OpEd

Dialogu që përfundoi në qorrsokak

Si negocioi Kosova me Serbinë nga pozicioni nënshtrues dhe si duhej të negociohej në të vërtetë?

Përse duhet të negociojë Kosova me Serbinë? Arsyeja është e thjeshtë: kush refuzon dialogun, duhet të bëhet gati për konfrontime të ndryshme, bllokada, lufta tregtare dhe opsione edhe më të rrezikshme. Rrjedhimisht, dialogu është i domosdoshëm, por në rastin e Kosovës dhe Serbisë prej vitesh kemi një dialog të cilit nuk i dihet fundi dhe shumë çështje janë zgjidhur në mënyrë gjysmake. Këtu kanë munguar si vendosmëria e duhur e palës kosovare për të mbrojtur interesat e Republikës ashtu edhe roli vendimtar i BE-së dhe i SHBA-së.

Arsyeja e sjelljes së papërgjegjshme të palës kosovare ka të bëjë me synimin e liderëve të diskredituar që para bashkësisë ndërkombëtare të duken të moderuar dhe garantues të paqes dhe marrëveshjeve me Serbinë - dhe në shkëmbim të sjelljes së tyre të “moderuar” këta liderë presin përkrahje nga bashkësia ndërkombëtare, amnisti, trajtim të privilegjuar. Deri më tani me këtë agjendë kanë qenë të suksesshëm për veten, por Kosova ka humbur.

Një fazë e re e dialogut të “normalizimit dhe pajtimit” tashmë një kohë të gjatë po përflitet se do ta zëvendësojë dialogun e deritanishëm mes Kosovës dhe Serbisë. Në anën tjetër këta shtatë vjet dialog për normalizim nuk është se kanë ndryshuar në mënyrë thelbësore raportet mes Kosovës dhe Serbisë — sidomos duke parë gjuhën dhe veprimet e Serbisë në luftimin e shtetësisë së Kosovës.

Dialogu në këtë formë nuk ka kuptim, por kjo dihet prej kohësh. Për fat të keq Parlamenti i Kosovës nuk e ka ushtruar rolin e vet si organ mbikëqyrës i punës së qeverive dhe të presidentit. Verbërisht është besuar se shumica e kërkesave vijnë të gatshme nga furrat e diplomacisë perëndimore dhe Kosova vetëm duhet t’ua bëjë “amin” këtyre kërkesave. Tash dëmi është bërë dhe shtrohet pyetja: a duhet njerëz nga opozita e shoqëria civile të angazhohen në dialog për të kufizuar dëmin? Kjo është një pyetje e vështirë. Por ka një përgjigje të lehtë: pa largimin e “elitave” të tanishme nga pushteti, Kosova nuk do të shënojë përparim - askund, as në politikën e brendshme, as në raportet me fqinjët, dhe në këtë drejtim sidomos me fqinjin më jodashamirës, siç është Serbia.

Kërkesa për angazhimin direkt të SHBA-së në dialog e ka shtuar nervozizmin në Bruksel, sepse atje ekziston bindja se BE-ja duhet të emancipohet nga Washingtoni, sidomos pas fitores së Donald Trumpit, me politikat e paparashikueshme të të cilit ka probleme jo vetëm BE-ja. Se përse nuk është insistuar që në fillim që diplomacia amerikane të jetë pjesë aktive e negociatave mes Serbisë dhe Kosovës - përgjigjen e dinë vetëm të përfshirët në këtë proces jotransparent.

A mund të ëndërrohet për pajtim mes dy palëve, shqiptarëve të Kosovës dhe serbëve, në këto rrethana? Pajtimi është proces dhe jo një akt spontan. Për këtë duhen vullnet politik, gatishmëri për të respektuar tjetrin dhe për të mësuar nga e kaluara. A ka arritur Serbia në këtë pikë? Fare. Madje ka një tendencë të gjerë për të rehabilituar figurat kyç të regjimit të Slobodan Milosheviqit. Ndërsa krerët politikë të Kosovës kanë halle të tjera, personale, dhe idenë e pajtimit ata më shumë e simulojnë sa për t’u dukur “të moderuar” para bashkësisë ndërkombëtare. Këtu hyjnë edhe veprime absurde si “një minutë heshtje për Oliver Ivanoviqin”, ndërsa ai ishte i dënuar si kriminel lufte. Dikush mund të thotë se lënda e tij u kthye në rigjykim. E saktë, por kjo u bë për shkaqe procedurale, jo për shkak se ndryshoi diçka sa u përket dëshmive se Ivanoviq më 1998/99 ka qenë një ekstremist paraushtarak i përzier në krime të luftës ndaj civilëve shqiptarë. Pra, pajtimi arrihet kur Serbia dhe Kosova të kenë klasë politike të emancipuara. Tani në të dy vendet sundojnë populistë, që interes parësor kanë pasurimin e klaneve të tyre politike.

Në rastin e qytetit të ndarë të Mitrovicës mund të shihet në mënyrë ekzemplare se si arrihet pajtimi, kuptohet i neveritshëm. Ndërsa krerët politikë bërtasin “nuk e njohim Kosovën” dhe “mos na ngacmoni se nuk ndalemi deri në Nish”, mafiet politike ia bëjnë njëra-tjetrës me sy nga dy brigjet e lumit Ibër. Aty ku qarkullon benzina e kontrabanduar, harrohet gjaku i derdhur. Aty ku mallrat e Serbisë mund të futen pa doganë dhe gjasat për tregti ilegale e përfitime janë të mëdha, të përfshirët i hidhen njëri-tjetrit në përqafim. Aty ku kanalet e drogës hapen me shpejtësi sipas modelit të vëllazërim-bashkimit, sëpatat e luftës futen thellë në dhe, pastaj nën dritat e zbehta të neonit ndriçojnë takimet e sundimtarëve të Mitrovicës së veriut dhe Prishtinës, pa veri e pa jug, por me shumë ajër të ndotur.