Një letër (e sinqertë) nga Jean-Claude Juncker

Veton Surroi Veton Surroi 09 shkurt 2018 08:05

Qytetarëve të Kosovës

1.

Të nderuar zotërinj,

Siç e patë dje, Komisioni aprovoi Strategjinë tonë për Ballkanin Perëndimor. Në atë dokument, të gjitha vendeve të Ballkanit Perëndimor u premtuam se, nëse punojnë mirë, kanë gjasa që nga viti 2025 e tutje të bëhen shtete anëtare. Që të gjithë e kanë atë mundësi, pos jush, në Kosovë.

Dua t'ju shpjegoj, sinqerisht, për aq sa më lejojnë hapësira dhe diskrecioni, se përse po ndodh.

Fillimisht, siç e dini, pesë shtete anëtare nuk ju kanë njohur si të pavarur dhe, rrjedhimisht, e tëra që kemi mundur të arrijmë si konsensus me to është që të synojmë Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit, si dhe t'ju trajtojmë, me balancë fjalësh, si shtet së bashku me të gjitha shtetet e tjera të Ballkanit Perëndimor.

Nuk ka qenë lehtë, më besoni.

Formalisht, nuk mund t'ju ofrojmë më shumë sesa ju kemi ofruar në Selanik më 2003. Atëherë ju thamë se keni "perspektivë evropiane", tash po ju themi se nëse përmbushen "kushtet objektive" do të keni mundësi "progresi në rrugën tuaj evropiane".

Jam i vetëdijshëm se juve ju premtojmë një rrugë të paqartë, ndërsa Serbisë e Malit të Zi po u premtojmë mundësinë që të jenë shtete anëtare më 2025, Shqipërisë e Maqedonisë mundësinë e hapjes së negociatave për anëtarësim, e Bosnjë-Hercegovinës mundësinë e avancimit në shtet kandidat.

Kaq mundemi tani.

2.

Por paqartësinë për fatin tuaj bëni mirë ta kërkoni edhe te vetja. Ky përshkrim i Strategjisë është modeluar sipas mënyrës se si e keni ndërtuar shtetin tuaj të kapur, "përfshirë lidhje me krimin e organizuar dhe korrupsionin në të gjitha nivelet e Qeverisë dhe administratës, si dhe përzierje të fuqishme të interesave publike dhe private". Prej vitit 2003, nga Samiti i Selanikut e deri më sot, çdo shtet i Ballkanit Perëndimor është përpjekur të krijojë, kush më shumë e kush më pak, përshtypjen e distancimit të politikës nga krimi. Ju jeni të vetmit ku liderët tuaj dalin haptazi me telefonata - afera “Pronto” më duket se quhej - ku, pa kurrfarë konsekuence juridike kanë treguar se si mund ta kapin shtetin dhe se janë të paprekshëm. Ju jeni i vetmi vend që ka themeluar një gjykatë speciale për të zëvendësuar një gjykatë tjetër speciale (EULEX), e cila zëvendësoi një gjykatë tjetër speciale (UNMIK).

Vendi juaj sundohet nga kultura e mosndëshkimit dhe paprekshmërisë.

Në shtetin tuaj policia nuk mund të ruajë dhomën e dëshmive nga vjedhja, kreu i Agjencisë së Privatizimit bën vetëvrasje me 12 goditje thike, dhe dy miliardë euro nga buxheti jepen në kontrata të cilat nuk mund të mbikëqyren nga Kuvendi i Kosovës. Sundimi i ligjit është i pavarur sa edhe RTK-ja dhe institucionet e tjera publike të ngjashme që menaxhohen nga një Holding politik-kriminal.

3.

Natyrisht, nëse e vëreni me kujdes, kemi treguar se në ç'drejtim do të shkojë qartësimi i rrugës suaj, atë që e quajmë "kushtet objektive". Pra, kemi të bëjmë me bisedimet me Serbinë. Ne duam që Serbia e Mali i Zi të jenë vende anëtare në BE, e jo të jenë pjesë e territoreve ku shtrihet ndikimi rus. Besojmë se kështu e stabilizojmë rajonin: do t’i ndihmojmë kështu edhe Bosnjë-Hercegovinën dhe Maqedoninë. Ndërkohë, besojmë se me ndihmën e miqve tanë amerikanë, përcaktimi proamerikan juaji dhe i Shqipërisë do ta ruajë stabilitetin vetvetiu.

Megjithatë, për të arritur qartësi, ne kërkojmë që ju të mbërrini një marrëveshje të obligueshme juridike për normalizim marrëdhëniesh me Serbinë. Nëse e nënshkruan, Serbia do të mundë të kalojë pengesën kryesore dhe të bëhet gati për anëtarësim të shpejtë. Nëse ju e nënshkruani do të fitoni...

Këto tri pika nuk mund t'i mbush unë në vend të juve. Po të isha në vend tuajin, do të mendoja shumë mirë e të përgatitesha edhe më mirë për atë se çka do të kërkoja. Do të pyesja, po ashtu, se çka mund të më ofrojë BE-ja? "Marrëveshja e obligueshme juridike" nuk është e sajuar ende, ajo është një kornizë e cila mbushet në saje të ndërhyrjeve tuaja dhe të Serbisë.

Herën e kaluar kur u angazhuat në dialog me Serbinë na ndihmuat. E arritët Marrëveshjen e Brukselit, me të cilën Serbia fitoi statusin e kandidatit dhe hapi procesin e negociatave për anëtarësim. Nuk do ta kishim kaq afër Serbinë po të mos ishte ndihma juaj.

Por leksioni të cilin ndoshta e keni mësuar, është se ne nuk mund të bëjmë kërkesa në emër tuajin. Ato çka kërkuat në Bruksel, ato i mbërritët. Marrëveshja e Brukselit është produkt i kërkesave tuaja dhe të Serbisë. Gaboni nëse e adresoni përgjegjësinë te ndërmjetësi, ky apo ai zyrtar: pas një kohe nuk do të mundë t'ua mbani mend as emrat. E tëra që do të mbetet është nënshkrimi i zyrtarëve tuaj.

Në dy vjetët e ardhshëm do të keni mundësi të mbërrini një marrëveshje me Serbinë. Një këshillë prej një negociatori të vjetër: ne si ndërmjetës nuk do të na pengojë nëse "pazari" është i ulët. Kini kujdes: në këtë proces negociator ne mund të vazhdojmë që në fund të tij t'ju ofrojmë "perspektivë evropiane", me fjalë të tjera të zgjedhura. Serbisë do t'i ofrojmë, qartazi, anëtarësimin e plotë.

4.

Ky moment për ju ka domethënien e një kthese. E kemi thënë në Strategji, dhe unë besoj thellësisht se momenti në të cilin jemi sot nuk ka të bëjë me Qeverinë e sotme tuajën apo atë që do të mundë të vijë nesër. Strategjia të cilën e ofruam ju sheh ju, me gjithë paqartësinë, brenda BE-së dhe për këtë kemi vënë në funksion vija të reja ndihmëse, prej pjesëmarrjes së qeveritarëve tuaj në mbledhjet tona të përbashkëta deri te depërtimi i "broadbandit" në Internet.

Kur e mora Presidencën e Komisionit thashë që gjatë Presidencës sime nuk do të ketë më zgjerim në BE. Tash po ia lë Komisionit të ardhshëm përgatitjen tonë, të shteteve anëtare, që të pranojmë anëtarë të rinj. Ky është përcaktim i një gjenerate të re evropiane.

Ky përcaktim tash është në duart tuaja. Mos kërkoni prej nesh që të përcaktojmë ardhmërinë tuaj. Siç kemi thënë në Strategji "është një përcaktim gjenerate, bazuar në vlera fondamentale, të cilin çdo shtet duhet ta përqafojë në formë aktive, prej politikave të jashtme e rajonale e deri te çka u mësohet fëmijëve në shkollë".

Ndoshta kjo do t'ju ndihmojë të kuptoni se sa larg jeni si shoqëri; siç u dëshmua me testin PISA mbi tri të katërtat e fëmijëve tuaj nuk e kuptojnë atë që lexojnë. Ky degradim ishte përcaktim i shoqërisë suaj, nuk ua sollëm ne. Prapë duhet të jeni ju ata që përcaktoni nëse doni të ndryshoni.

(Vërejtje: Të gjitha janë të vërteta, pos natyrës së letrës. Atë nuk e shkroi e as dërgoi Jean Claude Juncker. Në fakt, si e tillë, ajo është e vërtetë vetëm si e botuar në gazetë)

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Fina, Kacanik12/02/2018 11:00

Te lumte, Z. Surroi! Nje zberthim shume i qarte gjuhes diplomatike te BE-se, te cilen, mendoj une, nuk e kuptojne pushtetaret tane, madje mendoj se ata as qe e kane lexuar Strategjine e BE-se. Mendoj se shoqeria joine eshte aq e zhgenjyer, sa qe ka rene ne depresion dhe nuk po e ndermerr as edhe nje hap per te bere ndryshimin. Ky eshte pershkrimi me i qarte, i cili duhet t'zgjoje nga gjumi shoqerine tone dhe t'i shporrin keta hajna nga pushteti.

Ernest Tushi12/02/2018 09:12

Letër e sinqert e Veton Surroit, bukur e përmbledhur porosia e politikës Europiane, nëpërmjet të penës së Veton Surroit, qytetarëve -shqiptarëve të Kosovës . Ta shohinn ma kjart se si e kanë gjendjen , dhe si po thurrin të ardhmën e vet.

Shto koment

Tjera nga Veton Surroi