Njëherë edukata, pastaj arsimi

Brikenda Rexhepi Brikenda Rexhepi 11 mars 2018 08:00

Kur dëgjon shprehjet në Kuvend dhe e sheh agresivitetin nënçmues e joargumentues... ashtu siç shkolla nuk të mëson, e përjeton ironinë e situatës: njerëz politikë, pa edukatë elementare, sot marrin vendime për arsimimin e potencialit të Kosovës.

Mjafton ta shikosh videon e seancës të së mërkurës për ta kuptuar devalvimin, e më shumë poshtërimin, e arsimit. Kur dëgjon shprehjet në Kuvend dhe e sheh agresivitetin nënçmues e joargumentues... ashtu siç shkolla nuk të mëson, e përjeton ironinë e situatës: njerëz politikë, pa edukatë elementare, sot marrin vendime për arsimimin e potencialit të Kosovës.

Kështu pak a shumë ka qenë që nga paslufta, kur politikanët sipas interesave të rrethit të tyre kapën shkollën dhe e shkatërruan atë. Nisi LDK-ja krejt në fillim, për t’ia grabitur pas pak PDK-ja, e cila e mbajti derisa e devalvoi deri në turp. Tash aty ka futur duart Nisma, partia që mori pushtet falë ‘zemërgjerësisë’ së PDK-së para zgjedhjeve dhe të AAK-së pas tyre. S’ka çka të prishet më aty e që mund të trajtohet seriozisht. Tash çdo gjë kalon në absurditet.

Garnitura më e re e Ministrisë së Arsimit nisi shkeljet ligjore e etike tetë ditë pas zbarkimit, ende pa i mësuar korridoret e objektit të ri, e lëre më gjendjen e organizmave arsimorë.

  • Nisi me shkarkimin e anëtarëve të Këshillit Shtetëror të Cilësisë, që njihet si Bordi i Agjencisë Kosovare të Akreditimit. Nuk u mërzit që për këtë ligji e obligon të raportojë në Kuvend. Në vend të kësaj Kuvendit i dërgoi emra njerëzish për t’i ratifikuar si anëtarë të rinj të Bordit.
  • Vazhdoi me shkarkimin e katër anëtarëve e deleguar nga Ministria në Këshillin Drejtues të Universitetit të Prishtinës. I zëvendësoi me emra të rinj, shumë nga të cilët njerëz të afërt të ministrit apo të partive në pushtet. Madje në krye të organit kryesor të UP-së u vu anëtarja e re, shefja e ministrit në Shoqatën e Kontabilistëve.
  • Nxori Udhëzimin administrativ për “parimet e njohjes së platformave dhe revistave ndërkombëtare me recension”, gjë që në shikim të parë duket legjislacion i zakonshëm sekondar. Por në proces e sipër injoroi Rektoratin dhe i kërkoi që të mos e miratojë Rregulloren e procedurave vlerësuese për zgjedhjen, rizgjedhjen dhe avancimin e personelit akademik. Rektori e quajti këtë ndërhyrje politike në pavarësinë e Universitetit. Në fund doli që Udhëzimi Administrativ i Ministrisë të jetë zemërgjerë për përzgjedhjen e revistave, ndonëse u promovua si e kundërta, si “shpëtim” nga fenomeni i avancimeve të pamerituara.
  • U formua komisioni, i cili do të vlerësojë qëndrueshmërinë e 7 universiteteve publike sa janë gjithsej. Qëllimi MASHT-i thotë se është ngritja e cilësisë në arsimin e lartë. Ideja është të mbesin vetëm dy, ai i Prishtinës dhe një tjetër, qoftë i Pejës apo Prizrenit. Ndërkohë që qarkullimi vjetor i kolegjeve private mbërrin me 100 milionë euro në vit dhe me mbylljen e pesë universiteteve publike numri i klientëve do të shumëfishohej. “Lufta e akreditimit” dhe pronësia e privatëve mbesin një çështje ngushtë e lidhur mes vete.
  • Hapa u morën edhe në lidhje me më të vegjlit, nisur me fatosat. MASHT-i paralajmëroi profilizimin e mësimdhënësve nga klasa e parë në të pestën, nga shtatori i këtij viti. Ideja është që mësuesit të profilizohen për një vit, që do të thotë që secilin vit shkollor ata të ndërrojnë. Një nismë e shpejtë sikur të tjerat, e papilotuar fare dhe e paanalizuar që, siç e shtron njohësi i çështjeve të arsimit, Halim Hyseni, i shndërron fëmijët në “minj eksperimentalë”.

Nga ana tjetër, ka hapa që nuk janë ndërmarrë. Për shembull.

  • Në prag të testit PISA 2018, që pritet të mbahet në fillim të prillit, mbesin të pazbatuara shumica e masave të Strategjisë për arsimin 2017-2021. Kjo Strategji pati ardhur si përgjigje ndaj rezultateve të dobëta të testit PISA 2015 dhe parasheh gjithsej 263 masa për përmirësimin e cilësisë. Njohësit e çështjeve të arsimit paralajmërojnë se rezultatet nuk do të jenë më të mira as kësaj radhe.
  • Tekstet shkollore mbesin të pareviduara qoftë sa i përket përmbajtjes, kryesisht te librat e shkencave shoqërore, qoftë sa i përket përshtatjes me planprogramin e ri shkollor që nisi së zbatuari nga shtatori i vitit të kaluar. Mësimdhënësit ankohen se klasat e para dhe klasat e gjashta, në të cilat ka nisur zbatimi i planprogramit, duhet të improvizojnë me tekste shkollore. Edhe vitin e ardhshëm shkollor filloristët do të mësojnë me planprogram të të ri dhe me libra të vjetra.
  • Ndërkohë marrëveshja, që gjatë fushatës parazgjedhore e patën nënshkruar shefat e partive në pushtet me Sindikatën e Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës së Kosovës (SBASHK), mbetet e paplotësuar në secilën pikë të saj. Koalicioni rreth PDK-së bëri marrëveshje në shkëmbim të votave të mbi 20 mijë mësimdhënësve. E kërkesat e SBASHK-ut nuk qenë ndonjë favor, por të drejta legjitime të tyre. Sindikata ka organizuar dy greva, do të ketë ende. Ka paralajmëruar grevë të përgjithshme muajin e ardhshëm.

Nuk po afrohen ditë të mira. Dhe kjo, sikurse ditët e këqija të përjashtimit nga EQAR-i, duhet të jenë të mirëseardhura. Po të mos kishte reaguar EQAR-i, sado i dhimbshëm vendimi i tij, kurrë nuk do të ishte aktualizuar kaq shumë ndërhyrja politike në Agjencinë e Akreditimit. Ka shumë të tillë që e quajnë politike edhe strukturën e kaluar, por kjo nuk mund të jetë rrethanë lehtësuese. Përkundrazi, është dështim i atyre që nuk kanë folur e faktuar.

Ministri e shkarkoi, me kërkesë të kryeministrit, duke thënë se ka pasur parregullsi. Por, derisa Bordi dha dëshmi në një raport të hollësishëm për procesin e akreditimit, ministri e as kryeministri nuk qenë në gjendje të argumentonin vendimin e tyre. Kryeministri madje në seancën që u thirr pas përjashtimit nga EQAR-i na bëri të turpërohemi nga diskursi e qasja për zgjidhjen e një çështjeje siç është arsimi. “Ku po ju dhemb?”, është shprehje që më së paku ka vend të përdoret kur diskutohet për shkollën.

Po aq dëshpëruese është impotenca e studentëve që dikur kanë qenë potenciali për ndryshim. Çfarë do të kishin bëra ata po të mos ishte EQAR-i? Do të vazhdonin pa zë të shkonin në ligjërata?

Nga ana tjetër, greva e mësimdhënësve më shumë flet për naivitetin e Sindikatës sesa për ndonjë kapacitet të ndërmarrjes së potezave strategjikë. Me sa palë mend nënshkruhet marrëveshje përkrahëse në fushatë parazgjedhore?

Ndërkohë PISA 2018 së shpejti do të na japë edhe një shkundje.

A duhet të na përjashtojë edhe dikush për ta lëvizur arsimin? A ka mbetur kush që mund të mobilizohet për të kërkuar dinjitet?

brikenda@koha.net

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Tjera nga Brikenda Rexhepi