OpEd

Sa shtete nuk e kanë njohur Kosovën?

Rasti i komplikimit me Marrëveshjen e Demarkacionit mund të shërbejë edhe si një pikë thjeshtësuese për rrugën përpara: Me konsensus për çështje nacionale dhe me partneritet me Perëndimin mund - të ratifikohet Marrëveshja, të ecet përpara me liberalizimin, të vendoset kufiri aty ku duhet dhe shumë më tepër; pa konsensus – mund ta rrezikojmë edhe veriun dhe shumë më tepër.

KOSOVA PO festonte!

Në shesh të Prishtinës ishte vënë bina për koncertin historik të Rita Orës. Në Prekaz policia e kishte të vështirë të bënte rend për gjithë të interesuarit, të cilët dëshironin t’u shprehnin mirënjohje Jasharëve për sakrificën që solli lirinë.

Në Beograd, sakaq, ministri i Jashtëm, Ivica Daçiq, kishte thirrur konferencë të jashtëzakonshme shtypi.

Në Kosovë po thonë se po e shënojnë dhjetëvjetorin e Pavarësisë – thoshte ai para gazetarëve – por ja ku e kam edhe unë një “dhuratë”, Burundi e ka tërhequr njohjen e pavarësisë.

Zaten, kjo ka qenë politika e Beogradit që nga shpallja e Pavarësisë së Kosovës, e cila sot numëron 116 njohje nga shtetet. Sa ka punuar Prishtina ta rrumbullakojë shtetësinë, aq Beogradi që ta minimizojë.

Apo nuk janë 116 njohje?!

Ajo çka ka ndryshuar së fundi në qasjen e Beogradit është të nxjerrin çfarëdo që munden para se të detyrohen ta bëjnë aktin final – njohjen/normalizimin e raporteve me Kosovën.

Strategjia e Bashkimit Evropian për Zgjerim e prezantuar rishtas e ka bërë të qartë se Serbia duhet ta njohë Kosovën si pjesë të ndarë prej saj dhe se nuk do të pranojë çështje të pazgjidhura ndërkufitare.

Dëshmojini se i keni 116 njohje! Ka shtete që fare nuk e kanë njohur Kosovën, por që Prishtina i ka futur në listë! – bërtiste Daçiqi me poza triumfuese të dielën e Pavarësisë.

NË TË NJËJTËN frymë e ka vazhduar edhe kryetari serb, Aleksandar Vuçiq. I sapokthyer nga një takim me gruan më të fuqishme në politikë, Angela Merkelin e Gjermanisë, ai shtiret pragmatik.

“Me gjithë shpirt po angazhohem për kompromis, duke e ditur se kjo mund të jetë gati e pamundur me shqiptarët, kurse mbroj secilin pozicion tjetër që nuk më përshtatet politikisht, pasi që unë e di se serbët më së shumti kanë qejf të dëgjojnë ‘bëhet fjalë për territorin tonë 100 për qind serb, gjithçka është e jona deri në Stamboll’, mirëpo gjërat në jetë ndryshojnë, gjatë jetës hartat ndërrojnë. Ne duhet të mendojmë për jetën e fëmijëve tanë, të ardhmen e tyre…”, ka deklaruar ai në një intervistë televizive.

Në të njëjtën kohë, ai nuk ka pranuar të flasë shumë për opsionin e ndarjes së Kosovës.

Beogradi kërkon krijimin e një momentumi të ri.

Për këtë edhe lufta për të konfuzuar bashkësinë ndërkombëtare me “tërheqjen e njohjeve” nga Daçiqi. Porosia e synuar: Pavarësia e sovraniteti territorial i Kosovës nuk janë çështje të marra fund.

E ndarja e Kosovës duket se është “asi” i fundit, të cilin besojnë se e kanë në xhep.

Vuçiqi në Serbi e ka fuqinë politike që të vendosë për “zgjidhjen e problemit të Kosovës”. Ka paralajmëruar se që në prill do të dalë me një propozim konkret.

i ngutet. I ngutet se nga BE-ja ka marrë premtimin se deri në vitin 2025 Serbia mund të bëhet pjesë e saj; i ngutet meqë opozita politike, mediale dhe e shoqërisë civile thuajse është inekzistente; mirëpo i ngutet edhe për shkak se është koshient se në Kosovë shqiptarët s’po mund të merren vesh thuajse për asgjë ndërmjet vete.

Aq sa është vendimmarrja në Beograd sot e centralizuar, aq e decentralizuar është ajo në Kosovë.

Dhe këtë mungesë konsensusi brenda spektrit politik dhe shoqëror për çështje të interesit nacional duket se Vuçiqi po e sheh si mundësi të artë për të përfituar Serbia.

HASHIM THAÇI, që nga pavarësia e Kosovës, 10 vjet më parë, ka qenë shkaktari kryesor për thyerjen e konsensusit politik e shoqëror në vend.

Ndonëse i vetëdijshëm se vetëm kur u arrit konsensusi i gjerë Kosova doli fitimtare në Rambouillet dhe më pas në procesin e Vjenës, ai deri më tash krye më vete nuk ia ka dalë të çojë përpara asnjërën nga agjendat shtetërore. Kosova në dhjetëvjetor nuk ka ende ulëse në OKB, nuk ka ushtri, nuk ka integrim të duhur të komuniteteve pakicë, nuk ka liberalizim të vizave, nuk ka perspektivë konkrete për në BE.

Secilën prej tyre Thaçi, në një mënyrë ose tjetër, kishte dashur t’i kryente krye më vete. E dimë se të gjitha deri më tash janë – dështim.

Paralelisht, Kosova ka humbur shumë në sytë e partnerëve perëndimorë sa i përket besimit në aftësitë shtetndërtuese dhe përgjegjshmërisë politike.

Në anën tjetër, Thaçi më nuk e ka as përafërsisht fuqinë politike që e ka pasur dikur.

Ego-aventura e tij politike i ka kushtuar shumë Kosovës deri më sot.

Dita e dhjetëvjeçarit të shtetësisë duhet parë si pikë kapërcimi nga kjo politikë humbëse për vendin. Është koha e konsensusit.

Rasti i komplikimit me Marrëveshjen e Demarkacionit mund të shërbejë edhe si një pikë thjeshtësuese për rrugën përpara:

Me konsensus për çështje nacionale dhe me partneritet me Perëndimin mund - të ratifikohet Marrëveshja, të ecet përpara me liberalizimin, të vendoset kufiri aty ku duhet dhe shumë më tepër; pa konsensus – mund ta rrezikojmë edhe veriun dhe shumë më tepër.

adriatik@kohavision.net

Twitter: @adriatikk