OpEd

Transparenca formale nuk mjafton

Fatkeqësisht, kontrata për ndërtimin e termocentralit “Kosova e Re” është edhe një rast që vërteton se Kosova dhe qytetarët e saj nuk mund t’i besojnë Qeverisë së vet

I.

Ka gabuar rëndë Qeveria e Kosovës nëse ka shpresuar se me publikimin e kontratës së nënshkruar për ndërtimin e termocentralit “Kosova e Re” do t’i japë fund diskutimeve, polemikave dhe kundërthënieve rreth këtij projekti multimilionësh që ka më shumë se dhjetë vjet që është nisur.

Ka gabuar kabineti Haradinaj, po ashtu, nëse ka pritur që publiku kosovar t’i aplaudojë për faktin se ka krijuar qasjen në një marrëveshje koston e së cilës e paguajnë taksapaguesit e vendit. Bërja publike e kontratës, në vetvete, nuk është një veprim që duhet përshëndetur e as lavdëruar - është një obligim që Qeveria e ka ndaj votuesve dhe qytetarëve të vendit, të cilët janë sovrani i vetëm. Respektimi i obligimeve është detyrë e Qeverisë, për kryerjen e së cilës ajo nuk ka pse pret lëvdata.

Për më tepër, mospublikimi i informatave për shpenzimin e parasë publike do të ishte fshehje e informatave nga publiku, gjë të cilën e kanë bërë qeveritë e njëpasnjëshme në Kosovë, që prej fundit të luftës e deri më sot, me shumë kontrata e tenderë, të ngjashme si ky me “Kosovën e Re”.

Rasti i fundit i tillë madje është ende aktual: kontrata problematike me konsorciumin Bechtel-Enka për ndërtimin e autostradës “Arbën Xhaferi”, si pasojë e së cilës tani thuhet se Kosova i ka borxh ndërmarrjes amerikano-turke 63 milionë euro në emër të penalltive, mbetet e fshehtë për publikun, ndërsa Qeveria aktuale – që krekoset me transparencë - nuk ka vullnet për ta publikuar edhe atë. Ngjashëm, edhe kontrata tjetër me konsorciumin Bechtel për ndërtimin e autostradës “Ibrahim Rugova” është mbajtur (dhe ende mbahet) fshehtë, duke e lënë të pasqaruar se si u bë që Kosova paguan shtrimin e asfaltit miliona euro më shtrenjtë për kilometër sesa shumica e vendeve të zhvilluara të BE-së. As këtë kontratë kjo Qeveri nuk e bën publike.

Veprimet e tilla - fshehja nga publiku e kontratave dhe vendimeve qeveritare me interes për publikun – janë antidemokratike, të jashtëligjshme dhe të pamoralshme. Dhe, një Qeveri që fsheh informatat me rëndësi publike prej qytetarëve të cilëve supozohet se u shërben, nuk mund të quhet as demokratike as përfaqësuese e interesave të popullit.

II

Po, në rastin e kontratës për “Kosovën e Re”, Qeveria sikur thotë: “Po ne nuk jemi si qeveritë e mëparshme. Ja, e kemi bërë publike së paku këtë kontratë”.

Përgjigja e thjeshtë është sërish: kjo nuk mjafton. Transparenca pas nënshkrimit nuk ndihmon në adresimin e problemeve. Veprimi i Qeverisë Haradinaj, në këtë rast, është i njëjtë si veprimi i Qeverisë Thaçi në rastin e Marrëveshjes së Prillit 2013 me Serbinë, apo Qeverisë Mustafa në rastin e Marrëveshjes për demarkacion me Malin e Zi. Publiku kosovar, si opozita parlamentare ashtu edhe qytetarët në përgjithësi, vetëm njoftohen me përmbajtjen e marrëveshjes. Ndryshimet, sado të argumentuara, nuk janë opsion.

Thënë shkurt, Kosova është vënë para aktit të kryer. Tani, nëse arrijmë në konkludimin se zbatimi i kësaj kontrate do të jetë më i dëmshëm sesa anulimi i saj, e vetmja mundësi që kjo kontratë – të cilën shumica dërrmuese e ekspertëve edhe ashtu e cilësojnë si jashtëzakonisht të dëmshme dhe të pafavorshme në afat të gjatë për Kosovën – të mos jetësohet, është që Kuvendi të mos e votojë projektin, kur para deputetëve të kërkohet të pajtohen me obligimet afatgjata financiare me të cilat kontrata e ngarkon shtetin, e që llogariten si borxh publik. Në këtë skenar, Kosova do të duhej t’i paguajë kompanisë amerikane 19 milionë euro penallti.

Por në rast se kalon në Kuvend, kontrata e fut Kosovën në obligime dhe ngarkesa financiare të shumta dhe afatgjata, të cilat do të duhet t‘i paguajnë qytetarët në 20-25 vjetët e ardhshëm, prej rritjes së çmimit të energjisë elektrike, e deri tek krijimi i borxhit të madh publik. Këto kosto do t’i mbulojnë qytetarët e Kosovës si përmes faturave të rrymës, ashtu edhe përmes buxhetit publik.

Kur kësaj ia shtojmë faktin se me kontratë i krijojmë një ndërmarrjeje të huaj biznes me fitim të garantuar, ndërsa shtetin e Kosovës e shndërrojmë në argat të kësaj ndërmarrjeje, pyetja që shtrohet është: për çka shërben transparenca nëse aplikohet pasi që vendimi është marrë?

Përgjigja, natyrisht, është e thjeshtë: për formalitet!

III

Po t’i kthehemi edhe pak përmbajtjes së kontratës.

Sapo është publikuar kontrata, ekspertë të ndryshëm kosovarë kanë nisur leximin e rreth 1.000 faqeve dhe komentimin e dispozitave të ndryshme që përmban ajo. Dhe shumica janë pajtuar se jetësimi i kontratës së tillë do të shkaktojë:

- rritje të çmimit të energjisë elektrike, sipas nevojës së ndërmarrjes së kontraktuar “Contour Global”

- nënshtrimin e shtetit ndaj ndërmarrjes, së cilës i garantohet përveç fitimit edhe trajtim preferencial për 20 vjetët e parë të punës së “Kosovës së Re”

- pamundësinë e ndërtimit të një tregu vërtet të lirë energjetik, sipas standardeve evropiane

Të gjitha këto, do të kenë edhe efekte të tjera, mes të cilave qytetarët momentalisht më së shumti i brengos rritja e çmimit të energjisë, që gjithsesi do të shtojë shqetësimin social tashmë ekzistues, si dhe futja e shtetit në obligime të mëdha që pashmangshëm do të shterin ato pak mjete buxhetore që ndryshe do të mundë të përdoreshin në investime kapitale.

Sigurisht, edhe ndërtimi i termocentralit është investim kapital, por kostoja të cilën do të duhet ta paguajmë për këtë investim, nuk duket aspak në përputhje me përfitimet që do t’i kemi as në afat të shkurtër, as në afat të mesëm e as në afat të gjatë.

Dhe e gjithë kjo pa e adresuar çështjen e korrupsionit endemik që rëndom i rri si hije e madhe projekteve si ky. Në fakt, kur shohim çështjen e shpronësimeve në Shipitullë, ku Qeveria ka zgjedhur të shpërblejë mashtruesit të cilët jashtëligjshëm kanë ndërtuar objekte për t’ia shtuar vlerën (fiktive) pronës, nuk mund t’i shmangemi përshtypjes se Kosova, edhe në këtë rast, po paguan çmim shumëfish më të lartë se çmimi i tregut, për diçka që, ka mundur shumë lehtë të bëhet ndryshe.

IV

Një çështje që gjatë nxit edhe më shumë dyshim është ajo e gjuhës së kontratës së nënshkruar. Kontrata e publikuar është në gjuhën angleze, ndërsa ministri përgjegjës tha se versioni në gjuhën shqipe është ende në përkthim, i cili do të marrë kohë për shkak se, siç u tha, “ka shumë terme teknike”.

Ministri sqaroi edhe se negociatat janë bërë në gjuhën angleze, dhe se shteti ka pasur “shumë këshilltarë ndërkombëtarë” për këtë punë.

Insinuata këtu është se kontratën në tërësi e kanë shqyrtuar dhe negociuar këshilltarët ndërkombëtarë, ndërsa vendimmarrësit në Qeveri kanë vendosur ta nënshkruajnë bazuar në këshillat e këshilltarëve.

Që në esencë do të thotë se Qeveria e cila e ka nënshkruar kontratën, nuk e ka lexuar atë. Apo, edhe nëse ndonjëri e ka lexuar, nuk e ka kuptuar mirë, sepse “ka shumë terme teknike”. E kuptueshme, meqë shumica e zyrtarëve qeveritarë njohurinë e gjuhës angleze nuk e kanë të nivelit që kërkohet për të kuptuar kontrata të tilla që kanë 1.000 faqe dhe “shumë terme teknike”.

Dhe derisa delegimi i vendimmarrjes joformale tek këshilltarët ndërkombëtarë nuk është i jashtëligjshëm, më duket se është jashtëzakonisht i papërgjegjshëm. Nëse për asgjë tjetër, për shkak të përvojës që na tregon se shumë prej këshilltarëve të tillë, më pas kanë përfunduar të punësuar për ndërmarrjet që fituan kontrata prej Qeverisë, të cilën ata e këshillonin.

Kjo, për këshilltarët ndërkombëtarë mund të jetë thjesht një biznes i mirë.

Por, fatkeqësisht, për Kosovën është edhe një rast që vërteton se nuk mund t’i besojë Qeverisë së vet.

agronb@kohaditore.com