Vjedhja e shekullit?

Veton Surroi Veton Surroi 26 janar 2018 08:09

Si po e humb Kosova pavarësinë me kontratën për termocentralin e ri?

1.

Janë tri personazhe në këtë rrëfim: një kompani e quajtur Contour Global, shteti i Kosovës dhe qytetari i Kosovës.

Kompania Contour Global nënshkruan kontratë me shtetin e Kosovës (përfaqësuar nga Qeveria) për ndërtimin e termocentralit "Kosova e Re" me kapacitet 500 MW. Thotë se ka në xhep 30 për qind të vlerës së ndërtimit, thotë se do ta ndërtojë termocentralin për 5 vjet, dhe për ta bërë këtë premton se 70 për qind të shumës së përgjithshme, 1.3 miliardë, do t'i sigurojë me kredi. Personazhi Contour Global arrin që në kontratë ta bëjë shtetin e Kosovës argat çifçi në njëzet vjetët e ardhshëm. Shteti i Kosovës do t'ia sigurojë kompanisë thëngjillin dhe ujin, do t'ia sigurojë një çmim 10 euro për hektar toke, do të ndihmojë, nëse mundet edhe me sigurimin e kredisë (tek japonezët, me dy për qind kamatë, thotë ministri Lluka). Kur të përfundojë termocentrali, shteti i Kosovës, i punësuari i kompanisë Contour Global, do ta blejë tërë energjinë elektrike të cilën e prodhon Contour Global me çmimin të cilin do Contour Global, por jo më lart se 80 euro për MW. Për ta bërë këtë, argati i Contour Global, shteti i Kosovës do ta themelojë kompaninë publike "New Kosovo Electric Company" (NKEC), e cila do ta blejë tërë energjinë e termocentralit "Kosova e Re" dhe do t'ia shesë KEDS-it, kompanisë private turke e cila shpërndan energjinë elektrike tek personazhi i tretë, qytetari i Kosovës

Contour Global gjeti formulën ideale. Shteti i Kosovës si argat i tij duhet të punojë 20 vjet për të, që t'ia shpaguajë investimin në termocentral dhe shkallën e profitit që kompania ia ka caktuar vetes. Kur ta ketë larë këtë obligim, shteti i Kosovës, si argat i kompanisë Contour Global, do të jetë pronar i termocentralit "Kosova e Re".

2.

Shteti i Kosovës do të zbulojë diçka që nuk e ka në Kushtetutën e vet. Në të nuk shkruan se duhet të jetë kontraktues i firmave private, aq më pak argat, aq më pak çifçi. Ç'është e vërteta, shteti nuk duhet të jetë kontraktues as i firmave publike, e as i asnjë gjëje, pos qytetarëve të vet. Arsyeja pse në Kushtetutë nuk shkruan se shteti mund të jetë argat i firmave private, publike apo çfarëdo qoftë, është për shkak të definicionit fillestar, atij të pavarësisë. Shtetet pavarësohen për t'iu shërbyer interesave të qytetarëve të vet, jo për t’iu shërbyer interesave të të tjerëve.

Por ja që nënshkroi një kontratë, me të cilën u vu në shërbim të kompanisë private. Dhe si pjesë e shërbimit, shteti i Kosovës duhet të jetë shitës i rrymës, një lloj agjenti tregtar i kompanisë Contour Global. Kompania do t'ia shesë shtetit të Kosovës me çmim të vetin, e shteti i Kosovës duhet ta bindë distributorin privat KEDS se është mirë me ble prej shtetit me 80 euro njësinë (MWh) sesa me 50 a 60, a 20 apo 30 sa është sot. Meqë nuk ekziston arsyeja e detyrimit ekonomik (nuk është më mirë të blesh me 80 sesa me 20 a 30 të njëjtën gjë), mund të ekzistojë detyrimi moral (është në të mirën e të gjithëve, apo është e mirë qiellore të blesh me 80 e jo me 20), por këtu nuk kemi të bëjmë as me komunizëm e as me kishë e xhami, që do ta vinin detyrimin moral para atij ekonomik. Atëherë, në fund, mbetet detyrimi i dhunës, pra që me muskuj (biceps, triceps apo ato të instrumenteve shtetërore të dhunës) një firmë private të detyrohet që të blejë me çmim më të lartë një produkt të cilin në treg e blen më lirë. Këtu për përshkrim hyjnë në punë filmat amerikanë, ku mafiozët u shesin viktimave të përzgjedhura nga bota e afarizmit një tullë nga 100 mijë dollarë secilën.

"Pse kaq", ndonjëherë bëhet pyetja?

"Sepse ashtu them unë", është përgjigjja.

Por, meqë KEDS-i nuk është pemëshitësi i pambrojtur i lagjes dhe vështirë është t'i shitet kështu tulla, K'urani vështirë do të ishte argument bindës për të blerë më shtrenjtë atë që mund ta blesh më lirë, dhe KEDS-i është operator ekonomik i cili ndjek profitin e vet, shteti i Kosovës do ta ketë vështirë ta shesë tërë atë energji me çmimin me të cilin e ka blerë. Dhe, të themi sa për ilustrim, nëse do të detyrohet ta shesë për 40 euro njësinë, 40 euro të tjera do t'i regjistrojë si humbje. Në fund të vitit, meqë shteti nuk mund të jetë në humbje, buxheti i Kosovës do të ndajë subvencion për NKEC-in, në mënyrë që t'ia mbulojë humbjet.

Siç e ka dëshmuar çdo Qeveri e Kosovës së pavarur, nuk ekziston çmim të cilin ajo nuk është në gjendje për ta paguar për qëllimet e veta. Natyrisht, me paratë publike.

3.

Personazhi i tretë, qytetari i Kosovës, është këtu në rrëfim për të paguar.

Meqë shteti i qytetarit të Kosovës duhet të blejë gjatë njëzet vjetëve me çmim fiks energjinë e një kompanie private, në mënyrë që ajo të nxjerrë investimin e saj, kamatat e kredive të marra dhe profitin e projektuar, dikush duhet ta paguajë atë. Shteti, natyrisht, është i gatshëm ta bëjë nëse duhet; kur ta projektojë buxhetin do të parashohë një sasi mjetesh për të mbuluar humbjet e NKEC-it, ndërmarrjes së vet të themeluar për ta blerë rrymën shtrenjtë dhe për ta shitur atë lirë. Paratë e buxhetit, natyrisht, janë të qytetarëve, të paguara me doganë e taksa.

Por qytetari mund ta ndihmojë edhe më shumë këtë projekt. Nëse KEDS-i detyrohet ta blejë rrymën shtrenjtë nga "Kosova e Re", atëherë qytetari mund ta ndihmojë këtë projekt duke e paguar faturën elektrike më shtrenjtë në fund të muajit. E kjo gjë fare lehtë mund të ndodhë. Për shembull, do të mbyllet “Kosova A”, apo fare lehtë mund të prishet shpesh “Kosova B”, siç prishen aparatet e radiografisë apo të rezonancës magnetike në QKUK, në mënyrë që qytetarët të kërkojnë shërbime tek institucionet private.

Shteti i Kosovës i premton qytetarit një gjë: pas njëzet vjetësh shteti i tij do të bëhet pronar i një termocentrali, për të cilin do të paguajë për 20 vjet, me një çmim përfundimtar që ka mundur të ndërtonte gati katër termocentrale të këtilla.

4.

Kështu e kam kuptuar rrëfimin për termocentralin “Kosova e Re”, në bazë të deklarimit të bërë nga ministri i Qeverisë, Valdrin Lluka, detajeve publike të kontratës mes Qeverisë së Kosovës dhe ndërmarrjes Contour Global, si dhe analizave të para.

Nëse është i këtillë, ky është rrëfimi për vjedhjen e shekullit, jo vetëm në suaza Kosove. Dimensioni i vjedhjes është aq dramatik, sa Kosova, kundër perceptimit bazik, do të përfitonte më shumë të mos kishte termocentral të ri fare sesa ta kishte të këtillë çfarë ka kontraktuar: gjatë njëzet vjetëve të ardhshëm KEDS-i mund të blejë energji më të lirë elektrike në treg ndërkombëtar sesa ka premtuar shteti se do blejë prej Contour Global.

Dimensioni i vjedhjes është aq dramatik, sa vendit i kushton më pak të mos kishte negociuar fare për termocentral të ri: nëse Kuvendi i Kosovës nuk e miraton këtë kontratë me dy të tretat e votave, shteti do t'i paguajë Contour Globalit 19 milionë euro dëmshpërblim.

Në ditët në vijim të tri personazhet e këtij rrëfimi kanë mundësi të deklarohen.

Contour Global mund të zgjedhë heshtjen. Është vështirë të shpjegosh një kontratë të këtillë në Evropën e shekullit XXI; duhet të ketë qenë e vështirë edhe në Afrikën e porsa të dekolonizuar nga mesi i shekullit të kaluar.

Shteti i Kosovës mund të vazhdojë me rrëfimin e të gjitha qeverive të Kosovës së pavarur. Ai narracion thotë se mundi dhe sakrifica dhe gjaku i dëshmorëve dhe miqtë ndërkombëtarë, dhe lufta e lavdishme dhe epopeja shekullore, dhe vlerat më sublime...Thotë edhe se sigurohet rryma në formë afatgjatë. Por shteti i Kosovës ka edhe legjislativin: nëse kontrata është e këtillë çfarë po prezantohet, pavarësia e shtetit të Kosovës, ruajtja nga të shndërruarit në argat e çifçi, duhet të mbrohet në Kuvendin e tij.

Qytetari i Kosovës mund të vazhdojë me narracionin e ankesës. Ai narracion thotë se arsimin s'e kemi kurrqysh, shëndetësinë jo se jo, shërbimet e tjera... dhe kështu me radhë deri te pensionisti që del në TV dhe thotë se me pension nuk i siguron as barnat. Ose mund të kuptojë se është duke e financuar një gjendje të atillë: nga xhepi i tij çdo ditë është marrë paraja për të financuar projektet korruptive infrastrukturore, dhe nga xhepi i tij tash do të merret paraja për të paguar diçka që duket vjedhja e shekullit.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Afrim31/01/2018 14:18

Te gjitha pasurit toksore i përvetsuan. Nga 300 e 400 hektar tokë, nga pasuria e pa tunshme shoqrore në pasuri private, vetem një person i përvetsoi asë per 100.000 euro . ndemarje te shumta, fabrika, lokale e tjera e tjera. Vetem një lutje e kamë, ishalla nuk ja shtinë duart pasurive nëntoksore minjerave e trepçes se krejtë kanë me shkatru . Populli ku do të mbetë ??? Do ti lëshon toka!!!

Xhoni29/01/2018 14:52

Mire po na e bejne keta idiote qe jane ne pushtet. Ata po na dhunojne, e ne, jo qe po i durojme, por po kerkojme edhe me shume! Deri sa nuk ndodh nje, pranvere, vere, vjeshte apo dimer Kosovare e me i shporre keta hajna nga pushteti keshtu do te jete. Nuk duhet me prite qe Specialja te na e pastroje skenen politike. Pa i denu vete ne keta idiote, dhe me ja u konfisku pasurine e vjedhur, pa marre parasysh se ne emer te kujt e kane, Kosova nuk do te ece perpara.

Valdeti29/01/2018 14:53

Nese eshte ky cmim per pavarsine e vendit atehere deri diku eshte e kuptueshme, por ta dime sa eshte fatura, 2, 5, 10 apo me shume miliard qe duhet te paguajm. E nese mshifet ndonje afere korruptive e udheheqesve tane si ne rastin e KEDS-it apo autostrades, atehere nuk na mbetet gje tjeter vecse tja mbathim.

Genti29/01/2018 14:53

Te lumte per shkrimin dhe analizen. Sikur te kishin ndegjuar me shume njerez e sidoemos ata ne vendimmarrje nuk i kishin hy laknave kshtu. Po nuk u prit gje me e mire nga keta palaço, jo.

Meti USA29/01/2018 14:55

Hiq nuk po quditem, njejte me Autostraden, 1006 Mil euro, kan mujte me ndertu me 350 mil. Njejte sikur kerrin e 3500 euro me ble 10500 euro.

Arben26/01/2018 15:26

Ndoshta "turku" i KEDS e blen, se kjo eshte arsyeja (hidden cost) qe ai e mori shperndarjen per vetem 26 mln (apo sa ishte)

Afrimi26/01/2018 11:13

Te lumte zotri. 500Mw x 24hx300ditex20Euro(min)=108 Mio. Ma mire paguje denimin. Jemi ba apsurdistan. Mos pyetni ma pse nuk ka liberalizim te vizave. Ghithkund ka korrupcion, amo kshtu veq te na..:-). Kush blen nji produkt 50% ma shtrejt se ne treg? Turku nuk e ban. Pershendetje te gjithve

Genti nga Gjakova26/01/2018 15:27

Per kompanite e huaja Kosova eshte nje eldorado pasi ata e dijne se ne Kosove ka njerez te pa afte dhe + te papergjegjshem ne institucione shteterore, Biznismanit kjo i shkon pershtati, pasi ai normalisht e shiqon profitin e tij dhe kjo eshte normale. Ata shohin se ketu kemi te bejme me disa budallenje dhe matrapaz te cilet pasurin e shtetit e shohin si prene e tyre! Gjate lidhjes se Kontrates ata fusin Nene ligjore te cilat jane me te dobishme per kompanin e tyre, cka eshte normale. Gjithashtu ata fusin ne Kontrate dhe ndeshkime financiare sipas ligjeve nderkombetare, ne rast se pala tjeter deshton dhe keta " burra odash" i bien ciftelise dhe gjuajne "allti ne ajer" duke rrah gjoks se ne po dijme te lidhim Kontrata ne favor te "KOSHOVES"!?

Agimi Viti26/01/2018 10:42

Àq e demshme eshte kjo kontrate saqe do te ishte detyrim kombetar dhe detyrim ndaj brezave qe thirren keta fajdegjinj atdhetar kaq shume ne gjakun e derdhur,qe te organizojme proteste gjithpopullore per te penguar kete krim,plaçkitje te shekullit....

Shto koment

Tjera nga Veton Surroi