OpEd

Lajmet e mira dhe barra e rëndë

Anëtarësimi i vendeve të Ballkanit në BE është i mundshëm vetëm nëse të gjitha shtresat e shoqërisë vërtet besojnë - në anëtarësim. Ka shumë politikanë që hyrjen në BE e duan pa i plotësuar kushtet.

Sivjet. Gjatë verës. Në muajt në vijim. Kështu disi tingëllojnë njoftimet e deklaratat nga Brukseli kur krerët e BE-së ballafaqohen me pyetjen se kur, më në fund, Shqipëria dhe Maqedonia do të fillojnë negociatat për anëtarësim. Maqedonia është kandidate nga viti 2005, Shqipëria nga qershori i vitit 2014. Javën që shkoi komisari i BE-së për Zgjerim, Joahnnes Hahn, tha se sipas të gjitha gjasave deri në verë Komisioni i BE-së do t’u propozojë vendeve anëtare fillimin e negociatave për anëtarësim me Shqipërinë dhe Maqedoninë. Ky do të ishte një hap konkret, një lajm i mirë për këto dy vende, por edhe një barrë e rëndë. Pse? Sepse elitat politike duhet të largohen dukshëm nga llafazanëria dhe retorika boshe, sepse kapitull pas kapitulli me BE-në duhet të diskutohet për funksionalizimin dhe modernizimin e shtetit. Në negociata nuk flitet për tema emocionale, siç janë flamujt kombëtarë, stemat, të pasmet e kalit të Skënderbeut dhe obsesionet historike të maqedonasve, por për mbrojtjen e lumenjve, sundimin e ligjit, cilësinë e prodhimeve bujqësore dhe të ajrit. Gjëra të përditshme.

“Besojmë se të dyja vendet (Shqipëria dhe Maqedonia) në të kaluarën kanë kryer reforma të rëndësishme, dhe kësisoj janë kualifikuar për këtë hap”, tha Hahn. Ai veçoi Shqipërinë, e cila, sipas tij, “ka bërë bukur shumë në luftimin e krimit të organizuar”. Po gjatë javës së kaluar për Ballkanin u prononcua edhe kancelarja gjermane, Angela Merkel. Ajo tha se përkrahte integrimin e vendeve të Ballkanit. Kjo deklaratë është një përgjigje edhe ndaj rolit në rritje të Rusisë në rajon, por edhe të Turqisë dhe Kinës. Të shohim se çfarë ka ndodhur nga 1 janari: është vrarë Oliver Ivanoviqi në Mitrovicë, grupe paraushtarake ruse po bashkëpunojnë me forcat policore të serbëve të Bosnjës, një serb me banim në Podgoricë, i cili më 1999 ishte dekoruar nga regjimi i Beogradit, hodhi një mjet eksploziv në oborrin e Ambasadës së SHBA-së në Podgoricë para se të hidhte veten në ajër rrugës për në botën e përtejme. Këto ngjarje mund të mos kenë asnjë lidhje me njëra-tjetrën, por ato gjithsesi rrisin tensionet në Ballkan. Merkel në mënyrë eksplicite tha se Gjermania përkrah anëtarësimin e 6 vendeve të Ballkanit në BE. Ajo e mendoi edhe Kosovën, dhe ky është lajm i mirë në një kohë depresioni e apatie mes qytetarëve kosovarë, të cilët sikur kanë humbur shpresat se me këtë klasë politike mund të ecet përpara. Anëtarësimi i Kosovës në BE mbetet tash për tash cak i largët, por nuk është i pamundshëm, por në një synim të tillë duhet të besojnë të gjitha shtresat e shoqërisë. Ky synim është i paarritshëm nëse besohet se Kosovën e pranojnë në BE edhe me këtë strukturë udhëheqësish.

Ka një përfytyrim pothuaj absurd në Ballkan se hyrja në BE është si hyrje në parajsë. Ose një jetë si në të ashtuquajturën “parajsë jugosllave”: merr një kredi e mos kthe kurrë dhe ndërto një mega-shtëpi në qytet dhe blej një “vikendicë” në det, dhe një veturë të re (qoftë ajo “Zastavë” apo “Lada” apo “Fiat”) dhe krejt këto me një vend pune në administratën shtetërore të garantuar për tërë jetën. Qe një shembull, siç shihet hyrja e vendeve të Ballkanit në BE nga gazeta konservatore gjermane “Frankfurter Allgemeine Zeitung”: “Ka arsye (gjeo)politike dhe të tjera që arsyetojnë lidhjen e shteteve të Ballkanit me BE-në dhe pranimin e tyre në periudhën afatgjatë; edhe nëse këtu përjashtohet premtimi për ‘perspektivën evropiane’. Në të vërtetë ‘ekziston një lodhje nga zgjerimi; por ka edhe mbështetës të kandidatëve për anëtarësim dhe aspirantëve. Serbia, Mali i Zi dhe shtetet e tjera kanë një lobi në BE. Kjo nuk është diçka e keqe; edhe te raundet e mëhershme të anëtarësimit kjo ka ndodhur. Vetëm se një gjë nuk duhet të ndodhë: të minimizohen pengesat e mëdha dhe shpenzimet që lidhen me këtë, dhe me të cilat duhet të ballafaqohen shtetet që paguajnë neto”. Pra, Ballkanin nuk po e presin me krahë të hapur në BE. Jo se ka ndonjë aversion të veçantë ndaj Ballkanit, por ka një rezervë për shkak të dështimit të elitave politike për të reformuar e zhvilluar vendet e tyre. Përmendja e vitit 2025 si vit i anëtarësimit të Serbisë dhe Malit të Zi është një “pakujdesi politike, të cilën BE-ja do ta paguajë shtrenjtë”, shkruante ditë më parë gazeta gjermane “Handelsblatt”.

Lavdërimet nga ana e komisarit Hahn nuk duhet të merren me shumë entuziazëm në Ballkan. Edhe ai është si shitës i portokajve në pazar: duhet të lavdërojë produktin që dëshiron t’ua shesë vendeve anëtare. Ato janë vendimtare. Dhe mes tyre ka vende që përkrahin anëtarësimin dhe të tjera që janë shumë kundër. “Llafet për reforma (në Ballkan) janë përralla. Partitë janë organizata kriminale dhe funksionojnë sipas stilit të mafies”. Kështu e sheh skenën politike të Bosnjë-Hercegovinës Sërxhan Blagovçanin nga “Transparency Internationale” në Sarajevë. A është më ndryshe në vendet e tjera të rajonit?

© KOHA Ditore