Efekti i mbushjes së kupës

Flaka Surroi Flaka Surroi 06 shkurt 2018 08:04

Në vend se të forcoheshim si shtet e të krijonim unin tonë, ku kundërshtimet do të mbroheshin me argumente e jo me “të tekne”, ne erdhëm te pika ku diplomatët e huaj flasin në emër të popullit dhe tregojnë për atë çka duan e çka nuk duan kosovarët

Në mes kritikës dhe lëvdatave u nda vendimi i Komunës së Prishtinës për ta ndalur qarkullimin e veturave në qendrën e kryeqytetit dy ditë rresht, në përpjekje për ta ulur nivelin e ndotjes që kishte mbërritur nivele alarmante. E di që për këtë konstatimin e fundit kam gjasë të paditem nga drejtori i Agjencisë për Mjedisin, për shkak se “flas pa autorizim për këtë çështje”, porse me vetëdije po e përsëris: për shkak të ndotjes që kishte mbërritur nivele alarmante.

Nuk më ka bërë vaki më parë që të detyrohesha t’i mbështillja gojën dhe hundën me shall, se nuk mund të merrja frymë pa u kollitur. Nuk më kujtohet që pos ditëve të para të bombardimit, të isha frikuar t’i hapja dritaret për t’i ajrosur dhomat, për shkak se ajrit i vinte era qymyr e benzinë e çkamos.

U desh një reagim jo pak i zhurmshëm i qytetarëve dhe i mediumeve që Komuna më në fund të ndërmerrte masa, qoftë edhe me vendime “të improvizuara” siç i quajti dikush, dhe kjo pati efekt, falë edhe të ndryshimit të kushteve klimatike. Porse u dëshmua qartë se ndotësit më të mëdhenj në qytet pos KEK-ut dhe qymyrit në amvisëri gjatë sezonit të dimrit, janë edhe veturat. Po ato vetura që shteti ynë kishte lejuar të importoheshin, vetëm që t’i mblidhnin ca miliona për buxhetin, pavarësisht se shtetet prej nga vinin i kishin hequr nga përdorimi, pikërisht për shkak të ndotjes që e shkaktonin.

Ndotja përfundimisht ka nevojë të kontrollohet ndryshe: që nga filtrat e TC-ve që nuk janë në gjendje të rregullt prej kohësh; me ndalimin e importimit të veturave jashtë standardeve që e ruajnë mjedisin; me mbjelljen masive të fidanëve; me taksimin e veturave që duan të qarkullojnë nëpër qytet; me rregullimin e trafikut urban; me ndalimin e transportit të materialit ndërtimor kohë e pa kohë... e shumë masa të tjera. Mbi të gjitha, me një politikë të mençur investive për energjinë alternative, që do ta eliminonte madje edhe TC-në Kosova e Re, që ende pa nisur po i vjen era ndotje.

Shtrëngimi i vidhave

Nuk ishin të paktë ata që komentuan sesi çështja e ndotjes ishte një skemë e shpikur për ta shmangur vëmendjen nga problemet politike. S’ka dyshim se vitet e jetesës në Kosovën e pasluftës na kanë shndërruar që të gjithëve në analistë e opinionistë politikë dhe ndërtues të teorive të konspiracionit nga më të ndryshmet. E besoj se edhe ideja se ndotja qe e shpikur bie në mesin e konspiracioneve që aq shumë i kemi për qejf.

Mbase banorët e kryeqytetit edhe nuk kanë pasur kohë të merreshin me politikën teksa e kalonin ditën duke e kontrolluar matësin e ndotjes së vendosur nga Ambasada amerikane, porse ishin të tjerët që ndërkohën e ndotjes e shfrytëzuan për ta kryer punën e vet me diplomaci. E çka është më me rëndësi me efektshmëri maksimale.

Kështu, patetike dolën të ishin paraqitjet e krerëve të institucioneve të Kosovës në dy ditët e fundit të javës, tek flisnin për Specialen, demarkacionin dhe luftimin e krimit.

Thaçi thirri një konferencë për shtyp, ku deklaroi se Specialja nuk do të shfuqizohej, natyrisht pa pranuar se ai do të ketë qenë nxitësi i kësaj nisme nëpërmjet OVL-së dhe deputetëve të ish-partisë së tij. Më nuk e zuri në gojë Kuvendin, as nuk tha se vendimi varej nga deputetët, vendim të cilin ai do ta kishte për obligim ta shqyrtonte. Përkatësisht, që do të duhej t’ia vinte nënshkrimin ligjit për shfuqizimin e Speciales ose të linte të kalonin tetë ditët që ky të hynte automatikisht në fuqi. Porositë që vinin nga amerikanët dhe britanikët për procedimin e ngadalshëm të vizave për kryeministrin ishin lajmëtarë se pas vizave do të mundë të pasonte një sanksion tjetër i personalizuar, e më pas edhe vendosja në listën e zezë eventuale për pjesëmarrje në takime, konferenca e të ngjashme. Natyrisht, porosia më e fuqishme, që jehoi fort në veshët e qytetarëve, ishte se më nuk e gëzonin përkrahjen e diplomatëve të huaj, “si njerëzit që mund t’i shtyjnë proceset para”. Për shkak se me arrogancën e tyre deshën që proceset t’i kthenin prapa.

Haradinaj foli në “Rubikon” dhe aty e “respektoi hierarkinë” duke deklaruar: “Nëse ka një vendim politik që bie kërkesa, atëherë edhe për Qeverinë ndryshon situata, duhet ta heqim nga procedimi i mëtejmë. Mendoj se është reflektim i realitetit”. Deklarata pasoi pas konferencës së Thaçit, ku ky kishte deklaruar se për Specialen është “zbehur energjia dhe se mungon vullneti politik”. Në intervistë tha se bashkësia ndërkombëtare i jepte më shumë rëndësi raportit të Martyt sesa masakrës së Krushës, porse nuk tha se përse ndodh kështu. Se kjo është pasojë e faktit se pushtetmbajtësit prej fundit të luftës nuk kanë qenë të interesuar t’i mbledhin faktet për padi kundër Serbisë, por kanë qenë të interesuar të zënë sa më shumë prona e të kontrollojnë ndërmarrje shoqërore e biznese – sepse pasurimi dhe jeta në luks kanë qenë pika e parë e prioriteteve.

I fundit që doli për të folur në konferencën për shtyp qe Veseli dhe ky u përqendrua te ai kushti tjetër që ka mbetur për liberalizim, pos demarkacionit: krimin e organizuar dhe korrupsionin. Veseli tha: “Krimi dhe korrupsioni janë kancer i shoqërisë”. Kur u pyet për lidhjen me kryeprokurorin, ia lëshoi rendin ministrit të Drejtësisë që të fliste, tek qeshte me cinizëm në prapavijë.

Fakti është se kanceri i shoqërisë janë ata që e bëjnë krimin e korrupsionin. Ata që e kanë mbajtur pushtetin dhe vazhdojnë ta mbajnë duke na thurur fjalime demagogjike për atë çka çalon në Kosovë, thuajse ne nuk e ndiejmë përditë në lëkurën tonë. Se si u bënë milionerë duke punuar vetëm në politikë me rroga të buxhetit – është një enigmë që mund të zgjidhet me fjalët “përqindja”, “talli”, “zhvatja”, “kërcënimi”, “ndikimi”, “nepotizmi”, “klientelizmi”, “militanti” dhe “hesapi”, ndër të tjera. E derisa kosovarët të mos e zbulojnë ndonjë Giovanni Falcone të vetin, kurrë nuk do të lirohen nga cinizmi e demagogjia e këtij lloji.

Esenca e të gjitha këtyre deklaratave qe dorëzimi i këtyre të treve para ndërkombëtarëve, të cilëve iu mbush kupa. Më shumë se një muaj ditë kanë zgjatur presionet e ndërkombëtarëve nga të gjitha nivelet për t’iu treguar se e kanë kuptuar se shfuqizimin e Speciales e bëjnë për interes të vetin dhe se po qe se kjo ndodh, do ta pësojnë edhe ata pos popullit, të cilin askush nuk e pyet për asgjë, edhe ashtu.

Shtirje e zbatimit të ligjit

E kupa e të huajve nuk u mbush vetëm me Specialen, por edhe me demarkacionin. Më në fund, më qartë se kurdo më parë, Fatmir Limaj e tha atë që KOHA e kishte raportuar për demarkacionin: se këtë e kishte futur pala kosovare në listën e kushteve që duhej plotësuar për liberalizimin. Sepse e kishin menduar një gjë të thjeshtë teknike; se kishin pretenduar se e kishin komisionin se dinte se çfarë bënte dhe se nuk do të kishte telashe të tilla që e mbajtën Kosovën e bllokuar dy vjet duke e lënë pas edhe dyshimin e madh nëse demarkacioni i humbte territor Kosovës ose jo.

Malazeztë edhe një herë e bënë të qartë që nuk do të lëvizin nga pozicioni i tyre, dhe kjo do të jetë arsyeja se përse demarkacioni do të dalë në plenare të hënën e ardhshme për votim: nevojiten 80 vota për ta ratifikuar marrëveshjen dhe qysh tash dihet se VV-ja ka dalë me qëndrimin se do të votojë kundër, duke mos e sqaruar se a të gjithë 32 deputetët do t’i përmbahen këtij qëndrimi. Për partitë e tjera mbetet të shihet se sa ka qenë i fuqishëm presioni ndërkombëtar mbi shefat e tyre – që janë çelësi i problemit.

E pos këtyre dy temave, kupën ua mbushi edhe vendimi i rritjes së pagave i Qeverisë me efekt zinxhir. Në një veprim të rrallë dhe të zhurmshëm, Agjencia Kundër Korrupsionit doli me vlerësimin se anëtarët e Qeverisë kishin konflikt të interesit në çastin kur e kishin votuar vendimin, ngase bëhej fjalë për rrogat e tyre në dikasteret që i mbajnë. Në rast të mosreagimit nga Qeveria, AKK-ja do të mundë të bënte kallëzim penal kundër secilit votues të vendimit individualisht. Qeveria e kundërshtoi këtë mendim me argumente vështirë të qëndrueshme, porse vendosi ta pezullojë hyrjen në fuqi të vendimit pasi që rasti u dërgua në Kushtetuese nga deputetët e VV-së dhe të LDK-së.

Por në fakt, ai që vendosi që të mos e zbatonte vendimin qe ministri i Financave – dhe nuk ma merr mendja se këtë e ka bërë duke ditur se me zbatimin e vendimit po e niste procedurën që do të mundë t’i inkriminonte të gjithë – ngase aq ua bën zyrtarëve a e shkelin ligjin apo jo. Me gjasë edhe këtij i ka ardhur porosia se është më mirë të tregohet i kujdesshëm sesa të shkaktojë edhe një zemërim te shtrënguesit e vidhave.

* * *

Është pikëlluese që në dhjetëvjetorin e Pavarësisë të kthehemi në pikën ku kemi qenë para fundit të luftës – që vendimet politike të mëdha të varen nga “këshillat” e diplomatëve dhe politikanëve të huaj.

Në vend se të forcoheshim si shtet e të krijonim unin tonë, ku kundërshtimet do të mbroheshin me argumente e jo me “të tekne”, ne erdhëm te pika ku diplomatët e huaj flasin në emër të popullit dhe tregojnë për atë çka duan e çka nuk duan kosovarët.

Kjo, për shkak se udhëheqësit politikë të këtij shteti nuk kanë as sy, as veshë e as vullnet për t’i kuptuar kërkesat dhe nevojat e qytetarëve. Nga ana tjetër, qytetarët, për shkak se arritën të bëheshin pikë e pesë mu nga këta politikanë, nuk ditën kurrë ta gjenin rrugën për t’u bërë vetë “shtrëngues të vidhave”.

Ndoshta kjo shtytja e të huajve në këtë muajin e fundit edhe do të mundë të na zgjojë nga letargjia në të cilën jemi fundosur.

flaka@koha.net

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

shrrui07/02/2018 16:16

Keta s’mund t'i shpëtojn njerëzit, por as nuk mund t’i dojn ata////@////

bujari06/02/2018 13:58

Politikaneve tane përveç qe I mungon kultura politike I mungon edhe pergjegjesia. Eshtë e qartë se atyre u mungon edhe aftësitë politike për vlerësime reale ,se në çfarë mënyre qytetarët e Kosoves jetojnë dhe mbijetojnë. Derisa sytë e njerëzve jane te uritur dhe barku I zbrazur, ne anen tjeter fjalori i politikanëve janë plot premtime. Jetesen modeste te shumicës së Kosovareve shohim çdo ditë në rrugë, në treg, në shtëpi. Pensionistet me pensionet qe I marin nuk ju mjafton as per nje jave. Vitet po kalojnë, madje edhe dekadat. A ju kujtohen premtimet e politikaneve tanë:punesime te qindra mijera qytetareve edhe shume premtime perallore? Por kane harruar se 1 prilli është edhe 53 ditë! Ne jemi me milje larg standarteve europiane, tregues nuk jane vetem pensionet. Akterët tone te skenes politike janë mjeshtër per zbukurime dhe mbushjen e vesheve me premtime per projekte megalomane.

Shto koment

Tjera nga Flaka Surroi