Ndërmarrje për të pangopurit

Elmaz Isufi Elmaz Isufi 25 shkurt 2018 08:00

Ndërmarrjet publike, të gjithkujt dhe të askujt, s’mund të kenë fat tjetër në shoqërinë e udhëhequr nga piratë, që pushtetin dhe buxhetin e taksapaguesve i trajtojnë dhe i ndajnë si pronë private

Kur kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, premtoi rritje të pagave për punëtorët e KEK-ut me arsyetimin se po punonin në kushte të vështira, secilit i ka shkuar mendja tek ata, që nga gropat e mihjes së thëngjillit, në fund të ditës dalin me uniforma, duar e fytyra të “pista”.

Me kushtet, përveç terrenit të rrezikshëm është menduar edhe paga mesatare e tyre, 300 deri 400 euro ta zëmë sa e punëtorëve në sektorin privat. Në këto rrethana dhe duke u solidarizuar me “keqardhjen” e kryeministrit, sikur iu bë hallall edhe rritja e premtuar e edhe vjedhja e organizuar e 8 tonelatave thëngjill nga pasuria publike për secilin nga afro 5 mijë të punësuarit në këtë ndërmarrje.

Por pa kaluar disa muaj, nga të dhënat zyrtare doli se në KEK s’ka arsye për “lot”. Përkundrazi, u mor vesh se nuk është i vogël numri i atyre që paguhen mirë. Mesatarja e pagave arrin në afro 900 euro në muaj, pa llogaritur vlerën e thëngjillit të vjedhur për çdo vit dhe pa e ditur nëse është përfshirë aty rritja e fundit prej 100 eurove.

Pra, tash po e dimë se pagat e shumicës së punëtorëve të “dinozaurit”, që nuk ngrihej në këmbë nga miliardat e buxhetit e të donacioneve ndërkombëtare, janë të përafërta me ato të kabinetit qeveritar - ministrave. E dimë se edhe logjika e funksionimit është e njëjtë - një pjesë e vogël e punëtorëve si në KEK, si në Qeveri e kryen pjesën më të madhe të punës, e pjesa tjetër e han “jeshil”.

Edhe fryrja e stafit i nënshtrohet së njëjtës rrjedhë.

Afro 200 zëvendësministra, këshilltarë e staf teknik në Qeveri – të gjithë militantë partiakë punësohen përnjëherë në emër të kontributit për rezultatin e zgjedhjeve nacionale dhe lokale. 100 të tjerë në KEK, në emër të marrëveshjes për shpronësimin e tokave dhe shtëpive, por më shumë në emër të rezultatit të zgjedhjeve, sidomos në Obiliq.

Edhe pagat janë rritur - 100 për qind në Qeveri, 100 euro në KEK. Ndërmarrja është shndërruar nga prona shtetërore në degë e pronë të partisë, ku liderët japin urdhra e menaxhmenti i KEK-ut zbaton.

Kjo marrëdhënie pushtet-ndërmarrje është e njëllojtë edhe tek të tjerat që janë publike, përfshirë ato në nivelin komunal. Këto ndërmarrje, të gjithkujt dhe të askujt, mbase edhe s’mund të kenë fat tjetër në shoqërinë e udhëhequr nga piratë, që pushtetin dhe buxhetin e taksapaguesve i trajtojnë dhe i ndajnë si të jenë pronë private.

KEK-u nuk është i vetëm në këtë kategori. E ka “shoq për krye” Postë-Telekomin e Kosovës, ilustrimin më të mirë për mënyrën se si funksionojnë krimi i organizuar, korrupsioni, nepotizmi, ndikimi politik dhe abuzimi me institucione dhe me fondet publike, që nga paslufta. Se si gërryhet një ndërmarrje me perspektivë dhe qarkullim qindra milionësh në vit, dhe si e njëjta shndërrohet në aset që shumë shpejt mund të shitet vetëm për “skrap”.

Së bashku këto dy ndërmarrje brenda 10 vjetëve kanë harxhuar afro 1 miliard euro vetëm për paga. Nëse mesatarja e pagave edhe në ndërmarrjet e tjera është e ngjashme, pra diku 900 euro, dhe numri i përgjithshëm i të punësuarve arrin në afro 20 mijë (dikur në NP-të ishin afro 15 mijë të punësuar pa “Trepçën”, që ndërkohë është bërë ndërmarrje publike), atëherë kostoja e këtyre pagave arrin në mbi 2 miliardë për 10 vjet. Shpenzimet teknike dhe të tjerat fizkultura dalin po kaq, duke e çuar shumën e shpenzimeve të tyre në të paktën 4 miliardë.

E shteti, që ia ka dhënë të drejtën këtij grupi njerëzish të shfrytëzojnë të mirat materiale publike, nuk ka asnjë përfitim të rëndësishëm financiar prej tyre. KEK-u lufton për të mos u futur në minus. PTK-ja tashmë ka deklaruar 6 milionë euro humbje, ani që disa të dhëna kanë përmendur 30 milionëshin (nuk ka marrë asnjë masë kursimi - mesatarja e pagave arrin në një mijë euro në muaj). “Trepça” ka ulur në 30 për qind prodhimin edhe ashtu minimal, dhe për gati krejt vitet e pasluftës është subvencionuar nga Qeveria me shumë miliona. Të tjerat, me ndonjë përjashtim të vogël, nuk janë shquar kurrë për afarizëm pozitiv. Madje, sipas të dhënave të GAP-it, afro gjysmë miliard euro janë humbjet e akumuluara në ndërmarrjet publike deri më 2015. E grante për NP-të nga Ministria e Zhvillimit Ekonomik, në periudhën 2009-2013, janë dhënë 260 milionë euro. Gjysma e zyrtarëve të NP-ve kanë vlerësuar se ato nuk mund të mbijetojnë pa subvencionim të shtetit, kurse rreth 80 për qind e pranojnë se në to ka staf të tepërt e për pasojë edhe rritje të kostos. E kanë pranuar se meqë e kanë shef Qeverinë nuk guxojnë të mos zbatojnë kërkesat e saj edhe kur janë të pakuptimta.

Edhe mënyra e funksionimit aty është partizançe. Askush askujt s’i jep llogari, askush askënd s’e largon prej pune. Kontratat e punës janë të përjetshme. Këto politika mbijetese dhe abuzuese, sipas hulumtimit, ndikojnë në rritjen e tarifave të shërbimeve ndaj qytetarëve dhe në uljen e cilësisë së tyre.

Njëri nga ish-punëtorët e gazetës e ka pasur zakon të ankohej shpesh për vëllimin e madh të punës.

“Kur kam punuar në ‘Rilindje’, brenda një dite ka ndodhur veç një shkrim e kam kontrollu. Këtu po duhet kah dhjetë e ma shumë tekste me i marrë nëpër duar. S’po flas për rroga dhe ditë pushimi në ‘Rilindje’, sa herë kam dashtë kam marrë pushim mjekësor”.

Por, kolegu G. duke parë se po bëhet i bezdisshëm me “historitë” e tij, ia kthen me të shpejtë e pa dhimbje me pyetjen: “Ku e ke ‘Rilindjen’ tash”.

Menaxhimi i ndërmarrjeve si “Rilindja” tregojnë më së miri arsyen e shembjes së sistemit të kaluar dhe rrezikun nga kalbja e sistemit të tashëm.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

koha26/02/2018 10:04

Tan jeni hajna, madhe e vogli. Keni vjedh neri tjetrin paa luftes e gjate luftes e mas luftes. Rugova me klanin e Ti, populli nermes veti e tasht po idhnoni?!

Shto koment

Tjera nga Elmaz Isufi