OpEd

Me miliarda evropiane duke kalëruar drejt Rusisë

Bashkimi Evropian është duke ia shtruar qilimin e kuq Serbisë, një shtet ku nuk ekziston drejtësia e pavarur dhe ku dashuria ndaj Vladimir Putinit është e madhe për shkak se lideri rus është antiperëndimor.

Gazetari serb Dragolub Drazha Petroviq para disa vitesh me ironi kishte shkruar se si shumë serbë edhe lideri aktual Aleksandar Vuçiq është i bindur se gjyshi dhe babai i tij kanë kalëruar drejt Rusisë. Por, vazhdonte gazetari serb, pas 90 kilometrave secili serb e vëren se Rusia është larg dhe kthehet. Shkrimtari serb Dushan Kovaçeviq në romanin “Na ishte njëherë një vend” ka shkruar se si serbët i idealizojnë rusët. Një personazh rus në romanin e tij përshkruhet si “dy metra i gjatë, vigan, krejt dhëmbët i ka të hekurt”. Të tillë jo pak serbë e përfytyrojnë Vladimir Putinin, i cili – në të vërtetë – është 170 centimetra i shkurt dhe në fund të javës do të zgjidhet president. Putin është në pushtet që nga viti 1999.

Më 31 dhjetor 1999 Boris Jelcini iu drejtua popullit me një fjalim, ku njoftoi se e kishte emëruar shefin e shërbimit sekret Vladimir Putin në postin e kryeministrit. Brenda disa muajsh Putin konsolidoi pushtetin dhe në zgjedhjet presidenciale fitoi pa problem. Pas viteve të Jelcinit, i cili mezi ecte i dehur nga rakia, rusët qenë të lumtur që, më në fund, kishin një president fizikisht të shkathtë. Të lumtur qenë dhe janë edhe serbët. Putini në Serbi është i popullarizuar jo vetëm për shkak se simbolizon vëllazërinë pansllaviste, por sidomos për politikat e tij antiperëndimore. Presidenti Aleksandar Vuçiq për të dëshmuar se është prorus e ka dërguar vajzën e tij në shkollën ruse në Beograd, ndërsa të lehurat e ministrit të Jashtëm, Ivica Daçiq, kundër Bashkimit Evropian dhe SHBA-ve dhe himnizimi i Rusisë janë dukuri e përditshme. Kështu Serbia vazhdon të kalërojë në drejtim të Rusisë – ose bëhet sikur po kalëron me qëllim që t’ia bëjë me dije Bashkimit Evropian se nëse Beogradit i vihen “kushte të papranueshme” (për shembull: pranimi i Pavarësisë së Kosovës), atëherë Rusia mbetet alternativë për një aleancë më të ngushtë. Kjo është politikë shantazhi dhe BE-ja, e ligështuar nga krizat e brendshme, i është nënshtruar këtij shantazhi.

Aferat korruptuese nën sundimin e Vuçiqit nuk kanë të ndalur dhe prapë në BE mbretëron heshtje. Njëri nga besnikët e Vuçiqit, Sinisha Mali, nga mediat e pakta të pavarura serbe akuzohet se posedon disa banesa në Bullgari, se ka 45 xhirollogari, se paratë e tij rrjedhin edhe nëpër banka zvicerane dhe në oaza të taksave, por BE-ja prapë hesht. Siç bën edhe në rastin e ministrit të Mbrojtjes, i cili nuk ka arritur të dëshmojë se si e ka blerë një banesë në Beograd. I zënë ngushtë nga pyetjet kritike të medieve, ai ka thënë se banesën ia ka paguar tezja, e cila jeton në Kanada. Deri më sot opinioni serb pret të mësojë se kush është ajo teze. Një ministër serb është zbuluar se ka një adresë në Zürich, një vendbanim i preferuar për ata që duan t’u shmangen tatimeve. Të gjitha këto afera drejtësia serbe i shikon me indiferencë. Dhe BE-ja bëhet e verbër.

Së fundi në Beograd qëndroi ministri i Jashtëm rus, Sergej Lavrov, i cili indirekt paralajmëroi një skenar ukrainas nëse Perëndimi i vë vendet e rajonit dhe sidomos Serbinë para zgjedhjes: me Rusinë apo me Perëndimin? Pas tij erdhi Aleksandar Dugin, filozof me mjekër patriarku, pëshpëritës i Vladimir Putinit, idhull i qarqeve rusomëdha, propagandist i “Unionit Euroaziatik”, kundërmodeli i Putinit ndaj BE-së. Dugin tha në Beograd se BE-ja e ka ndërmend të zhbëjë identitetin serb, pastaj vazhdoi rrugën për në Shkup, rreth 100 kilometra afër Prishtinës, ku ua tërhoqi vërejtjen nja 400 nacionalistëve maqedonas të mbledhur në një hotel se BE-ja do të shkatërrojë traditën, fenë dhe identitetin e këtij populli ballkanik. Nacionalistët duartrokitën si në trans.

E vërteta është krejt ndryshe: BE-ja nuk po e shkatërron identitetin e popujve të Ballkanit, por po e ndihmon këtë rajon me miliarda. Vetëm mes vitit 2007-2017 BE-ja ka ndarë mbi 9 miliardë euro për vendet e Ballkanit, prej tyre gati gjysma kanë përfunduar nga arkat e shtetit serb apo të organizatave joqeveritare. Firmat evropiane në Serbi kanë investuar rreth 15 miliardë euro, ndërsa ato ruse pak më shumë se 2 miliardë. Ndërsa BE-ja e ndihmon Serbinë për t’u transformuar në shtet modern, Rusia i dhuron Beogradit disa avionë të vjetër të Ushtrisë Ruse. Dhe kjo dhuratë i ngazëllen aq shumë serbët, saqë mediat nëntokësore të kontrolluara nga Vuçiqi shtyhen se kush po i boton titujt me shkronja më të mëdha për të mallkuar Perëndimin. Ministri i deritanishëm gjerman i Punëve të Jashtme, Sigmar Gabriel, gjatë një vizite në Beograd ishte habitur që nga aeroporti në qendër të qytetit nuk kishte parë asnjë ngjyrë të BE-së, por vetëm posterë ku lavdërohej miqësia ruso-serbe. Ndërsa në Serbi pëlqehen vetëm miliardat e taksapaguesve evropianë, por jo edhe ngjyrat dhe vlerat e BE-së, atëherë çdo investim perëndimor në këtë vend nuk do të sjellë rezultatet e pritura. Rrjedhimisht, BE-ja duhet t’i japë fund politikës përkëdhelëse ndaj Beogradit, i cili është shndërruar në burim jostabiliteti kudo në rajon – ndonëse politikanë naivë evropianë besojnë të kundërtën.