Ajrokalipsi kosovar

Enver Robelli Enver Robelli 01 shkurt 2018 08:10

Diku duhet të jemi të parët. Për shembull: në garën me qytete kineze për ndotjen e ambientit dhe me pushtetarë të “vendit më proamerikan në botë”, të cilëve u refuzohet vizat.

Kush e ka menduar kështu 10-vjetorin e Pavarësisë. Politika e jashtme e Kosovës është reduktuar në formulën: “Serbia nuk duhet patjetër ta pranojë pavarësinë e Kosovës”, rrjedhimisht qeveria e Beogradit tani në forumet ndërkombëtare e ka edhe një argument në betejën kundër shtetit të Kosovës. Vetë pala kosovare, do të thotë ajo, po kërkon që Serbia të mos e pranojë Republikën e Kosovës. Dhe kjo kërkesë bëhet tamam në 10-vjetorin e Pavarësisë. Mund të ketë qenë llomotitje e radhës, por ka dallim kur këtë e thotë dikush me mandat për të përfaqësuar Kosovën në botën e jashtme apo dikush pa përgjegjësi politike dhe i interesuar të fitojë para kudo ku mundet.

Kush e ka menduar se në 10-vjtorin e mëvetësisë Kosova, sipas anketave, “vendi më proamerikan në botë”, do të ketë një shef qeverie të cilit i refuzohet viza amerikane. Këso flakareshash nuk kanë hëngër as liderët e Iranit, tradicionalisht të armiqësuar me Amerikën. Në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së në New York prijësit e Iranit mbajnë çdo vit fjalime. Viza kanë marrë edhe Hugo Chavezi e Fidel Castro, dy liderë majtistë dhe mallkues të përhershëm të Amerikës. Vizë për në SHBA nga krerët e shteteve sot për sot nuk marrin vetëm Kim Jong-uni dhe politikanë të Kosovës. Nuk bëhet fjalë vetëm për komandantin e Qeverisë, edhe të tjerë politikanë do të ballafaqohen me refuzim nëse shfaqen te sporteli për viza. (Siç shkroi kjo gazetë: edhe një shtet tjetër, Britania e Madhe, deri më tani nuk i ka dhënë vizë kryeministrit).

Diku duhet të jemi të parët. Siç jemi të parët sa i përket ambientit të ndotur. Këtu kemi filluar të shtyhemi me qytetet kineze, të cilat i kanë mbuluar gazrat industriale. Ajrokalipsi kosovar ka një burim. Janë termocentralet e vjetra, është prodhimi i energjisë me qymyr dhe orteku i teneqeve me rrota që vjellin tym. Kosova ka rezerva të mëdha të qymyrit dhe ka plane për ndërtimin e një termocentrali të ri. Investitorët mund të premtojnë se termocentrali i ri do të ndërtohet sipas standardeve të fundit të teknikës dhe tymtarët do të vjellin më pak tym, helm, blozë e çka jo tjetër. Le të besojë kush do të besojë. Investitorët do të marrin fitimet dhe do të largohen pas disa vjetëve. Kosovës i mbetet helmi. Falas. Një dhuratë e çmuar.

I kemi humbur dy dekada për të gjetur zgjidhje për furnizimin me energji. Dhe dy dekada i kemi shfrytëzuar për t’i helmuar mushkëritë tona. Qytetarët do të duhej të kërkonin që shteti t’u paguante së paku dy javë pushim në vit në Alpet e Zvicrës apo në Islandë për të regjeneruar mushkëritë. Pushim nga helmi i Kosovës. Natyrisht që ky është një iluzion, por kur s’guxon të hapësh dritaren (dhe as Facebookun) për shkak të alarmeve të pandërprera mbi ajrin e rrezikshëm, atëherë ke kohë të ëndërrosh – ta zëmë për pushime për hatër të mushkërive.

Të dielën në mbrëmje, kur shkruhej ky tekst, ndotja në Prishtinë ishte 317 mikrogramë për metër kub. Organizata Botërore e Shëndetësisë thotë se 10 mikrogramë nuk i bëjnë dëm shëndetit, 20 po. Në Kinë smogu për çdo vit mbyt deri në një milion e gjysmë njerëz. Sa njerëz i mbyt në Kosovë? Pas luftës njerëzit blinin gjeneratorë për të prodhuar rrymë, tani kush ka para mund të blejë një “IQAir”, fabrikat zviceran, i pari dhe më efikasi në botë. Kushton 1500 euro. Sa më shumë dhoma që keni, aq më shtrenjtë hesapi. Kjo tingëllon cinike kur të merret parasysh gjendja ekonomike e familjeve në Prishtinë dhe rreth saj. Këto familje për çdo ditë i nënshtrohen bombardimit me blozë. Rrobave u vjen një duhmë për shkak të parfumit Yves Saint Laurent de Obiliq. Mushkëritë bllokohen, njerëzit dihatin dhe kur largohen nga Prishtina u duket se kanë hequr një barrë të rëndë nga supet.

Por kjo s’mjafton. Pse të mos ndalohet qarkullimi i veturave në Prishtinë kur ndotja arrin nivel tepër të lartë? Pse të mos u bëhet presion termocentraleve për të reduktuar emisionet? Pse të mos ndalohet importimi i teneqeve perëndimore që në Kosovë konsiderohen si vetura? Pse të mos ashpërsohet krejt sistemi i kontrollit të automjeteve? Shumica e kontrolleve bëhen sa për sy e faqe. Në shtete shumë më kapitaliste se Kosova (për shembull në Zvicër) monopolin e kontrollit teknik të automjeteve e ka shteti.

Mund të bëhen shumë gjëra kundër ajrokalipsit kosovar. Vetëm se duhet aktivizëm qytetar, mospajtim me gjendjen e tanishme. Qe një shembull: në vitin 2013 qytetarët e kantonit Graubünden votuan në referendum që ndërmarrja kantonale e rrymës “Repower” të ndërpresë bashkëpunimin me një termocentral në Kalabri. Nga ky kanton zviceran deri në Kalabri janë më shumë se 1000 kilometra, por kur janë qytetarët të sensibilizuar me çështje ambientale s’ka asnjë distancë që i detyron të heshtin. Dikush mund të pyesë: çfarë ka të bëjë ajrokalipsi me politikën e jashtme dhe vizat e refuzuara? Më shumë se ç’mendohet. Me një klasë politike serioze e të përgjegjshme do të ishte më i pastër jo vetëm ajri në Prishtinë.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Tjera nga Enver Robelli