Nëntë vjet pavarësi - nëntë vjet mohim!?

Halil Matoshi Halil Matoshi 17 shkurt 2017 16:21

Mohimi i Republikës së Kosovës si fakt në të drejtën ndërkombëtare (entitet juridik-politik) nga Serbia është në fokus të politikave hegjemoniste shtetërore serbe. Thjesht një qëndrim armiqësor. Pra, Deja-Vu. Porse, mohimi i shtetit kosovar në emër të një narracioni për një Shqipëri Etnike dëfton vetëmashtrim e mendjelehtësi, kinse në emër të projekteve të mëdha kombëtariste, manifeston  injorancë të thellë dhe mungesë fatale të Raison D’Etat. Kosovarët nuk kanë një atdhe rezervë…

Republikës së Kosovës së pari i duhet besnikëria e qytetarëve të saj (lojaliteti) për të prosperuar, por sidomos për t’u mbrojtur.

Në një shtet që pretendohet pa komb (mendohet si shtet i dytë i kombit unik shqiptar?), e ku kryeministri dhe bariu ëndërrojnë për projekte të mëdha unioniste me bazë etnike, duke e parë shtetin kosovar si të përkohshëm, e ka të vështirë të mbijetojë.

Ashiqare atë po e mbajnë në këmbë konstelacionet ndërkombëtare dhe rastësia!?

Ndonëse janë mbushur dhjetë vjet nga miratimi i njëanshëm i Planit Gjithëpërfshirës për Zgjidhjen e Statusit të Kosovës, një propozim me finesa të një filozofie politike postmoderniste dhe për shekullin 21,  i njohur në publik si “Pakoja e Ahtisaarit” (ngase ideatori dhe njeriu që i dha jetë këtij propozimi ishte ish-presidenti finlandez, Marti Ahtisaari), njerëz që mbahen për elitarë të politikës dhe kulturës në Kosovë, sy bote ende flasin gjuhën e shekujve 18-19, sipas frymës së narracioneve të mëdha për zgjidhje etnike, ndarje, shkëmbim territoresh ose bartje humane (Sic!) të popullsive, që përkasin në zgjidhjet sovjetizuese, të ideuara nga Josif Stalin.

Dhjetë vjet pas fillimit të zbatimit të Planit të Ahtisaarit, Kosova ndonëse shtet i pavarur i njohur nga mbi 110 kombe të botës, është ende një komb i pamaturuar, ngase ende nuk e ka ulësen në Organizatën e Kombeve të Bashkuara (OKB), për shkak të dy pengesave thelbësore: a) Mosnjohja nga Serbia që po i mban peng edhe pesë shtete të BE-së, si dhe Rusinë kundërshtuese dhe Kinën abstenuese në Këshillin e Sigurimit të OKB-së,  dhe b.) Elita kulturore dhe politike etnonacionaliste brenda Kosovës nuk po e trajton Republikën si projekt të përhershëm, për t’i dhënë kështu besnikëri (lojalitet).

Në Kosovën e narratives etnonacionaliste janë të rrallë ata që duan të punojnë për shtetin si kontekst dhe në kontekst të së drejtës ndërkombëtare - patriotët e saj kushtetues - duke qenë se qytetarët nuk janë të lidhur emotivisht për shtetin modern si atdhe i vetëm i tyre, porse kanë mbetur pengje të etnisë që si bashkësi njerëzore është produkt i shekujve 18-19 dhe tashmë i dalë nga historia politike.

Edhe pse Pakoja e Ahtisaarit është themeli i Pavarësisë së Kosovës, fakti që u pranua vetëm nga Kosova, por jo edhe nga Serbia, ka prodhuar si pasojë mosnjohjen e shtetit nga pesë vende të BE-së (Spanja, Sllovakia, Rumania, Greqia dhe Qiproja), si dhe  mosmbështetjen e Rusisë dhe të Kinës si anëtare të përhershme të Këshillit të Sigurimit të OKB, për t’u anëtarësuar në këtë organizatë botërore, që Habermas e cilëson si “Qeveri e botës”.

Në këtë kontekst, arritja e një traktati të paqes me Serbinë – gjatë procesit të Brukselit – do t’ia mundësonte Kosovës marrjen e karriges në OKB, kurse Serbisë kapërcimin e kapitullit 35 në negociatat me BE-në.

Porse shpirti liberal i Pakos është i lënduar!

Thjesht për shkak se kërkohen zgjidhje etnike në vend të zgjidhjeve me baza qytetare, mirëpo për këtë duhet pasur parasysh natyrisht konteksti kur është bërë propozimi.

Pra, e meta thelbësore e Pakos është ndarja e shtetit mes komuniteteve shumicë dhe pakicë (do të duhej që të evitohej ky raport për t’i lëshuar rrugë krijimit të një shteti me bazë qytetarie) dhe të gjithë shtetasit të lidheshin jo për etnitë e tyre (rrënjët), porse për shtetin si garantues i lirisë së tyre.

Dhe në këtë kontekst të lehtësohej krijimi i shtetit-komb të qytetarëve, pra shteti i deetnizuar!

Mirëpo Kosova problemin më të madh e ka rezistencën e shtetit serb që po i bën Pavarësisë së Kosovës në planin ndërkombëtar.
Problemi qëndron në faktin shumë të thjeshtë që Serbia e ka nënshkruar kapitullimin me NATO-n (9-10 qershor 1999 në Kumanovë), porse nuk e ka nënshkruar paqen me Kosovën dhe pa një dokument juridikisht obligues (traktat paqeje), që zyrtarisht e shpall konfliktin serbo-kosovar të përfunduar, nuk mund të vazhdohet tutje që të adresohen kërkesat e palëve ndaj njëra-tjetrës dhe karshi bashkësisë ndërkombëtare.

Ashiqare që dialogu aktualisht është klinikisht i vdekur dhe Zyra e zonjës Mogherini po i mban palët së bashku sa për pozë, duke kërkuar nga to që të mos nxisin turmat në dhunë, përmes retorikave etnonacionaliste dhe me tone fashiste.

Së këndejmi, BE-ja duhet të jetë e prerë: Paqja në fillim, pra nënshkrimi dhe zyrtarizimi i saj, pastaj mund të priten koncesionet ndaj njëra-tjetrës, akomodimi i serbëve kosovarë brenda kornizës kushtetuese kosovare dhe çështjet e interesit dypalësh.

Sfida kryesore e shtetit të ri, pos shkollës së keqe, mossundimit të ligjit dhe korrupsionit që po gërryen legjitimitetin institucional, natyrisht se do të jetë integrimi i serbëve kosovarë në shtet, duke e mbajtur Serbinë larg tyre!?

Katër komunat veriore të vendit vazhdojnë të funksionojnë jashtë sistemit juridik e shoqëror të Kosovës. Sovraniteti i Republikës është i pranishëm vetëm përmes policisë së udhëhequr nga një komandant serb dhe gjykatave të kryesuara nga EULEX-i.

Kjo pjesë e Kosovës tashmë ka shfaqur ambicien e saj që nëpërmjet Asociacionit të komunave me shumicë serbe të kërkojë shkëputjen dhe pavarësimin e saj nga Kosova.

Këtë pretendim e shprehu së fundi presidenti serb, Tomislav Nikoliq, në takimin e fundit në Bruksel. Ai tha hapur se nëpërmjet asociacionit do të kërkojnë pavarësi të komunave serbe nga Kosova.

Në anën tjetër Prishtina zyrtare po e neglizhon dekretimin e Bashkësisë së komunave me shumicë serbe edhe pse tashmë ka një verdikt të Gjykatës Kushtetute të Kosovës që këtë ‘entitet’ e rikthen brenda kornizës kushtetuese të Kosovës dhe se, parimisht, dekretimi i saj sërish duhet të shkojë për interpretim në këtë gjykatë!?

Disa nga analistët dhe njohësit e çështjeve të decentralizimit dhe zbatimit të politikave të dala nga Plani i Ahtisaarit, për këto telashe e fajësojnë, pa të drejtë, Planin e Ahtisaarit.

Kur dihet se Pakoja  në  Aneksin  III (Decentralizimi) parasheh krijimin e asociacioneve (shumës, shih: neni 9.2.)

Pakoja e Ahtisaarit në bazë të së cilës u shpall edhe Pavarësia e Kosovës, në aneksin III, kishte paraparë themelimin e një sistemi të avancuar dhe të qëndrueshëm të vetëqeverisjes lokale në Kosovë.

Me këtë parashihej trajtimi i shqetësimeve legjitime të serbëve të Kosovës dhe komuniteteve tjera që nuk përbëjnë shumicën.

Cilat janë katër shtyllat që serbëve kosovarë ua garantojnë  të drejtat e tyre të ligjshme?

Të drejtat shtesë.- Shumica e dyfishtë në Kuvendin e Kosovës është mekanizmi

themeltar kushtetues që u është lënë në duar komuniteteve joshumicë nga Pakoja e Ahtisaarit dhe Kushtetuta e Kosovës si derivat i saj, si një e drejtë vetoje për çështjet që kanë të bëjnë me interesat vitale kombëtare të tyre.

Ky mekanizëm së bashku me statusin e Kishës Ortodokse Serbe (KOS) dhe Asociacionin e komunave janë tri shtyllat me të cilat është këmbyer pavarësia e vendit, prandaj nuk mund të hiqen unilaterisht nga shumica.

Kjo mund të ndodhë në një të ardhme, kur serbët të integrohen plotësisht në sistemin politik-juridik të vendit dhe të shndërrohen në patriotë konstitucionalë kosovarë, pra kur mund të negociohet me ta si me të gjithë shtetasit…

2.   Kapitullin XIII të Kushtetutës së Kosovës. - Dispozitat Përfundimtare; neni 143 (Propozimi Gjithëpërfshirës për Zgjidhjen e Statusit të Kosovës), ku thuhet: “Pavarësisht dispozitave tjera të kësaj Kushtetute: 1. Të gjitha autoritetet në Republikën e Kosovës veprojnë në pajtim me të gjitha detyrimet e Republikës së Kosovës sipas Propozimit Gjithëpërfshirës për Zgjidhjen e Statusit të Kosovës të datës 26 mars 2007. Ato do të ndërmarrin të gjitha veprimet e nevojshme për zbatimin e tyre.

2. Dispozitat e Propozimit Gjithëpërfshirës për Zgjidhjen e Statusit të Kosovës të datës 26 mars 2007 kanë epërsi ndaj të gjitha dispozitave të tjera ligjore në Kosovë.

3. Kushtetuta, ligjet dhe aktet tjera ligjore të Republikës së Kosovës interpretohen në pajtueshmëri me Propozimin Gjithëpërfshirës për Zgjidhjen e Statusit të Kosovës të datës 26 mars 2007. Në rast se ka papajtueshmëri midis dispozitave të kësaj Kushtetute, ligjeve dhe akteve të tjera ligjore të Republikës së Kosovës dhe dispozitave të marrëveshjes, kjo e fundit do të mbizotërojë.

3. Pakoja e Ahtisaarit: Aneksi III.- Pakoja – aneksi III (Decentralizimi) parasheh krijimin e asociacioneve (shumës, shih: neni 9.2) pra edhe Asociacionin e komunave me shumice serbe;
Propozimi Gjithëpërfshirës për Zgjidhjen e Statusit të Kosovës (Pakoja e Ahtisaarit), Aneksi III – Decentralizimi; neni 9: Bashkëpunimi ndërkomunal:
Së pari, Pakoja e Ahtisaarit parasheh krijimin e asociacioneve në shumës (shih: 9.2. Bazuar në parimet e Kartës Evropiane për Vetëqeverisje Lokale, komunat do të kenë të drejtë të formojnë dhe të marrin pjesë në asociacionet e komunave të Kosovës për mbrojtjen dhe promovimin e interesave të tyre të përbashkëta, në pajtueshmëri me ligjin. )
Së dyti, Pakoja e Ahtisaarit parasheh një organ vendimmarrës (Shih: 9.1.2 Partneritetet komunale mund t’i ndërmarrin të gjitha veprimet e nevojshme për implementimin dhe ushtrimin e bashkëpunimit funksional, mes tjerash, përmes themelimit të një organi vendimmarrës të përbërë nga përfaqësuesit e emëruar nga kuvendet e komunave pjesëmarrëse, punësimit dhe shkarkimit të personelit administrativ dhe këshillëdhënës dhe vendimeve mbi nevojat për financim dhe nevojave tjera operacionale të partneritetit.

Ndërsa në Parimet e Përgjithshme të Marrëveshjes së Brukselit të 26 gushtit 2015 për Bashkësinë e komunave me shumicë serbe, sa i përket financimit shkruan: Buxheti dhe përkrahja: 16) Asociacioni/Bashkësia do ta ketë buxhetin e tij, i cili do të administrohet në përputhje me parimet e transparencës dhe llogaridhënies si dhe me dispozitat e Ligjit mbi prokurimin publik.
Këto parime posaçërisht do të vlejnë për dedikimin e fondeve, përfshirë ato të përshkuara në pikën 17d. Do të ketë auditim të shpenzimeve nga autoritetet kompetente, përfshirë Auditorin e Përgjithshëm. (...)

Pra frika dhe paragjykimi i Asociacionit si “entitet autonom  serb brenda Kosovës” edhe pas verdiktit të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës është paranojë dhe e dëmton shëndetin e Republikës!

4. Epilogu: Të drejtat shtesë për serbët kosovarë të zotuara nga lidershipi i Prishtinës si këmbim për pavarësinë kombëtare që nga procesi i Vjenës e deri te ky i Bruxelles janë zotime detyruese, sepse sipas Kartës së OKB-së ‘të drejtat njëherë të arrira” që bëhen pjesë e sistemit të brendshëm ligjor janë të pakthyeshme dhe fryma e Kushtetutës së Kosovës e parandalon shkurtimin  e këtyre të drejtave.

Në këtë çështje edhe serbët, edhe kosovarët po dëshmohen naivë, duke  e futur kokën në zall. Dihen tri parimet e panegociueshme të Grupit të Kontaktit, që çuan tek Pakoja e Marti Ahtisaarit dhe Pavarësia e Kosovës: 1. Nuk ka kthim  në gjendjen para vitit 1999; 2. Nuk ka ndarje të Kosovës dhe 3. Nuk ka bashkim të Kosovës me ndonjë shtet tjetër;

Pra këto janë zotime që një shtet modern detyrohet t’i përmbushë sipas ligjit ndërkombëtar.

Me gjithë sfidat, nga brenda e jashtë, shteti kosovar po qëndron në këmbë dhe flamuri i tij po ngrihet në arenat ndërkombëtare, atje ku shteti i vogël po shfaqet si superfuqi – sidomos në xhudo dhe me Majlinda Kelmendin – ngase superfuqinë nuk e bën territori i madh dhe as ushtritë me gjithë armët, porse lumturia njerëzore.

Njerëzit me zemër të madhe!

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

comments powered by Disqus
Tjera nga Halil Matoshi