OpEd

Si u bë Aleksandar Vuçiqi autokrati i preferuar i Evropës

Presidenti i Federatës Evropiane të Gazetarëve, Mogens Blicher Bjerregard, e ka cekur Serbinë si shtetin me shkeljet më të rënda të lirisë së medieve në Ballkan. Sidoqoftë, zyrtarët e BE-së, si Johannes Hahn, komisar evropian për Politika Evropiane të Fqinjësisë dhe Zgjerimit, nuk ka hezituar t’i mbyllë sytë derisa Vuçiqi i shkel “vlerat evropiane”. Kancelari i ri i Austrisë, Sebastian Kurz, në një rast e pati përshkruar si “shtyllë e stabilitetit”, derisa kancelarja gjermane, Angela Merkel, rishtazi i ka thënë Vuçiqit se “jemi të impresionuar se sa sukses ka Serbia në rrugën e saj drejt reformave”. Heshtja e tyre rreth sjelljes së tij antidemokratike është shurdhuese

Në një raport kohë më parë të Dhomës britanike të Lordëve paraqitet ankesa se Bashkimi Evropian e ka përzgjedhur “stabilitetin mbi vlerat demokratike” në Ballkanin Perëndimor, derisa shprehet “shqetësimi serioz se të arriturat në drejtim të qeverisjes së mirë dhe sundimit të ligjit janë në rrezik të humbasin, derisa shtetet në rajon po i kthehen udhëheqjes autoritare”.

Sado ironike mund të jetë për një institucion që nuk zgjidhet, si Dhoma e Lordëve, që të ankohet për vlerat demokratike, autorët e raportit kanë të drejtë: pjesa më e madhe e qeverive pasjugosllave janë bërë “stabilitokraci” në vend të demokracive – dhe askund nuk vërehet më shumë kjo gjë sesa në Serbi.

Qëkur u kthye në qeveri më 2012, pas një 12-vjetëshi të kaluar në opozitë, Aleksandar Vuçiqi është ngjitur në mënyrë metodike shkallëve politike të Serbisë, duke u ngritur prej ministrit të Mbrojtjes në kryeministër, për ta marrë në fund presidencën, gjë që ndodhi gjatë pranverës së kaluar. Presidenti Vuçiq është ultranacionalist i reformuar, që ka shërbyer si ministër i Informimit i Slobodan Milosheviqit në ditët e fundit të luftërave në Jugosllavi, një rol që përfshinte gjobitjen e gazetarëve, që e kritikonin regjimin dhe ndalimin e rrjeteve televizive jomiqësore. Gjatë viteve të kaluara ai ka kryesuar gjatë një periudhë të një zmbrapsjeje të rrezikshme demokratike. Partia e tij Progresive serbe, e qendrës së djathtë, ka kontrollin e plotë të qeverisë, gjyqësorit dhe shërbimeve serbe të sigurisë, derisa ka neutralizuar mediet lokale në atë shkallë, saqë vetëm një numër i vogël i tyre kanë pasur guximin të publikonin akuzat substanciale për korrupsion, nepotizëm dhe frikësim të votuesve, të pranishme gjatë kohës sa ka qenë në pushtet.

Gjatë gjashtë vjetëve të kaluar Vuçiqi ka vendosur atë që do të mundë të përshkruhej autokraci e butë. Në sipërfaqe Serbia është ende shoqëri demokratike me zgjedhje të lira në letër dhe një opozitë politike, me ç’rast të pakënaqurit janë në gjendje ta kritikojnë partinë në pushtet, pa u frikësuar se do të zhduken në mënyrë misterioze. Por kontrolli i Vuçiqit me qendrat e pushtetit në Serbi është aq i plotë dhe procesi demokratik është aq i shtrembëruar saqë pakënaqësia nuk paraqet rrezik për pushtetin e tij.

Kundërshtarët e tij politikë janë të lirë të garojnë kundër tij, por kanë pak mjete për t’i bërë zërat e tyre të dëgjohen. Institucionet e shtetit janë aq të kontrolluara nga aleatët e Vuçiqit, saqë nuk ka asgjë për ta ndalur atë në zmbrapsjen e normave demokratike.

Një gjë e tillë më së shumti vërehet tek mediet. Vuçiqi ia ka dalë ta ngufasë shtypin, duke marrë nën kontroll burimin e tyre kryesor të të ardhurave: reklamat. Pjesa më e madhe e agjencive të reklamave në këtë shtet janë në pronësi të magnatëve të paktë të medieve, të cilët i janë besnikë Vuçiqit dhe të cilët në vend se të bazojnë buxhetet mbi faktorë të tregut, blejnë hapësirë prej stacioneve televizive dhe gazetave, duke i dhënë presidentit mbulim të favorshëm dhe duke mos iu dhënë fonde atyre që e kritikojnë.

Mediet stimulohen edhe ndryshe që ta mbështesin linjën pro qeverisë: RTV Pink, transmetuesi më i madh privat i shtetit, ka pranuar së paku shtatë milionë euro hua nga qeveria midis 2014-s dhe 2016-s. Sipas Dubravka Valiq-Nedelkoviq, profesoreshë e studimeve mbi mediet në Universitetin e Novi-Sadit, kur Vuçiqi kandidoi për president, më 2017, Pink ia ktheu favorin, duke e mbuluar atë 267 herë më shumë sesa të gjithë kundërshtarët e tjerë së bashku. Ndonëse pak gazeta apo stacione televizive funksionojnë si zëdhënëse direkte të qeverisë, shumica u shmangen pyetjeve të vështira.

Ato që mundohen t’i detyrojnë liderët e tyre të japin llogari shpesh e shohin se llogaritë e tyre bankare bllokohen prej autoriteteve tatimore, derisa vihen nën hetime për parregullsi të pretenduara financiare. “Danas”, një gazetë e njohur e pavarur, ka humbur aq shumë reklama, saqë gazeta tani shkon vetëm në 24 faqe, në vend të 32 faqeve të zakonshme, ndonëse ofron hapësirën më të mirë reklamuese në treg. Gazetarët, që kanë qenë thumbues në kritikat e tyre ndaj presidentit, janë marrë në pyetje nga BIA, agjencia shtetërore serbe e inteligjencës, nën akuza të pazakonshme, si shantazhi dhe trafikimi për seks.

Në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, në tetor të 2017-s, presidenti i Federatës Evropiane të Gazetarëve, Mogens Blicher Bjerregard, e ka cekur Serbinë si shtetin me shkeljet më të rënda të lirisë së medieve në Ballkan. Sidoqoftë, zyrtarët e BE-së, si Johannes Hahn, komisar evropian për Politika Evropiane të Fqinjësisë dhe Zgjerimit, nuk ka hezituar t’i mbyllë sytë derisa Vuçiqi i shkel “vlerat evropiane”, të cilat ata supozohet se i duan aq shumë.

Kancelari i ri i Austrisë, Sebastian Kurz, në një rast e pati përshkruar si “shtyllë e stabilitetit”, derisa kancelarja gjermane, Angela Merkel, rishtazi i ka thënë Vuçiqit se “jemi të impresionuar se sa sukses ka Serbia në rrugën e saj drejt reformave”. Heshtja e tyre rreth sjelljes së tij antidemokratike është shurdhuese.

Përderisa Serbia mbetet jashtë Bashkimit Evropian, Brukseli është në gjendje që ta ndajë veten nga sjelljet e çuditshme të Vuçiqit. Për dallim prej demokracisë joliberale të Viktor Orbanit në Hungari, autokracia e butë e Serbisë nuk është njollë në Evropë.

Vuçiqi mund të jetë përfaqësues i dobët për projektin evropian, por Brukseli mund të mbështetet tek ai, për avancimin e synimeve të veta gjeostrategjike në Ballkan.

Në të vërtetë Vuçiqi ofron stabilitet në një rajon të trazuar, derisa ka mbikëqyrë me sukses një numër masash shtrënguese të Fondit Monetar Ndërkombëtar, për uljen e borxhit të Serbisë dhe deficitit buxhetor, duke shkurtuar pagat e sektorit publik dhe pensionet, që janë pjesë e një ristrukturimi më të gjerë të ekonomisë serbe, me qëllim të përmbushjes së kritereve të BE-së për zgjerim.

Me gjithë deficitet e tij në demokraci, Vuçiqi është relativisht i moderuar sipas standardeve politike serbe, derisa dominimi i tij në politikën shtetërore siguron që shovinistët etnike, si Vojislav Sheshel, ish-zv.kryeministër i Milosheviqit, që kishte kaluar 11 vjet në gjykim në Hagë, duke u përballur me akuza të krimeve kundër njerëzimit, mbesin të margjinalizuar. Ai është duke ecur në drejtimin e duhur rreth Kosovës derisa rishtazi ka deklaruar se “ne duhet të jetojmë dhe të bashkëpunojmë me sukses”. Normalizimi i raporteve midis Serbisë dhe Kosovën, që do ta haptë rrugën për njohjen në fund të pavarësisë së saj, është prioriteti kryesor i BE-së në Ballkan.

Zyrtarët e BE-së hezitojnë të ushtrojnë shumë presion mbi Vuçiqin, në mënyrë që ai të mos shikojë nga Lindja. Presidenti serb mban lidhje të ngushta me Kremlinin, derisa disa prej kritikëve lokalë të tij e kanë akuzuar se po e shfrytëzon atë raport kundër Brukselit. Vuçiqi është këmbëngulës se, për dallim prej Malit të Zi fqinj, Serbia nuk do t’i bashkohet kurrë NATO-s, derisa ka refuzuar që ta ndjekë shembullin e fuqive perëndimore në vënien e sanksioneve ndaj Rusisë.

Arsyeja është ndjesia e fortë proruse në Serbi: Dy shtetet i bashkon besimi ortodoks dhe trashëgimia sllave. “Serbia nuk do të ndryshojë politikat e saj... dhe nuk do t’i vërë sanksione Rusisë”, ka thënë Vuçiqi, pas një takimi kohë më parë me ministrin e Jashtëm rus, Sergey Lavrov. Në qershor të 2017-s, vetëm një ditë pas anëtarësimit të Malit të Zi në NATO, trupat serbe morën pjesë në një manovër të përbashkët ushtarake me Rusinë dhe Bjellorusinë, në afërsi të kufirit me Poloninë, derisa ushtria serbe më vonë gjatë atij viti pranoi një donacion prej gjashtë aeroplanëve luftarakë nga Moska, e cila po ashtu i ka premtuar 30 tanke dhe 30 autoblinda.

Përpjekjet e Serbisë për t’i pasur punët mirë me të dyja palët nuk janë pranuar edhe aq mirë në Washington. Kongresisti demokratik në Texas, Eddie Bernice Johnson i kishte shkruar një letër nënpresidentit amerikan, Mike Pence, duke e nxitur të mos e takojë Vuçiqin, gjatë vizitës së këtij të fundit në SHBA nga mesi i vitit 2017, derisa Hoyt Brian Yee, që rishtazi ka dhënë dorëheqje si zv.ndihmëssekretar amerikan për çështje Evropiane dhe Euroaziatike iu kishte thënë zyrtarëve serbë gjatë vitit të kaluar se vendi “nuk mund të ulet në dy karrige në të njëjtën kohë, posaçërisht nëse ato janë shumë larg njëra tjetrës”. Yee po ashtu ka shprehur frikën se një qendër humanitare, e udhëhequr prej rusëve, në afërsi të Nishit, mund të shërbejë si bazë spiunimi, një akuzë kjo që nga rusët është hedhur poshtë si absurde.

Qasja e Vuçiqit ndaj Moskës është kryesisht retorike – me qëllim që t’i pajtojë rusofilët në partinë e tij dhe në elektoratin e gjerë. Me gjithë qëndrimin e tij, ushtria e Serbisë megjithatë ka marrë pjesë në 13 manovra me NATO-n, apo shtetet anëtare të saj më 2017-n, shtatë prej të cilave ishin me SHBA-në, derisa disa ekspertë argumentojnë se shteti vepron si të jetë anëtare e NATO-s. Lidhjet me NATO-n janë një temë, së cilës Qeveria serbe dëshiron t’i shmanget me çdo kusht: Urrejtja ndaj aleancës ushtarake vazhdon të jetë e përhapur në Serbi, e cila u bombardua për tre muaj nga forcat e NATO-s më 1999.

Kur Putini e nxiti Vuçiqin që t’i japë status diplomatik stafit rus në qendrën e sipërpërmendur humanitare, ai iu përgjigj në mënyrë të matur, duke e zvarritur çështjen dhe duke shpërfillur zërat më të zëshëm pro-Kremlinit në kabinetin e tij derisa çështja u hesht. BE-ja blen gati dhjetë fish më shumë eksporte serbe sesa Rusia dhe Dimitar Bechev, bashkëpunëtor i lartë jorezident në Qendrën për Euroazi të Këshillit Atlantik i thotë “Foreign Policys” se “me gjithë zhurmën për lidhjet me Moskën, ekonomia serbe dhe, deri në një shkallë edhe shoqëria, janë të integruara thellë me BE-në”. Vuçiqi është i vetëdijshëm, si argumenton Bechev për “miliardat nga fondet e BE-së, prej të cilave përfitojnë shtetet anëtare dhe që ushqejnë politikën klienteliste. Ai e dëshiron atë gjë, ndonëse nuk është demokrat shembullor, që mbështet vlerat e BE-së”.

Madje edhe nëse presidenti i Serbisë është i vetëdijshëm për këtë gjë, shteti mbetet i varur nga Rusia për naftë dhe gaz. Gjiganti energjetik rus, “Gazprom” ka shumicën e aksioneve në kompaninë shtetërore serbe të naftës, derisa Serbia në të njëjtën kohë mund të bëhet pjesë e gazsjellësit Turkstream.

Fakti se Serbia qëndron e vendosur në shtegun evropian megjithatë nuk paraqet problem për Moskën: Ndjesitë proruse të Vuçiqit janë të mirëfillta, derisa përkrahja prej tij e Orbanit dhe kryeministrit grek, Alexis Tsipras, brenda BE-së do të shkonte në dobi të Kremlinit.

“Serbia në BE paraqet përfitim për Rusinë; ata nuk presin më shumë”, thotë Bechev. “Status quoja – lidhjet politike plus një bashkëpunim ekonomik – i përshtatet Moskës”.

Toleranca e BE-së për Vuçiqin mund të jetë pragmatike në aspektin politik dhe një mënyrë e lehtë për ruajtjen e stabilitetit në Ballkan, por është edhe thellësisht cinike. Në të vërtetë, BE-ja po e rrënon autoritetin e saj moral. Në tërë kontinentin, njerëzit janë duke e humbur besimin tek projekti evropian dhe kjo pakënaqësi nuk vjen vetëm prej së djathtës populiste: majtistët britanikë promovojnë meritat e një Brexiti progresiv, derisa trajtimi i ashpër i Greqisë nga blloku gjatë krizës në eurozonë iu ka dhënë arsye kritikëve të saj dhe e ka vënë në sprovë besimin e idealistëve panevropianë. Në zgjedhjet e mëparshme parlamentare në Itali, dy parti euroskeptike, lëvizja “Pesë Yjet” dhe “Liga” i kanë fituar së bashku rreth 48 për qind të votave. Rritja anemike bën që blloku të mos mbrohet me efikasitet mbi bazën ekonomike, dhe përmes mbështetjes së autoritarëve të korruptuar, si Vuçiqi, Brukseli u jep peshë akuzave se BE-ja dhe mbrojtësit e saj në të vërtetë nuk po mbrojnë më asgjë.

Edhe ashtu, Evropa nuk ka shumë të drejtë t’iu mbajë ligjërata Putinëve, Orbanëve, Erdoganëve dhe Kaczynskive të botës për dështimet e tyre demokratike, po qe se është e përgatitur ta mbështesë dikë si Vuçiqi. Hendeku gjithnjë e më i madh midis fjalëve dhe veprave të BE-së mund të shndërrohet në armë të fortë të populistëve të cilët, nëse asgjë tjetër, të paktën veprojnë ashtu si flasin.

(Aleks Eror është gazetar i lindur në Beograd, shkrimet e të cilit janë botuar në “Guardian”, “New Republic”, “Vice”, “Slate”, “Telegraph”. Marrë nga “Foreign Policy”)