Akreditimi moral dhe konformizmi akademik

Bekim Kupina Bekim Kupina 04 mars 2018 09:27

Ministër i Nismës i Arsimit, dorëhiqu edhe nëse s`ta kërkon kush. Jo për tjetër, por për shkak të një standardi demokratik që njihet me përkufizimin “qeverisje e mirë”. Dhe në këtë pikë ju keni dështuar tërësisht me një seri veprimesh të ndërmarra së fundi në sektorin e arsimit: që nga ndërhyrja në Universitet (Udhëzimi Administrativ për parimet-e-njohjes-së-platformave-dhe-revistave-ndërkombëtare-me-recension), emërimet në Këshillin Drejtues, e deri te Agjencia e Akreditimit, që është kapaku i ndërhyrjeve politike

Në 10-vjetshin e fundit, pothuajse çdo 2-3 vjet është kërkuar dorëheqja e rektorit të UP-së, por asnjëherë e ndonjë ministri të Arsimit. Kësaj here, mbase e njëjta gjë duhet ndodhur me ministrin e Arsimit. Pse duhet të qëndrojë edhe më tej në krye të këtij dikasteri njeriu mbi të cilin rëndon tashmë faji që Kosova (Agjencia e Akreditimit), të përjashtohet nga Regjistri Evropian për Cilësi të Arsimit të Lartë.

Është paradoksale heshtja (s`mjafton një komunikatë) e studentëve, para së gjithash, pastaj e stafit akademik (një grup simbolik që nganjëherë përpiqet të bëjë shamatë në rrjete sociale), pastaj e organizatave politike studentore, organizatave të shoqërisë civile dhe krejt në fund edhe e opozitës parlamentare. Gjithsesi që ka edhe më keq, por shoqëria kosovare duhet hequr dorë nga analogjia me të keqen më të madhe. Pra, ka edhe më mirë, ndaj synimi duhet të jetë ky.

Ministër i Nismës i Arsimit, dorëhiqu edhe nëse s`ta kërkon kush. Jo për tjetër, por për shkak të një standardi demokratik që njihet me përkufizimin “qeverisje e mirë”. Dhe në këtë pikë ju keni dështuar tërësisht me një seri veprimesh të ndërmarra së fundi në sektorin e arsimit: që nga ndërhyrja në Universitet (Udhëzimi Administrativ për parimet-e-njohjes-së-platformave-dhe-revistave-ndërkombëtare-me-recension), emërimet në Këshillin Drejtues, e deri te Agjencia e Akreditimit, që është kapaku i ndërhyrjeve politike.

Përjashtimi nga “European Quality Assurance Register for Higher Education” (EQAR), vjen si “dhuratë” në 48- vjetorin e themelimit të institucionit të parë publik të arsimit të lartë- Universitetit të Prishtinës.

Natyrisht, pak e besueshme se ju do të dorëhiqeni, por teksa ju do të mundë të përballeni vetëm me “pasoja” nga diskursi verbal për disa ditë, universitetet, studentët dhe stafi akademik do t`i vuajnë pasojat direkte. Ata do të jenë “non grata” në sistemin arsimor evropian, e ju do të vazhdoni të mendoni se po bëni gjënë e duhur për arsimin!

Në fakt, e keni bërë të kundërtën. Partnerët tuaj në Qeveri, vite më parë morën vendim që për peshqesh zgjedhor, secilit rajon të Kosovës t`ia dhurojnë nga një universitet publik dhe t`i vënë përballë sa më shumë kolegje private, dosido sa për të krijuar artificialisht idenë e konkurrencës në arsim.

Këto të ashtuquajtura universitete publike, përveçse janë shndërruar në kantier punësimi për kuadro partiake, të kësaj nomenklature politike, nuk kanë ofruar asgjë më shumë sesa vende pune për ta. Që prej themelimit të 6 universiteteve komunale, analet e arsimit janë pasuruar statistikisht, por të dhënat publike nuk flasin për rritje cilësie.

Duke operuar me sentimentin patriotik, secilit nga ta i vutë emra patriotësh, duke u dalë hakut të gjithëve. Ama, të gjithëve, të kënaqen me idenë se në qytetet e tyre ka një universitet me emrin e një patrioti të madh. Pretendim minimalist për një çështje serioze. Ndërmjet cilësisë dhe veprimit politiko-patriotik u përcaktuat për të dytën, duke krijuar qendra strehimi për të rinj që duan të profilizohen në asgjë. Jo për tjetër, por me improvizime të skajshme, ngrehët godina universitare si në asnjë nga vendet përreth.

Ndërkaq kolegjet private u shndërruan në kusur për strehim të pjesës tjetër të kuadrove partiake. E dhënë publike që pothuajse çdo i dyti njeri që punon në 2-3 kolegjet private më të mëdha në Kosovës vjen nga sektori qeveritar. E, pra, kjo levë për ta blerë qetësinë kundrejt gjendjes alarmante në arsimin kosovar. Natyrisht, kjo nuk është risi në kohën tënde, porse e keni trashëguar nga pararendësit tuaj, që me devotshmëri i shërbyen partisë, por jo arsimit.

Çfarë i duhen Kosovës gjithë këto vatra konformizmi?! Asgjë. Pothuajse për secilin problem në shoqërinë kosovare më së shumti skena dominohet nga mendime të të pakualifikuarve për këtë gjë. Por, rrallë, apo fare të njerëzve nga këto universitete publike, të cilët ngaqë kanë relacione kontraktuale me punëdhënësin, nuk guxojnë as të shprehen në publik për çfarëdo çështjeje.

Se mos ju ka rastisur ndonjëherë t`ju trokasë dikush nga Universiteti për të shfaqur pakënaqësi, qoftë edhe për kushtet infrastrukturore, se lëre më për farë çështjeje që lidhet me punën akademike. E tëra është sjellë në vazhdimësi te niveli i pagave, por në asnjë mënyrë te esenca. Gjithsesi, duke jetuar në kohën e epidemisë së konformizmit të gjithëmbarshëm shoqëror, stafi akademik nuk ka pasur mundësi ta përjashtojë veten. O sa mirë me qenë shqiptar. Me e dashtë arsimin në emër të patriotizmit, me e zhvatë në emër të patriotizmit, mos me kritiku në emër të patriotizmit dhe krejt në fund me e goditë me shqelm në emër të parimësisë!

E pritshme, kur në krye të disa fakulteteve janë njerëz që kanë shkrryer subjekte politike në pozita ministrore, pastaj të riuniformuar me vello akademike kanë marrë detyra dekanësh në krye të fakulteteve, për t`ua kthyer borxhin partive në forma të tjera. Ndonjë doktoraturë apo master për njerëz të partisë, duke ua forcuar radhët që në fushata elektorale të dalin para publikut me njoftime të stilit “këtij subjekti do t`i bashkohen 50 kuadro me tituj doktor shkence e master në filan fushën”.

Këto fabrika të subjekteve politike duhen falimentuar, porse natyrisht nuk pritet të ndodhë kjo nga ju. Ndoshta as tjetri që do të vijë pas jush. Ndonjëherë duhet të ndodhë! Atëherë kur do ta akreditoni moralin politik! Atë akreditojeni së pari, pastaj nivelet e arsimit. Kur dy vjet më parë testi PISA pasqyroi realitetin kosovar të arsimit, i madh e i vogël u përpoqën të dalin në sipërfaqe, me leksione për një PISA pozitive. Pastaj, sërish asgjë. Prej dy vjetësh ende në fazën e ankimit për atë rezultat, por jo ndonjë punë që e adreson dështimin e asaj kohe.

Fakti që shumica e shkollave kosovare mësojnë ende me orar gjysmëditor, shpërfaq nivelin e cilësisë që mund të ofrohet. Për 4-5 orë mësimi në ditë, kryesisht teorik, jo atraktiv për moshat, në kushte jo të mira teknike, gjithsesi niveli i cilësisë aspiron aty. Sigurisht do të duhen ndoshta edhe nja 20 vjet që shkollat e Kosovës ta kenë mundësinë e mësimit gjithëditor, ku kreativiteti vjen përpara turbo mësimit.

Ministër, arsimim gjatë gjithë jetës. Kësaj here ngelët! Mundësi për riprovim nuk ka! Prandaj, ik, sepse gabimet në menaxhim paguhen. Kësaj radhe ju jeni borxhli!

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Tjera nga Bekim Kupina