Jo bashkëpunëtor i Stanišić-it, por punëtor i Stijović-it

Shkëlzen Gashi Shkëlzen Gashi 03 shkurt 2018 13:02

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje!, Albin Kurti, në një intervistë të transmetuar para disa ditësh në televizionin publik, tha se drejtori i një televizioni në Kosovë kishte lidhje me shefin e shërbimit serb të sigurisë, Jovica Stanišić-in. E vërteta është se në vjeshtë të vitit 1997, Stanišić-i i kishte kërkuar përgjegjësit të vet për territorin e ‘Kosovës dhe Metohisë’, Zoran Stijović-it, që t’ia aranzhonte një takim me ish-udhëheqësin komunist kosovar, Mahmut Bakallin, për ta diskutuar gjetjen e një zgjidhjeje për çështjen e Kosovës.

Për këtë qëllim, Stijović-i – siç rrëfen vetë në një dokumentar të televizionit B92, të prodhuar rreth një dekadë më vonë – e kishte kontaktuar informatorin e vet në Prishtinë, tani drejtor i një televizioni në Kosovë. Detyra e informatorit të atëhershëm, përkatësisht drejtorit të tanishëm, ishte që ta bindte Bakallin për këtë takim dhe ta çonte me veturë në vendtakimin në Brezovicë. Pra, drejtori i televizionit në fjalë nuk kishte lidhje atje lart me Stanišić-in, por këtu poshtë me Stijović-in, lidhje kjo që datonte që nga fundi i viteve ‘80 në gazetën studentore ‘Bota e Re’, përkatësisht ‘Novi Svet’.

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje! tha gjatë intervistës edhe se Stanišić-i, përmes ish-funksionarit komunist Mahmut Bakalli, synonte të krijonte në Kosovë një qeveri autonomiste. Për hir të korrektësisë dhe për të shmangur çfarëdo keqkuptimi eventual, e ndjej se edhe këtu duhet një sqarim: nga transkripti i bisedës Stanišić-Bakalli del e qartë kristal se qëllimi i Stanišić-it ishte një autonomi për Kosovën, e ky mund të ketë qenë edhe qëllimi i punëtorit të Stijović-it, tash drejtor i një televizioni në Kosovë, por duhet nënvizuar se nuk kishte qenë edhe qëllimi i Bakallit. Prandaj, ndoshta është mirë që të botohet transkripti i plotë i takimit Stanišić-Bakalli, për ta zbardhur se në këtë takim Bakalli këmbëngulte për Republikë të Kosovës.

Për fund, fillova ta lexoja kundërpërgjigjen e këtij drejtori televizioni në Kosovë ndaj intervistës së Kryetarit të Vetëvendosje!-s, por nuk arrita ta përfundoja për shumë arsye. E ndërpreva aty ku thoshte se Albin Kurti kishte prani minimale në UÇK. Me qenë sekretar politik në Zyrën e Përfaqësuesit të Përgjithshëm Politik të UÇK-së në Prishtinë, të udhëhequr nga Adem Demaçi, prej gushtit të vitit 1998 e deri në mars të vitit 1999, do me thënë me pasë prani maksimale në UÇK. Për më shumë, punëtori i Stijović-it në kundërpërgjigjen e vet kërkonte që Kurti “…të mbajë përgjegjësi të madhe morale, politike dhe historike për largimin e tij në rrethana lufte”.

Duhet saktësuar se Kurti nuk ishte larguar nga UÇK-ja, por se e gjithë Zyra e Përfaqësuesit të Përgjithshëm Politik të UÇK-së kishte dhënë dorëheqje, sepse nuk kishte më kurrfarë kuptimi të vazhdonte të mbetej përfaqësi politike e një UÇK-je që e kishte pranuar Marrëveshjen e Rambouillet-së për autonomi substanciale të Kosovës nën Serbi/RFJ. Ndoshta përgjigjja më e mirë për kërkesën e punëtorit të Stijović-it është përmbledhja e dhjetë vërejtjeve që Zyra e UÇK-së në Prishtinë i kishte radhitur në tri faqe me arsyet se pse Marrëveshja e Rambouillet-së ishte krejt e papranueshme:

1. Nuk e identifikon askund Serbinë dhe regjimin serb si agresor e okupator;

2. Nuk parasheh që Kosova të ketë sigurim shtetëror, por vetëm sigurim publik, e kjo d.m.th. se policia e ardhshme do të mund t’i ndjekë vetëm hajnat, pëllumbaxhinjtë dhe taksistët e paregjistruar;

3. Shqiptarët nuk i trajton si popull, por si pjesëtarë të bashkësisë kombëtare shqiptare në Kosovën shumetnike, e siç dihet, bashkësitë kombëtare nuk kanë të drejtë për referendum dhe, për më shumë, një tjetër bashkësi kombëtare mund të konsiderojë se referendumi do t’ia cenonte interesat e vet nacionalë;

4. Garanton sovranitetin dhe integritetin territorial të RFJ-së, e me nënshkrimin e këtij dokumenti shqiptarët për herë të parë do ta pranonin sovranitetin dhe integritetin territorial të RFJ-së;

5. Nuk e përmend askund UÇK-në dhe ajo, sipas kësaj marrëveshjeje, trajtohet në nivelin e njësive paramilitare serbe; për më shumë, në bazë të kësaj marrëveshjeje, 2.500 policë dhe 1.500 ushtarë të RFJ-së dhe të Serbisë mbesin në Kosovë;

6. Parasheh që Kosova të përfaqësohet në Kuvendin e Serbisë dhe në Dhomën Qytetare të RFJ-së, por të mos përfaqësohet në Dhomën e Republikave të RFJ-së, që është më pak sesa parashihte Kushtetuta e vitit 1974;

7. Parasheh kompetenca për komunat dhe bashkësitë kombëtare në Kosovë, të cilat i hapin rrugë copëtimit të Kosovës dhe gllabërimit pjesë-pjesë të territorit të Kosovës nga Serbia;

8. Kërkon nga shqiptarët që ta pranojnë një shtet të paqenë, RFJ-në, të cilën as vetë BE-ja, ShBA-ja dhe organizatat ndërkombëtare nuk e kanë pranuar;

9. Parasheh që Serbia t’i mbledhë taksat e tatimet dhe nuk parasheh dëmshpërblim për 150 mijë punëtorët e përjashtuar dhunshëm nga puna dhe as kompensim të pasurive të dëmtuara të Kosovës a të dëmeve të luftës;

10. Nuk e përmend referendumin, por vetëm thotë “në bazë të vullnetit të popullit”, pa specifikuar kund në bazë të cilit popull; për më shumë, në të njëjtën fjali bashkë me togfjalëshin “vullnetit të popullit” radhit edhe mbështetjen në Aktin Final të Helsinkit.

Pra, siç po shihet, po të nënshkruhej Marrëveshja e Rambouillet-së nga Slobodan Milošević-i, shefat aktualë politikë në Kosovë do të ishin deputetë në Kuvendin e Serbisë, bashkë me Basri Pllanën e Vojislav Šešel-in, e drejtori i tanishëm i këtij televizioni në Kosovë, përveçse punëtor i Stijović-it, do të ishte sërish drejtor televizioni, veçse i televizionit BK të Bogoljub Karić-it, filiali për Kosovën.

Komentet

Dritan 05/02/2018 09:41

I nderuar Shkelzen, Pena top t'u beftë! Ky farë drejtori është një pakurrizorë, pa karakter, pa ndjenja njerëzore, dinak dhe anti shqiptar si asnjë tjetër. Me Hashimin ka takuar një tip si ai vet. Si ai janë edhe ca në qeveri, parlament dhe ekonomi. Por fajet për gjithçka i ka ky popull që nuk ka mësuar kurrë nga gabimet e bëra.

Naena05/02/2018 09:42

Po thu a ?!

Shto koment

Tjera nga Shkëlzen Gashi