OpEd

Anëtarësimi në BE dhe rrëfimet e 1001 netëve

Me pozitën që sot ka Kosova si në procedura ashtu edhe në plotësim detyrimesh, anëtarësimi në BE nuk mund të shihet as si një ëndërr e largët. Por krejt çka mbetet për të shpresuar është mbërritja në pozitë ku mund të nisim ta falënderojmë procesin e integrimit për kushtëzime e ndryshime – sikur gazetarja turke në konferencën e Sofjes

Në pranverën e vitit 2006 qe mbajtur në Sofje një konferencë në formë debati mes përfaqësuesve të delegacioneve të Komisionit Evropian në Zonën e Zgjerimit dhe gazetarëve të vendeve të kësaj zone. Tema e debatit pati qenë “Mitet dhe të vërtetat për zgjerimin e BE-së” dhe pjesë patën marrë rreth 70 veta.

Ka qenë kjo periudha kur Komisioni Evropian pati nxjerrë një “white paper” për atë se si kishte dështuar vetë brenda vetes ta përgatiste opinionin për zgjerimin e madh të Lindjes të vitit 2004. Në Kosovë tashmë kishte nisur vala e informimit për atë se çka ishte puna e BE-së. U patën hapur shkolla të integrimeve, u patën dhënë shumë bursa për shkollim jashtë dhe patën nisur fushata vetëdijesuese. Në një anketë që e pati zhvilluar KOHA në kuadër të fushatës “E tash Evropa”, gati 100 për qind e të anketuarve patën qenë pro hyrjes së Kosovës në BE. Kjo edhe pse nuk e dinin mirë, për të mos thënë pothuajse fare, se çka ishte ajo dhe si hyhej në të.

Ndërkohë, në konferencën masive në Sofje rolin kryesor e mori korrespondentja e CNN-it nga Turqia. Nuk më kujtohet emri i saj, por një gjë e mbaj mend qartë. Ajo shprehte haptas hidhërimin me rezistencën e shteteve të BE-së karshi Turqisë. Thoshte se po aplikohen standarde të dyfishta dhe se BE-ja nuk ishte e sinqertë me shtetin e saj, meqë as nuk e refuzonte e as nuk e trajtonte njëjtë si të tjerat aspiruese. Turqia ka aplikuar për t’u bërë pjesë e BE-së më 1987, ndërkaq negociatat për anëtarësim të plotë kanë nisur më 2005. Gazetarja nga Turqia ishte shumë e drejtpërdrejtë dhe po aq e artikuluar në porositë e veta, ndërkohë që zyrtarët e BE-së nuk është se bënin shumë komente.

Megjithatë, nuk është kjo çështja që ka rëndësi për një kosovar sot. Është falënderimi i turkes. Tha diçka kështu “besoni, me këtë qasje, tani fare s’ka rëndësi anëtarësimi... por i falënderohem këtij procesi për ndryshimet ligjore, si dhe reformat në qeverisje që Turqia kurrë nuk do t’i kishte bërë po të mos ishin kushtëzimet e integrimit”. Nga 35 kapitujt për anëtarësimin e Turqisë, vetëm 16 janë hapur dhe vetëm një është mbyllur deri më tani. Por sot, derisa Turqia po lëshon rrënjët e një shteti autokratik, integrimin evropian e ka zhvendosur tek rrëfimet e 1001 netëve.

E në Kosovë, po të bëhej një anketë sot, si ajo e 2006-s, me siguri aty te 100-përqindëshi do të kishte qenë sërish disponimi për në BE. Si i qytetarëve ashtu edhe i institucioneve. Megjithatë, edhe këtu integrimi nuk është asgjë më shumë se një përrallë. E tillë që për vite të tëra po i vë në gjumë qytetarët, derisa zëri monoton i udhëheqësve të institucioneve e rrëfen atë pa ndalur ditë pas dite, e natë pas nate. Dhe e keqja është se nuk mund as t’i falënderohemi procesit. Çfarë ndryshimesh e çfarë reformash domethënëse ka sjellë ai? Në letër diçka, por edhe kjo jo me qëllim zbatimi, veç rrëfimi. Madje, gjatë këtyre viteve të njohjes me BE-në e të shkollimit për politikat e saj, veç sa është betonuar sistemi korruptiv i pushtetit nëpër të cilin qarkullojnë të njëjtët njerëz mandat pas mandati, herë në pozitë herë në opozitë.

E kundërta e përrallave të tyre është një realitet tjetër krejt i thjeshtë. Kosova është e fundit në rajon sa u përket hapave formalë proceduralë. MSA-ja ka hyrë në fuqi më 2016 e ajo ende nuk ka aplikuar për t’u bërë kandidate. Disa shtete të rajonit këtë hap procedural e kanë bërë menjëherë pas nënshkrimit dhe ende pa hyrë në fuqi MSA-ja, e disa menjëherë pas hyrjes në fuqi të saj. Kosova mund të thotë se nuk e bën këtë, sepse nuk dëshiron të rrezikojë me refuzim të aplikacionit, për shkak të pesëshes mosnjohëse. Por për të mos e lënë në nivel arsyetimi, do të kishte mundur bile të kryente punë të tjera.

Prej se ka marrë përsipër detyrat që dalin nga Marrëveshja e Stabilizim-Asociimit, ka dëshmuar që i duhet më shumë se dyfishi i kohës për t’i plotësuar ato. Më 2016 ka zbatuar gjysmën e tyre e më 2017 vetëm 30 për qind. Edhe prioritetet që parashihen në Agjendën për Reforma Evropiane të dakorduar mes Qeverisë dhe BE-së kanë mbetur të paplotësuara. Ato kërkoheshin të zbatoheshin më 2016 dhe 2017 dhe tani janë bartur në Agjendën e Qeverisë për 2018. Po ashtu, më 2016 nisi të vëzhgohet gjyqësori për trajtimin e rasteve të korrupsionit e krimit të organizuar. Kjo një nismë e Zyrës së BE-së në Prishtinë që nënkuptonte shënjestrimin e rasteve të korrupsionit të nivelit të lartë, pasi që paraprakisht ishte bërë një kategorizim se cilat pozita i përfshin ai. Nga dhjetëra aktakuza të ngritura kryesisht më 2016 e më pak më 2017, sot nuk ka asnjë zyrtar të lartë prapa grilave. Një proces që nuk i ka treguar vetëm BE-së, por edhe vetë neve se sa është i pavarur sistemi i drejtësisë në Kosovë.

Të gjitha këto detyrime e obligime kanë të bëjnë me sfidat kryesore që i liston Strategjia e Zgjerimit të BE-së e prezantuar këtë javë. Kanë të bëjnë para së gjithash me vullnetin për të përmirësuar jetën e qytetarëve të Kosovës. Janë punë që autoritetet kosovare duhet t’i kryejnë për të avancuar me rendin dhe ligjin, me funksionimin demokratik të institucioneve, me zhvillimin ekonomik, me standardet e arsimit e të shëndetësisë...

Kosova nuk e ka problem mosnjohjen e pesëshes, nuk e ka problem as demarkacionin. Problemi është se pushteti i saj asnjëherë nuk ka dashur rend, standarde e as përgjegjësi. Kjo i ka ndihmuar t’i ikë llogaridhënies brenda dhe jashtë. Dhe ende u ndihmon liderëve qarkullues institucionalë dhe bashkëpunëtorëve të tyre të bëjnë qejf në një mjedis ku të tjerët jetojnë të izoluar, pa mundësi e pa perspektivë.

Me pozitën që sot ka Kosova si në procedura ashtu edhe në plotësim detyrimesh, anëtarësimi në BE nuk mund të shihet as si një ëndërr e largët. Por krejt çka mbetet për të shpresuar është mbërritja në pozitë ku mund të nisim ta falënderojmë procesin e integrimit për kushtëzime e ndryshime – sikur gazetarja turke në konferencën e Sofjes.

brikenda@koha.net