gjendja e Kosovës, në këtë fushë, është e barabartë me gjendje lufte.

Arsyeja prapa një joaktiviteti të tillë? 59% e grave që janë joaktive konsiderojnë se janë punët e shtëpisë e përkujdesjes ndaj familjes që kanë parandaluar aktivitetin e tyre. Sipas të dhënave të “Riinvestit”, një grua e punësuar, në mesatare, kalon nga 3 deri në 4 orë të tjera shtesë në “punë të shtëpisë”. Praktikisht, kalon dhe një gjysmë orari shtesë pune në shtëpi. Për gratë joaktive, puna në shtëpi është “punë me orar të plotë”.

Kërkesat shtëpiake janë një arsye. Pasiguria eventuale në punë – punë që këto gra s’e kanë kurrë – përbën arsyen e dytë. Të dekurajuara skajshmërisht; rrjedhimisht joaktive. Për pjesën e dekurajimit do të flas më vonë.

-3-

Joaktiviteti alarmant përbën një problem. Shqetësues, i rëndë, i papranueshëm. Por, aq shqetësues, aq i rëndë mbetet dhe raporti i punësimit përbrenda atyre grave që megjithatë, përkundër gjithë pengesave shoqërore, kulturore e historike, kapërcejnë barrierën e joaktivitetit.

Nga ato 19% gra që janë aktive, pak më shumë se gjysma punojnë. Një e treta e tyre mbesin të papuna. Pra, përkthyer në numër të gjithëmbarshëm të grave në Kosovë, vetëm 12% e gjithë grave në moshë pune, punojnë në Kosovë. Në shembullin tonë të autobusit, vetëm dy ulëset e para punojnë.

Por një proporcion i tillë s’vlen për burra. Burrat, që janë në numër përafërsisht të njëjtë sa gratë, përveçse janë më aktivë janë edhe më të punësuar. Në numra të gjithëmbarshëm, plot 46% e burrave janë të punësuar. Katërfish më shumë se gratë. Një vend pune për gruan, katër vende pune për burrat. Një raport si ky tregon mjaft për këtë shoqëri tonën. Për atë se ku është, dhe mbi të gjitha se çfarë humb nga humbja e gjysmës së popullsisë së saj.

-4-

Pabarazia ndaj gruas nuk përfundon me kaq. Ato 12% të grave të moshës së punës që punojnë, rreth 76 mijë sosh, kanë kontrata më të rënda, më afatshkurtra, më pak kompensuese e shumë herë më të pasigurta. Për punën e njëjtë, për vendin e njëjtë të punës, për angazhimin e njëjtë, një grua paguhet më pak se një burrë. Sot, përderisa një burrë i merr 1 euro, për të njëjtin vend, po pati fat të zërë të njëjtin vend natyrisht, një grua i merr 93 centë. Mbi 70% e grave të anketuara në Kosovë tregojnë se, përkundër nivelit të njëjtë të edukimit e kualifikimit, ato paguhen më pak se sa partnerët e tyre.

Një shqetësim tjetër, në rritje madje, është përhapja e kontratave afatshkurtra – në veçanti për gra. Vetëm 7% e grave të punësuara në Kosovë – në sektorin privat – kanë kontratë më të gjatë se njëvjeçare. Pjesa më e madhe e tyre, rreth 90%, që kanë një kontratë pune, kanë afat më të ulët se 10-mujor të vlefshmërisë. Kontratat e tilla, nën 1- vjeçare, ndërtohen për t’iu shmangur qëllimisht kontributeve eventuale që ndërlidhen me Ligjin e punës dhe pushimin e lindjes. Përkujdesja për fëmijë sot vlen vetëm për gra. Prandaj, 80% e grave të punësuara në sektorin privat janë të brengosura se mund të humbasin vendin e tyre të punës në vitin në vijim.

Dhe është pikërisht kjo pasiguri, kjo pabarazi, që bën një përpjekje për aktivitet të gruas tërësisht joatraktiv.

Për paradoksin më të madh, kjo pasiguri është ushqyer në vazhdimësi nga Ligji i punës, në veçanti nga Ligji mbi pushimin e lindjes. Shteti i Kosovës, nisur nga një qëllim krejt i mirë, nuk ka bërë hesap fare dy elemente të rëndësishme që rëndom ndërlidhen me implementimin e ligjit. I pari, me koston që i njëjti implikon në sektorin privat. I dyti, me paaftësinë e shtetit për të mbikëqyrur implementimin e tij. Së këndejmi, një ligj i tillë, që funksionon në mënyrë perfekte në sektorin publik, është i paimplementueshëm në tërësi në sektorin privat.

-5-

Mos të harrojmë, pjesa më e madhe e grave, dhe burrave pa dallim, janë të punësuar në sektor privat, jo publik. Dhe në sektorin privat, të pambikëqyrur në tërësi, fillon trajtimi i pabarazisë së gruas – ndaj vetë gruas – këtë herë të asaj të punësuar në sektorin publik.

Pra, në secilin tregues e matës, ka dallim enorm në mes të dy grave të punësuara në dy sektorë të ndryshëm; privat kundrejt atij publik.

Për shembull, ndër të tjera, sipas të dhënave të anketës së “Riinvestit” me gra të punësuara në Kosovë, një grua në sektorin privat punon mesatarisht 6 ditë në javë; ndërsa një grua në sektorin publik punon 5 ditë në javë. Pra, një grua e punësuar në sektorin privat punon 20% më shumë se sa një grua në sektorin publik. Përkundrazi, kompensimi i saj është konsiderueshëm më i ulët se sa puna për publiken. Sërish, sipas të dhënave të konfirmuara, një grua në sektorin privat paguhet 30% më pak se sa një grua në sektorin publik.

Apo, në rastin tjetër, rreth 17% e grave të punësuara në sektorin publik punojnë më shumë se 10 orë në ditë; por plot 31%, pra dyfish më shumë, të grave në sektorin privat punojnë më shumë se 10 orë në ditë. Për më tepër, ky angazhim mbi normë s’paguhet asnjëherë në sektorin privat. Në atë publik marrin edhe mëditje.

Plot 45% e grave të punësuara në sektorin privat punojnë gjatë festave zyrtare. Gratë e punësuara në sektorin publik shfrytëzojnë jo vetëm pushimin vjetor e festat zyrtare, por shfrytëzojnë edhe pushimin “shëndetësor”, secilën ditë madje të tij. Pushimi shëndetësor në sektorin privat është i papagesë.

-6-

Joaktiviteti i gruas, punësimi i ulët i saj, trajtimi i pabarabartë në mes të burrave e grave në pagesë e kompensim, si dhe, mbi të gjitha, pabarazia trajtuese në mes të gruas në sektorin publik e asaj në sektorin privat, janë indikatorë të qartë, gjithsesi të trishtë, mbi ngecjen shoqërore tonën. Vendi ynë nuk arrin të trajtojë gjysmën e qytetarëve njëjtë. Dhe përderisa s’trajtojmë gjysmën tonë njëjtë, humbim gjysmën e potencialit ekonomik, ndërmarrës e të punës. Jemi gjithmonë gjysmë potenciali prapa.

Ka disa faktorë të rëndësishëm, dhe të domosdoshëm, që kjo shoqëri duhet ndërmarrë në vijimësi, për të kthyer atë “gjendjen tonë të luftës”, të krahasimit me vende në gjendje lufte pra, në një normalitet. Natyrisht, shumica e tyre kanë të bëjnë me modernizimin e familjeve kosovare dhe largimin e gruas nga mbajtja zënë me orar të plotë e gjysmë orari shtesë të punës, në shtëpi. Me siguri sistemi më i avancuar edukativ, hapja e çerdheve e qendrave të përkujdesjeve për fëmijë, sidomos nëpër zonat rurale, do të riaktivizojë gruan përsëri.

Por mbi të gjitha, ka një masë që është e pazëvendësueshme, e ajo ka të bëjë me bërjen atraktive të vendit të punës për gruan. Ky atraktivitet nuk mund të ndërtohet me 6 ditë pune në javë, as me mbi 10 orë pune në ditë, hiç se hiç me pagesë më të ulët e në fund dhe me kontratë të pasigurt që ndërlidhet me gjendjen e lindjes. Ky atraktivitet, ka të bëjë, madje, me bërjen e mu të kundërtës.

Së pari, me ndryshimin e Ligjit të punës, në veçanti me futjen e pushimit prindëror në Kosovë. Pushimi prindëror do të nënkuptonte nisjen e përkujdesjes atërore ndaj fëmijës – thënë ndryshe, marrjen e pushimit të lindjes dhe nga etërit, jo vetëm nga nënat. Mbi 95% e nënave besojnë se pushimi prindëror duhet të ndahet në mes të dy prindërve. Po aq nëna besojnë se të dy prindërit mund të kryejnë njëjtë punën e përkujdesjes fëmijërore.

Kam dëgjuar në vazhdimësi se Kosova s’është Skandinavi. Por Kosova s’mund të jetë as Siri, as Palestinë e as Irak e Afganistan. Dhe nëse na duhen masa radikale për ndryshim të normave shoqërore, atëherë pse mos t’i marrim masat e tilla menjëherë. Ndarja e pushimit në mes të prindërve do ta bëjë ndarjen e kostos në punësimin gjinor. Pra, për sektorin punësues privat, eventualisht do të bëhet e njëjtë marrja në punë të një burri e të një gruaje.

Së dyti, jo më pak e rëndësishme, Kosova duhet t’i rrisë kapacitetet vëzhguese të implementimit të Ligjit të punës. Sado që të duket klishe, me nivelin e tanishëm të inspektimeve, secila kontratë e secili ligj, ka gjasa zero të implementohet. Implementimi i kontratave e ligjeve mund të rrisë koston e bizneseve; rritje e cila më pas do të reflektohet dhe në çmime të tyre; çmime të cilat më pas do t’i paguajnë të gjithë qytetarët në vend. Por, një avancim i gruas në shoqëri është çmim që duhet paguar të gjithë. Përndryshe do të mbesim naivë po besuam se rimëkëmbja jonë mund të ndodhë me një gjendje të gruas si kjo.

abdixhiku@facebook.com