OpEd

Kosova drejt BE-së e larg Serbisë, ose larg BE-së e afër Serbisë

Pse meriton të përkrahet iniciativa e Limajt për zgjidhjen e çështjes së demarkacionit, si hap me të cilin Kosova do të tregonte se është shtet serioz dhe i ka të qarta obligimet ndërkombëtare, se Kosova di të kujdeset për veten dhe territorin e saj, dhe se Kosova është e gatshme t’i përmbushë kriteret e BE-së edhe për liberalizim vizash, e edhe si vend aspirues anëtar.

DUHET PRANUAR se Fatmir Limaj shpesh ka dalë të jetë ndër politikanët me rezonin më të lartë politik në vend.

Shembujt e kësaj pjekurie politike nuk kanë qenë të paktë. Ato gjenden në episodin e dorëzimit të tij të menjëhershëm autoriteteve të Tribunalit të Hagës (gjë që nuk ka ndodhur me të akuzuarit nga Serbia, Kroacia e Bosnja), me angazhimin e procesin e Ahtisaarit në komitetin për komunitetet pakicë, me daljen nga PDK-ja kur ajo gjithnjë e më tepër kapej nga një person i vetëm, me iniciativën për krijimin e LVAN-it dhe më vonë edhe të VAN-it.
Në këtë prizëm mund të shihet edhe iniciativa e tij për zhbllokimin e çështjes së demarkacionit dhe përmbushjen e kritereve për liberalizimin e vizave.

Të mos harrojmë, Limaj ishte pjesë e opozitës së bashkuar e cila protestoi edhe në rrugë, e edhe në Kuvend kundër Marrëveshjes për demarkacionin me Malin e Zi. Mirëpo, po ashtu, ndërkohë kanë dalë edhe dëshmi të reja, të cilat vënë dilema se cila është në fakt e vërteta për demarkacionin dhe pretendimin e humbjes së territorit.

Duke qenë koshient për rëndësinë e partneritetit me BE-në si dhe për nevojën e qartësimit të dilemave, ai në “Rubikon” prezantoi idenë që të dyja qeveritë - ajo e Kosovës dhe e Malit të Zi - të japin zotime që të shqyrtohen në të ardhmen lëshimet eventuale në Marrëveshjen për demarkacion, dhe kjo të mundësojë që edhe Kuvendi i Kosovës ta ratifikojë të njëjtën.

Zaten, kjo mundësi është theksuar qartazi edhe në vetë tekstin integral të Marrëveshjes, në Nenin 7, mirë duket se deri tash qëllimisht palët kundërshtuese e kanë minimizuar atë.
Me këto veprime gjithsesi se askujt nuk do t’i mbetej ndonjë merak se diçka është gabuar, pra as deputetëve, meqë çfarëdo gabimi do të mundë të përmirësohej.
Por me këtë hap do të arrihej një fitore e madhe – Kosova do të tregonte se është shtet serioz dhe i ka të qarta obligimet ndërkombëtare, se Kosova di të kujdeset për veten dhe territorin e saj, dhe se Kosova është e gatshme t’i përmbushë kriteret e BE-së edhe për liberalizim vizash, e edhe si vend aspirues anëtar.
Liderët duhet të marrin vendime dhe jo të gjejnë arsyetime.

NË FAKT liberalizimi i vizave është dritarja e vetme e rëndësishme që i është hapur Kosovës nga Brukseli, pas Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit.

Me Strategjinë e Zgjerimit të Komisionit Evropian, të miratuar këtë javë, ndonëse është thënë se Kosova bën pjesë në mesin e shteteve të Ballkanit të cilat e kanë vendin në BE, nuk ka qartësim të krahasueshëm me shtetet e tjera.

Kjo, u raportua, ndodhi meqë Spanja, si njëra nga pesë anëtarët e BE-së që nuk e njeh Kosovën, ka ndikuar në tredhjen e gjuhës sa i përket Kosovës.

Natyrisht, interpretimet për këtë strategji janë të ndryshme. Prej atyre optimiste që thonë se megjithatë Serbisë i kërkohet që në një mënyrë ta njohë Kosovën, gjë që pastaj do të shuajë edhe kundërshtimin e shteteve të BE-së, dhe kështu edhe Kosova një ditë të bëhet pjesë e këtij institucioni. E deri te ato që thonë se Kosova po lihet jashtë, pavarësisht se çka ndodh me Serbinë.

Duke pasur parasysh këto, një gjë është tash për tash e qartë – liberalizimi i vizave edhe për një kohë të gjatë mund të jetë e vetmja ofertë konkrete e BE-së ndaj Kosovës.

Lajmi më i keq për Kosovën do të jetë nëse Kuvendi nuk e miraton demarkacionin, si kriter strikt i BE-së për liberalizimin e vizave.

TASH, SHTETET në Evropë janë ose me Perëndimin, me BE-në, ose me Rusinë. Vetë BE-ja është duke luftuar, si me rastin e Serbisë dhe Malit të Zi, që t’i rrëmbejë ato nga ndikimi rus dhe t’i kthejë kah Perëndimi.
Në anën tjetër, natyrisht se Serbia nuk e dëshiron marrëdhënien e Kosovës me BE-në.
Serbia e di se një Kosovë e izoluar është një Kosovë e dobët.
Serbia e di se sa më e dobët Kosova aq më të forta ambiciet e saj ndaj Kosovës.
Deputetët e Kosovës janë para një vendimi historik - ta çojnë Kosovën drejt BE-së e larg Serbisë, ose larg BE-së e afër Serbisë.
E dimë që për demarkacionin kanë folur fjalë të mëdha, por më e madhe është Kosova sesa fjalët e tyre.
Situata është shumë serioze!

Këtë si duket e ka kuptuar drejt tash edhe Fatmir Limaj.

Iniciativa e tij imponohet si një zgjidhje progresive win-win për të gjithë.

adriatik@kohavision.net

Twitter: @adriatikk