Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
OpEd

Lufta për një Evropë më të fortë!

Në këtë botë të goditur prej krizave, prej të cilave asgjë nuk duket e sigurt në horizont, shtetet e Evropës mund të mbrojnë me sukses interesat dhe vlerat vetëm kur flasin njëzëri. Asnjë shtet evropian, madje as Gjermania, nuk mund t’ia dalë më vetëm. Bashkërisht jemi larg më të fortë se përbashkësia e shteteve tona individuale.

Evropë, e ke ditëlindjen! Gjashtëdhjetë vjet më parë, më 25 mars 1957, anëtarët themelues të Bashkimit Evropian nënshkruan Traktatin e Romës. Kjo datë përfaqëson një udhëkryq të madh për projektin më të suksesshëm për liri, paqe dhe prosperitet që e ka parë ndonjëherë bota.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Dhe ky është shkak për festë.

Sidoqoftë, pas gjashtëdhjetë vitesh të Evropës, përsëri jemi në udhëkryq. Kriza financiare dhe përpjekjet tona për gjetjen e zgjidhjes së lëvizjeve të refugjatëve kanë ekspozuar me vrazhdësi dobësitë e projektit të integrimit evropian. Mbretëria e Bashkuar do të njoftojë zyrtarisht dëshirën për dalje nga Bashkimi Evropian në ditët e ardhshme. Kjo është thirrje zgjimi. Duhet ta kuptojmë çfarë kuptimi ka Evropa për ne, ku duam të shkojmë me Unionin dhe sa jemi të përgatitur për ta arritur cakun.

Kjo në fakt është rëndësia e madhe aktuale e përvjetorit të Traktateve të Romës.

Projekti i integrimit evropian po sulmohet sot si asnjëherë tjetër, prej brenda dhe jashtë, prej populistëve, të cilët pretendojnë se kanë zgjidhje të thjeshta, dhe prej autokratëve që i shohin me neveri vlerat tona. Krejt mendjen e kanë si ta shpartallojnë, madje edhe ta shkatërrojnë Evropën.

Për mua është e qartë se rruga e integrimit evropian është e drejtë dhe shtegu i vetëm për ta rrahur. Le të mos e mashtrojmë veten. Në këtë botë të goditur prej krizave në të cilat asgjë nuk duket e sigurt në horizont, shtetet e Evropës mund të mbrojnë me sukses interesat dhe vlerat vetëm kur flasin njëzëri. Asnjë shtet evropian, madje as Gjermania, nuk mund t’ia dalë më vetëm. Bashkërisht, jemi larg më të fortë se përbashkësia e shteteve tona individuale. Duhet të mblidhemi bashkërisht nëse e kemi ndarë mendjen t’ia dalim me sukses.

Prandaj, gjashtëdhjetëvjetori duhet të na shërbejë si fener shprese dhe si thirrje për të luftuar për Evropën. Nuk duhet të heshtim kur ka zëra që bëjnë thirrje për dhënien fund integrimit evropian.

Lufta për Evropën nënkupton mbrojtje të vlerave tona të përbashkëta. Ne duam ta bëjmë Bashkimin Evropian, që na ka sjellë dekada lirie dhe stabiliteti, të zot për të ardhmen. Sundimi i ligjit dhe demokracia, solidariteti i njëri me tjetrit dhe diversiteti në mesin e shteteve tona anëtare, janë tulla në ndërtimin e murit të projektit evropian. Duhet të mbahemi fort të lidhur në skenën e brendshme dhe ndërkombëtare.

Të luftosh për Evropën nënkupton edhe mbrojtje të gjithçkaje që kemi arritur. Shpartallimi i integrimit tonë nuk do të na ndihmojë fare. E kapërcyem bashkërisht krizën e buxheteve shtetërore. Po punojmë që të sigurohemi që të gjithë në eurozonë të mund të hedhim shikim para me vetëbesim, që të ketë rikthim të rritjes ekonomike gjithandej dhe që të gjenerohen vende të reja pune. Na duhet të thellojmë edhe më shumë unionin ekonomik dhe monetar për ta arritur qëllimin – jo sa për ta veçuar veten prej të tjerëve, por për shkak se jemi të lidhur më ngushtë se kurrë falë monedhës sonë të përbashkët.

Sidoqoftë, puna jonë nuk përfundon me kaq. Detyra historike me të cilën përballemi tani është krijimi i një Evrope më të mirë dhe të më fuqishme. Duhet të investojmë së bashku në Bashkimin Evropian dhe ta bëjmë projektin tonë më të rëndësishëm për paqen dhe prosperitetin të gatshëm për të ardhmen.

Së pari, në politikën evropiane të jashtme dhe të sigurisë. Ka ardhur koha që t’i japim fund perceptimit se nuk jemi përgjegjës për sigurinë tonë. Është e vërtetë se Evropa më në fund duhet të piqet. Partneriteti ynë me Shtetet e Bashkuara dhe NATO-n është themel i bashkësisë transatlantike. Sidoqoftë, Bashkimi Evropian duhet të jetë i zoti t’ia dalë me krizat dhe konfliktet në fqinjësi të tij. Hapat fillestarë janë marrë, por duhen masa tjera të mëtutjeshme.

Së dyti, duhet t’i mbrojmë kufijtë e jashtëm të Evropës për shkak se ia vlen hatri i emrit. Kufijtë nuk e kanë më rëndësinë e dikurshme brenda Evropës. Kjo është arritje mahnitëse – por po aq të rëndësishëm janë kufijtë e jashtëm të fortë. Në kulmin e krizave në fqinjësi dhe me valë refugjatësh, po e shohim sa e rëndësishme është mbrojtja efikase e kufijve tanë të jashtëm. Kushdo që ka liri lëvizje me Schengen duhet patjetër ta vlerësojë mbrojtjen e kufijve tanë të jashtëm. Derisa një numër masash janë marrë në terren, duhet edhe më shumë. Kjo është detyrë evropiane që na takon të gjithëve, e jo vetëm atyre që janë prekur më së shumti.

Së treti, Evropa duhet të merret më shumë me sigurinë e saj të brendshme. Lufta kundër terrorizmit është përpjekje e përbashkët. Duhet të tregohemi më të suksesshëm në këtë drejtim nëpërmjet bashkëpunimit të përmirësuar dhe komunikimit më të mirë. Qytetarët në Evropë nuk duhet të jetojnë me frikë – qofshin në Bruksel, Paris, Berlin ose kudo. Liria dhe siguria janë dy anë të së njëjtës medalje.

Së katërti, duhet të tregohemi larg më të vëmendshëm me faktin se një hise e joshjes së projektit evropian ishte dhënia e zotimit për të bërë më shumë me premtime e prosperitet. Tregu i përbashkët na ka sjellë prosperitet shumicës prej nesh, madje gjatë një periudhe goxha të gjatë kohore. Megjithatë, shumëkush në Evropë ndjen se më nuk po përfiton prej Evropës së përbashkët, por ndihen të lënë pas dore. Duhet të çmojmë këtë dhe të marrim hapa të duhur si kundërpërgjigje. Andaj, për mua, lufta për Evropën nënkupton fuqizim të tregut të përbashkët dhe seriozitet të madh për dimensionin social të projektit evropian. Na duhen kushte të reja për rritje ekonomike dhe prosperitet. Kjo përfshin investimet evropiane në infrastrukturën digjitale, si dhe arsimim dhe hulumtim. Nëse ia dalim t’i kanalizojmë më mirë burimet tona, dhe njëherësh nëse të gjitha kanë gatishmëri për të çuar përpara reformat e domosdoshme për ta ruajtur konkurrencën, atëherë nuk do të jemi kontributdhënës dhe përfitues rrjeti, por të gjithë do të jemi përfitues rrjeti të Evropës.

Kërkojmë të qëndrojmë tok me qëllim që ta përçojmë mesazhin nga Roma se ne evropianët po bëhemi një edhe në veprime dhe qëndrojmë fort pas Evropës, dhe se duam që punët të shkojnë edhe më mirë! Do t’ia dalim mbanë nëse nuk e lejojmë veten të prihemi prej drojës sonë, dhe nëse e ringjallim frymën evropiane me guxim dhe vetëbesim, dhe nëse ua zgjasim dorën të gjithëve e i sfidojmë çështjet e caktuara kombëtare.

Gjermania bash është e përgatitur për të vepruar në këtë frymë.

(Autori është ministër i Jashtëm dhe zëvendëskancelar i Gjermanisë. “Koha Ditore” ka të drejtën ekskluzive për botimin e këtij vështrimi në Kosovë)