Statistikat që trembin pushtetin

Elmaz Isufi Elmaz Isufi 26 mars 2017 08:00

Premtimet e Mustafës, të bëra bashkë me “përrallat” e Thaçit, nuk janë realizuar asnjëherë. Numri i të punësuarve nuk ka lëvizur në raport me rritjen e të papunëve. Rrogat kanë mbetur ato që qeveria Mustafa i kishte trashëguar nga qeveria paraprake, ndërsa buxheti është gati po i njëjti, me ndryshimin se janë dashur 300 milionë euro borxh për ta arritur artificialisht shifrën e 2 miliardëve. Edhe vlerat e importit nuk janë ulur, përkundrazi, deficiti tregtar ka arritur vlera rekorde

Të freskëta i kemi premtimet e PDK-së e LDK-së në fushatën e fundit për zgjedhjet nacionale. E para i kishte më të forta, e LDK-ja tregohej më e “përmbajtur”, më shumë për faktin se duke u konsideruar parti që asnjëherë nuk ka treguar kurajën e vendimmarrjes, mund të dukej edhe më e pabesë në sy të qytetarëve.

Hashim Thaçi, që nuk i trembej humbjes, vazhdonte premtimet për vende të reja të punës deri në 200 mijë, për rritjen e pagave 100 për qind dhe për krijimin e fondit për punësim deri në 1.5 miliardë euro. Gjysmë miliardi i ka përmendur për sektorin e bujqësisë me potencial të punësimit të 50 mijë vetave.

Thaçit nuk i kanë besuar të papunët dhe ai e ka ditur këtë. Më shumë se për ta ai brengosej për të punësuarit. I duhej kjo masë kritike e votuesve, e mjaftueshme për ta nxjerrë të parin. Dhe fokusi i tij ishte te premtimi për rritjen e pagave. Kishte dhënë prova gjatë dy mandateve të mëparshme se edhe e bënë këtë, pavarësisht tronditjeve që mund të ketë stabiliteti financiar i vendit.

Lista e premtimeve të ish-liderit të PDK-së është e gjatë. Po aq sa edhe e rivalit të tij në fushatë, tash partnerit në qeveri, Isa Mustafa, të LDK-së.

Mustafa më 2014 ka premtuar 120 mijë vende të reja pune e buxhet 2.5 miliardë. Ka thënë se me qeverisjen e LDK-së, në katër vjetët e ardhshëm, 80 për qind e prodhimeve do të jenë vendore, e vetëm 20 për qind nga importi. Bujqësia, energjetika, Ligji për Prishtinën, ushtria ishin të tjera zotime të tij. Premtimet e rivalëve, e edhe të Thaçit, Mustafa i kishte quajtur përralla.

Por premtimet e tij të bëra bashkë me “përrallat” e Thaçit nuk janë realizuar asnjëherë.

Numri i të punësuarve nuk ka lëvizur fare në raport me rritjen e të papunëve. Madje një studim profesional do të nxirrte rritje të numrit të të papunëve. Rrogat kanë mbetur ato që qeverisja Mustafa i ka trashëguar nga qeveria paraprake. Buxheti është gati po i njëjti, me ndryshimin se janë dashur 300 milionë euro kredi për ta arritur artificialisht shifrën e 2 miliardëve. Ndërsa, vlerat e importit nuk janë ulur, përkundrazi, deficiti tregtar ka arritur vlera rekorde.

Të gjendur përballë jo qytetarëve, por rrenave të tyre, partnerët e koalicionit kanë nisur qysh tash fushatën për të bindur opinionin se këto vite është punuar mirë. Më shumë në presion është Isa Mustafa. Dhe për të shmangur kritikat, ai ka nisur valën tjetër, jo të dhënies së premtimeve, por të rrëfimeve për arritjen e sukseseve.

Shifrën prej 26 mijë të punësuarve që e ka publikuar Agjencia e Statistikave, institucion brenda Kryeministrisë, ai pa një, pa dy e ka fryrë në 40 mijë. As ai e as vartësit e tij ministra nuk tregojnë se ku dhe si u punësuan 26 mijë të ASK-së, apo 40 mijë të Qeverisë. Nuk tregojnë se sa e ka relativizuar këtë “arritje” hyrja në tregun e punës e mbi 50 mijë të rinjve. Nuk tregojnë se në këto vende të reja pune sa janë zëvendësim i personave që kanë lëshuar vendin, sa kanë arritur moshën e pensionit (numri i tyre thuhet se arrin në afro 1.500 në vit), apo edhe sa kanë ndërruar jetë. A kanë bërë anketë institucionet për të kuptuar se sa është numri i atyre që deri dje kanë punuar në të zezë e tash janë deklaruar me letra, dhe a mund të konsiderohet vend i ri pune legalizimi i vendeve ekzistuese të punës.

Mustafa e as partnerët e tij në Qeveri nuk kanë shpjegim se si për 70 vende pune në Shërbimin Korrektues kanë konkurruar 4 mijë veta. Apo se si për një edukatore në Komunën e Prishtinës kanë konkurruar 150 të diplomuar. Nuk tregojnë se çfarë tregon largimi i punëtorëve nga “Ferronikeli” e KEDS-i dhe pse ende investitori më i madh i huaj direkt është Telekomi i Sllovenisë që në tregun e Kosovës është futur 10 vjet më parë.

Në vend të këtyre përgjigjeve pushteti i trembur vazhdon me manipulimin e publikut, e që në këndvështrimin e saj konsiderohet normë komunikimi. Insiston se papunësia ka rënë në 26 për qind, dhe se shifra e tyre nuk shkon mbi 130 mijë. Për qindra mijëra të papunë të tjerë, por që nuk trokasin në dyert e institucioneve, kanë shkuar aq larg sa kanë shpikur termin “të papunë joaktivë”.

Për të mos u thënë edhe “të paaftë”, Qeveria ka zgjedhur të tjera epitete për ta, si dembelë, refuzues, njerëz që pëlqejnë më shumë “socialin”, apo persona që duan të rrojnë me dërgesat e të afërmve nga diaspora.

Por, ajo çfarë nuk mund të fshehë pushteti dhe instrumentet e tij që publikojnë statistika zyrtare është numri i tyre, gjithsej 730 mijë. Nuk mund të ndërtosh politika zhvillimi duke hequr nga statistika dy të tretat e fuqisë punëtore. Treguesit e normës së rritjes ekonomike, sado qofshin ata, me këtë fizkulturë, nuk kanë vlerë dhe nuk mund të justifikojnë ndikimin e tij në uljen e shkallës së papunësisë e të varfërisë. Nuk mund të projektosh politika dhe strategji zhvillimore pa u përballur me të vërtetën, sado e hidhur të jetë ajo. Fshehja e kësaj të vërtete për një kohë mund të konsiderohet vetëm barrë sociale, por më pas mund të shndërrohet në bombë që përmbys sistemin.

Të kufizosh artificialisht numrin e të papunëve nga 850 mijë në vetëm 120 mijë veta është tallja më e madhe publike që mund t’i bëhet qytetarit të Kosovës, të atij që fuqinë ekonomike të vendit e mat me peshojën e tij. Atij që të vërtetën e sheh dhe e prek çdo ditë. Që e ndien në shpirtin e tij dhe të atyre që e rrethojnë.

Për pushtetin shqetësim nuk duhet të jenë 120 mijë të papunët e regjistrave zyrtare, por gati gjysma e popullsisë, të cilët jo vetëm që nuk trokasin në dyert e institucioneve publike e private, por edhe kanë humbur shpresën se do të ketë ndonjëherë drejtësi dhe punë për ta.

Kjo armatë prej mbi 700 mijë vetave është e frikshme për secilën qeveri, për secilën shoqëri qytetare. Qeveritë serioze do të punonin me të gjitha kapacitetet, nëse jo për t’u gjetur me automatizëm punë, të paktën që kjo masë të kthente besimin në shtet.

E qeveritë e papërgjegjshme si kjo e jona nuk e bënë këtë. Të papunët aktivë e joaktivë u shërbejnë në propagandën politike vetëm për të shmangur “manipulimin” e tyre nga kundërshtarët politikë. Duke vënë në funksion instrumentet që kontrollojnë statistikat zyrtare, ata nëpërmjet shifrave artificiale rrisin shpresën se secilit herët a vonë do t’i bëhet çareja. Për dy vjet thonë se kanë punësuar 40 mijë veta, që i bie se për pjesën e mbetur të premtuar në fushatë u mjafton vetëm edhe një mandat i ri.

Por, e keqja është se gënjeshtrat e tyre tash sikur nuk po e irritojnë as opozitën. Në diskursin publik, kur po vjen era zgjedhje, ato kanë vënë qëllim sërish vetëm marrjen e pushtetit. I kanë hequr edhe vijat e kuqe. Nuk përbëjnë problem për partneritet partitë në pushtet, por liderët e tyre. Me PDK-në e kanë zgjidhur dilemën që me largimin Thaçit, e u ka mbetur vetëm LDK-ja, e keqja e vetme e së cilës, sipas tyre, është lideri Isa Mustafa. Ai, që tre vjet më parë ishte i padëshiruar para zgjedhjeve, e pas tyre u pëlqente kur ëndërronin ndarjen e pushtetit në katër pjesë.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Tjera nga Elmaz Isufi