OpEd

Esenca e fuqisë së sertë

Këto regjime kanë qenë të shkathëta të vënë në përdorim disa prej formave, por jo edhe substancën e fuqisë së butë. Është më e përshtatshme të thuhet se këto regjime i janë vënë pas “fuqisë së sertë”, atributet kryesore të së cilës janë censura, manipulimi dhe përqendrimi, në vend të bindjes dhe tërheqjes

Washington, DC – Gjatë viteve të kaluara, Rusia dhe Kina kanë shpenzuar resurse të konsiderueshme në fushat e lidhura me “fuqinë e butë”, një term i farkëtuar nga eksperti amerikan i shkencave politike, Joseph S. Nye dhe i perceptuar si “aftësi për të ndikuar tek tjerët përmes tërheqjes dhe bindjes”. Në mënyrë të drejtpërdrejtë, ose përmes vartësve besnikë, këto dy shtete i kanë kushtuar miliarda dollarë rritjes së ndikimit global përmes mediave, kulturës, instituteve, qarqeve akademike dhe sferave të tjera.

Sido që të jetë, me gjithë investimet e mëdha, njohësit – përfshirë vetë Nyen – nuk kanë ditur ta shpjegojnë se përse këto regjime autoritare vazhdojnë të kenë deficit të madh të fuqisë së butë – ndonëse janë fuqizuar më shumë ndërkombëtarisht.

Rusia dhe Kina vazhdojnë t’i kenë punët keq në sondazhet e opinionit publik nëpër botë dhe sipas treguesve të fuqisë së butë, duke e përforcuar nocionin se tërheqja dhe bindja nuk përputhen me autoritarizmin. Ndërkombëtarisht, autokratët “nuk po i fitojnë zemrat dhe mendjet”. Sidoqoftë, Rusia, Kina, ashtu si edhe regjimet e tjera me resurse dhe ambicie janë duke projektuar më shumë ndikim përtej kufijve të tyre, sesa ndonjëherë më parë – dhe jo në parim përmes asaj që Nye e quan “fuqi e sertë”: fuqi ushtarake apo detyrim direkt ekonomik.

Natyrisht se Rusia e ka përdorur shpesh forcën ushtarake gjatë dekadës së kaluar – në Gjeorgji, Ukrainë dhe Siri, për shembull. Por, aeroplanët luftarakë rusë dhe tanket nuk janë duke e shtyrë përpara rritjen e ndikimit global të Moskës. Ngjashëm, Kina është duke i shtrirë muskujt e vet ushtarakë në Detin Jugor kinez dhe përgjatë kufirit të kontestuar me Indinë. Por, njëjtë si Rusia, Kina ka qenë shumë më aktive në përdorimin e formave të tjera të ndikimit gjatë dekadës së kaluar.

Për këtë arsye, teoricienët janë në një pozitë të zorshme: këto regjime nuk janë duke u mbështetur shumë në fuqi të sertë, nuk po ia dalin të gjenerojnë fuqi të butë, por vazhdojnë të projektojnë ndikim të njëmendtë jashtë. Duke pasur parasysh rishfaqjen e autoritarizmit nëpër botë, ka ardhur koha për të reflektuar rreth këtij paradoksi evident.

“Financial Times” rishtazi ka shkruar se në “përpjekjet e Kinës për shtrirjen e fuqisë së butë jashtë kufijve të saj”, shteti duhet “të veprojë më butë dhe të marrë një qasje më reciproke dhe më pak autoritare”. Në një vështrim të kohëmëparshëm, Nye ka mbërritur tek një konstatim i njëjtë se “Kina mund të gjenerojë më shumë fuqi të butë, po qe se e fleksibilizon kontrollin strikt partiak mbi shoqërinë civile”. E njëjta mund të thuhet për Rusinë dhe qeveritë e tjera, që prioritet u vënë kontrollit shtetëror karshi hapjes, kulturës së pavarur dhe shoqërisë civile – që të gjitha këto elementet kryesore të fuqisë së butë.

Por paralajmërimet e tilla për autoritetet kineze apo ruse duket se po hasin në vesh të shurdhër. Çfarëdo liberalizimi i konsiderueshëm do të binte në kundërshti me vetë nevojat dhe objektivat politike të këtyre regjimeve për ta ruajtur kontrollin me çdo kusht.

Gracka analitike është të supozohet se qeveritë autoritare, që shtypin pluralizmin politik dhe lirinë e shprehjes për ta ruajtur kontrollin e brendshëm, do të kishin prirje të vepronin ndryshe ndërkombëtarisht.

Këto regjime kanë qenë të shkathëta të vënë në përdorim disa prej formave, por jo edhe substancën e fuqisë së butë. Është më e përshtatshme të thuhet se këto regjime i janë vënë pas “fuqisë së sertë”, atributet kryesore të së cilës janë censura, manipulimi dhe përqendrimi, në vend të bindjes dhe tërheqjes.

Derisa “lufta informative” përbën një pjesë të repertorit të autoritarëve, ajo në vetvete është përshkrim joadekuat i fuqisë së sertë. Shumica e aktiviteteve të ndërmarra nga regjimet autoritare – pa marrë parasysh se a është fjala për Kinën, Amerikën Latine apo Rusinë në Evropën Qendrore – mbesin jashtë këtij definicioni, të përshkruar prej meje dhe kolegëve të mi në një raport të dhjetorit të 2017-s, të titulluar: “Fuqia e sertë: Ndikimi autoritar në ngritje”.

Në retrospektivë, ne mund të shohim idetë e gabuara, që ishin rrënjosur kah fundi i Luftës së Ftohtë, kur analizat konvencionale supozonin se regjimet autoritare do të liberalizoheshin dhe demokratizoheshin. Gati tridhjetë vjet më parë, kur SHBA-ja doli prej Luftës së Ftohtë si hegjemone globale dhe termi “fuqi e butë” hyri në përdorim, analistët politikë nuk trajtuan mjaftueshëm rastet e regjimeve, si ai i Rusisë dhe Kinës sot.

Si kam shkruar unë dhe kolegia ime, Jessica Ludwig në “Foreign Affairs” në nëntor, “amullia e demokracive karshi shpërfaqjes së fuqisë malinje, të sertë, është bazuar tek mbështetja e tyre mbi paradigmën e fuqisë së butë”. Analistët që e trajtojnë sjelljen e autoritarëve në aspektin e përpjekjeve “për fuqizimin e fuqisë së butë të shteteve të tyre janë duke ia huq dhe rrezikojnë ta bëjnë të përhershme ndjenjën e rreme të sigurisë”.

Një diagnozë e arsyeshme është e domosdoshme, në mënyrë që të ketë reagim adekuat. Qeveritë autoritare nuk janë duke luajtur bazuar mbi rregullat e demokracive qeverisëse. Represioni sistematik mbetet i pranishëm tek regjimet autokrate dhe “fuqia e sertë”, që gjenerojnë ato nuk mund të futet në kornizat e “fuqisë së butë”. Pa një terminologji më precize, demokracitë botërore do të kenë pak shpresa për zmbrapsjen e ndikimit gjithnjë e më të madh dhe shumështresor të këtyre shteteve.

(Autori është nënkryetar për studime dhe analiza në “National Endowment for Democracy”. Vështrimi është shkruar për rrjetin e gazetarisë botërore, “Project Syndicate”, pjesë e të cilit është edhe “Koha Ditore”)